Sikur s'jetoj në vendin tim
Më ndodh sikur s'jetoj në vendin tim, Po në një vend të huaj dhe të largët Në një qytet me buba dhe me minj Mes mureve të rrjepur dhe të largët.
Nga Dritëro Agolli
Jevgjiti i djathtë
Unë e njoh këtë jevgjit të thatë,
Lagjja ime gjithashtu e njeh.
Sa më sheh, më thotë: "Jam i djathtë,
Mos humb kohën, eja shpejt me ne!..."
E cuditshme! S'ka jevgjiti brekë,-
Me të djathtët puthet shesh më shesh.
Vendi im, me drogë e me dyfekë,
Djathtas-majtas rri e bën përshesh!...
Në varrin e Migjenit
Me mosbesimin tënd të drojtur
I fute dhëmbë e thonj në shekull...
I kishe vitet për të rrojtur,
S'e kishe kohën për të vdekur...
Lekurë e shekullit, që prekje
Me dhëmbë e thonj, ish plot sëmundje,
Megjithatë s'kish vend një vdekje
As jetës vend t'i gjeje s'mundje...
Sikur s'jetoj në vendin tim
Më ndodh sikur s'jetoj në vendin tim,
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të largët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh,
Kur s'ka njeri shtëpia, kur jam vetëm,
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska-flluska ma bën jetën.
Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm,
Helmohemi çdo çast me njëri-tjetrin...
S'e di nga vjen ky helm e s'kam se ç'them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin.
Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet,
Pastaj do tundet në tërmet
Dhe Djalli i Madh do qeshë e do zgërdheshet
I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz.
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvisht,
Më bën të qaj si nxënës para derës.
Comments (0 posted)
Post your comment