Lamtumira e Muzave
Arkaizmi dhe nostalgjia janë sterilë. Muzat nuk do të kthehen. Idioma krenare “vërtetësi, bukuri dhe mirësi” është...
Përkthyer nga Gentian Çoçoli
1.
Cili është vargu më i trishtë në poezinë angleze? Ndofta është “Nimfat e najadat nuk vallëzojnë më” nga Arkadia e Miltonit. Ai e shkroi këtë varg rreth viteve 1630/1632. Sa për ne, këto data përkojnë me kulmin e gjuhës dhe letërsisë angleze. Gjenitë Elisabetianë dhe Jakobinas qenë ende gjallë. Çfarë mrekullish preheshin në pëllëmbët e poetëve metafizikë; Dryeden-i sapo kish lindur. Porse për Miltonin e ri, ndjesia e muzgut qe mëse e dukshme. Më vonë, në parathënien lapidare të poemës së vet Samson Agonistes, Miltoni, përmjet një përfundimi të shëndoshë, do ta gjykonte Shekspirin se i qe afruar shumë madhështisë “së paafrueshme”, “të pashembullt” të tragjedisë greke.
Thelbi është mëse i qartë. Nuk mund të gjendet as edhe një hop i vetëm në historinë e artit dhe letërsisë, ku ushtruesit dhe kritikët e këtyre arteve të mos kenë pikasur shenja të rënies, shpërbërjes dhe farën e vulgaritetit. Kohë më kohë, prej Pindarit tek Valèry, prej zemërimit elegjak të profetëve hebrej tek Roja i natës i Spengler-it, çdo epokë është përpjekur të mbajë vesh lamtumirën e muzave, muzikën e trishtuar dhe të qetë të largimit të Herkulit tek Antoni dhe Kleopatra apo daljen e përbashkët të zotave dhe të hyjnores, të cilët bëhen Leitmotif tek Holderlini.
Duket sikur një puls i memento mori rreh te çdokush dhe te çdo estetikë, tek secili dhe njëherësh te çdo brezni sado të dukshme të jenë arritjet e atypëratyshme të tyre. Skllavi i pëshpërit në vesh pushtuesit romak, mu në orën e lavdishme të triumfit, “kujtohu, ti je i vdekshëm”. Në çaste të ndërlikuara aluzionet e dekadencës, tëhuajsimit, të asaj dritës së vonë të perëndimit, janë bërë strategjike. Latinishtja e argjendtë, letërsia dhe arti i fin de siecle, retrospektiva sarkastike e Dadasë, celebroi dhe trajtësoi parandjenjat e rënies prej së cilës ato vetë ngrihen. Vargu i Emily Dickinson-it,”Ato mbrëmje të trurit”, sipas gjendjeve të ndryshme, ka përndjekur ndjeshmërinë perëndimore shumë kohë përpara zbulimit të vonë të Valery-së, se “të gjithë qytetërimet janë të vdekshme”. Dhe vërtetë, mundet që vajtime të tilla bëhen më bindëse, janë shprehur edhe më pa ngarkesë veçanërisht kur një kulturë, poetika e saj dhe dekretimet letrare janë në zenitet e veta. Prej këtu, lutja obsesive u shpreh qartas që herët tek Jean Paul dhe Hajne, shumë kohë përpara vdekjes së Zotit tek Niçe apo dhe triumfalit dinak, sidomos të një Gotterdammerungu tek Vagneri.
2.
Po sot a ka arsye të besohet se ndjesia e krizës në mentalitetin (mentalite) europian është edhe më e përligjur dhe e qëndrueshme sesa ka qenë në orët e vërteta të vajtimit dhe apokalipsit në të shkuarën? Mos melankolia jonë është e ngjizur prej një substance edhe më të fortë se ajo, të themi, e Leopardit apo e Shatobrianit?
Barbarizmat e shekullit të XX na peshojnë mbi supe. Historianët na thonë që nuk ka patur ndonjëherë precedentë të ngjashëm në histori. Shifrat që ata japin shkojnë afër të shtatëdhjetë milionë njerëzve; burra, gra e fëmijë të vdekur nga lufta, skamja, genocidi, internimi dhe pastrimi etnik, mes gushtit të vitit 1914 dhe majit të 1945. Sotmë masakrat s’po na shqiten, apo janë ende të pranishme, si në tmerret e fundit në Ballkan.
Truri njerëzor nuk mund të endet gjatë mes figurinash të tilla. As nuk ka qenë i aftë të përballet nga ana analitike apo sociologjike me rikthimin në Europën e shekullit të njëzetë të këso zakoneve, të cilat, që prej Rilindjes, besohej se tanimë i takonin cess-pitseve dhe katakombeve të historisë. Edhe njëherë akoma, tortura u bë rutinë, endemike. Librat u shkrumbuan, u bënë karton, u çensuruan si kurrë më parë. Prej Guernikës e këtej, shenjat dalluese mes ushtarëve dhe civilëve, mes të armatosurve dhe të pambrojturve, mes burrave nga njera anë dhe grave e fëmijëve nga ana tjetër u zhdukën. Në furrat e Auschwitzit sikundër në ato stuhi flakësh në Dresden, në kampet e Kolymas sikurse edhe në hirin e Hiroshimës.
Dhe domosdo ai karvan i stërgjatë i jonjerëzores, që filloi me therrjen e nja dhjetë milionëve në Kongon Belgjane në fillim të shekullit të XX, i ka tkurrur kufijtë e njeriut. Po sot ç’të reja nga vrasjet masive, torturat, urrejtjet programatike ideologjike dhe mashtrimet do të na habitnin më ne? Ç’të reja nga barbaritë do të na bënin të thoshim, ”Jo, kjo nuk mund të ndodhë”? Që e gjitha kjo të mos na gjejë më ne të habitur, të mund të pakësohet në mënyrë radikale. “Ka një pjellori të shpresës,”- vërejti dikur Kafka,- “por asnjera nuk është për ne.”
3.
Po atëherë ku shkuan Muzat?
Humanizmi europian u tregua i pafuqishëm përballë fytyrës së kafshërisë. Kjo kafshëri shpërtheu nga zemra e vërtetë e kulturës së lartë. Pema e dashur e Gëtes e errësoi Buchenwaldin; cikli i shndritshëm i Giesekingut të muzikës për piano të Debussy-së zuri vend tok me rokamën e vagonëve të trenave për Dachau. Në shumë individë, në jetët vetjake të kasapëve dhe torturuesve, mund të gjendet edhe një shije e kultivuar, shije për muzikën dhe artet. Dikush mund të luajë Schubertin në mbrëmje dhe të torturojë të nesërmen në mëngjes.
Por kishte edhe më keq se indiferenca. Artistë, shkrimtarë, disa prej të cilëve nga më të shquarit, u bënë bashkëfajtorë me dëshirë në atë panjerëzi, sikundër edhe shumë shkollarë dhe instrumentistë. Tek Ezra Pound-i dhe T.S.Eliot-i antisemitizmi është i pandashëm nga gjenia e tyre. “Vetëm vepra e njerit prej nesh do të mbijetojë me siguri,” shpallte Sartre-i në fund të jetës së vet,- ”Vepra e Cèlineit.”
Servilizmi i zellshëm që u shfaq në njerëzit e shkencave humane, arte e kulturë në regjimet fashiste në Itali dhe Gjermani, si dhe në atë të Stalinit, bëjnë gjithë bashkë një legjion të tërë. Në kulmin e mendimit filozofik të Heidegger-it qëndron skandali i “nazizmit privat”, ambiguiteti felin i Wittgenstein-it dhe apologjia thuajse e pacipë e Sartreit për Stalinizmin dhe Maoizmin. Muzat ditën si të largoheshin.
“E përse habitesh kaq shumë?”-, pyet ironiku. -“Patjetër, këto ne i dimë.”
Më duhet ta them që përgjigjja e mësipërme më duket argument i papranueshëm. Pak, shumë pak kanë qenë ata që e kanë ditur këtë. Contra Rilindjes, de Maistre parashikoi ato banja gjaku, atë sadizëm ideologjik të shekullit të XX. Në të hyrë të 1914, Karl Kraus profetizoi se do vinte një kohë kur në Europë dorashkat do bëheshin me lëkurë njeriu. Shumë poetë, grafistë ekspresionistë, veçanërisht në Gjermani, “parapanë” hekatombat e Luftës së Parë Botërore.Të gjitha këto qenë shprehje të zymta, tmerre të paralajmëruara vetëm nga shumë pak syresh.
Kultivimi i ndjenjës dhe ndjeshmërisë përmjet letërsisë dhe arteve, propagandimi i vlerave shembullore i manifestuar tek klasikët – kaq themelore për qytetërimin europian që prej Rilindjes e këtej – u dobësua pak nga pak, nga përballja me mizoritë atavistike të “kafshës njerëzore”. Kjo kredo tek Pico della Mirandola dhe Condorceti është po aq themelore sa ç’është edhe tek Shiler, August Komte dhe Mathew Arnold. Komunitetet europiane mbështetën mbi të shkollimin, institucionet, angazhimin e tyre publik ndaj muzeumeve, holleve simfonike, bibliotekave bashkiake. Është një kredo që kumboi (ndofta për herë të fundit) në premtimin plot krenari të Trockit se njeriu i thjeshtë do të ngjiste shkallë edhe më të larta se ato ku gjendeshin Gëte apo Aristoteli.
Po ku u gabua?
Unë nuk di çështje më urgjente dhe më tërheqëse nga ajo që në frengjisht quhet les sciences de l’homme. Duke e bërë gjithë jetën time këtë pyetje, duke njohur në pozitat e edukatorit shtypjen e saj të papërballueshme, unë mund të shqiptoj, dhe kjo nuk është hera e parë, një hipotezë tentuese, një konjukturë përtej hutimit të pabjershëm. Mundet që burimet e identifikimit imagjinativ, e përfshirjes së ndjenjave janë shumë më të kufizuara se optimizmi i përkryer që ka zënë vend. Mundet që aftësia për tu përqëndruar, për t’iu përgjigjur abstraksionit apo fiktives, shmanget prej imediatëve konkretë, nga një kapje e sigurt dhe që gjen përgjigje – mbi realitetin social dhe politik që rrethon. Pikëllimi mbi Cordelian, kredhja në adagion e Mahler-it, synimi botë-fshirës i një Vermeri – ajo deriçkë e verdhë në Delft që për Prustin u bë përgënjeshtrim i vdekjes – e mbytin të qarën në rrugë. Sa më të mëdhaja, të vëmendshme dhe të vullnetshme afritë tona, aq më i shurdhët veshi ynë ndaj nevojave njerëzore, ndaj egërsisë politike, aq më të pafuqishme reflekset tona për veprim. Format estetike dhe logjike na ndajnë ne nga vulgarizmi zanafillor i politikës. Dhe kështu, ndofta – unë këtë mundësi e përngjas vetëm me vetvrasjen – shkencat humane nuk humanizojnë në kuptimin e thellë të fjalës, që duke i dhënë imunitetin e shefit dhe kulturës së lartë borgjeze, ato mundet të dehumanizojnë. Grabitja apo dëmtimi i një pikture të famshme apo djegia rastësore e godinës së një Opere, na bën përshtypje më të thellë se lajmet mbi masakrat e djeshme në ndonjë vend të zvetënuar e shumë të largët nga shtëpitë tona.
Unë besoj se është mungesa e vullnetit, pa zënë ngojesh përgjigjen, për t’iu përballur kësaj çështjeje e cila i ligështon sot kaq shkencat humane. Është paaftësi që “të mendosh përmes”(durchdenken) ironive të hidhura në kuptimin e vërtetë të litterae humanieros e cila i ka reduktuar studimet humanistike, filozofinë e edukimit, dhe të shumtën e kriticizmit në gjendjen e tyre të tanishme. Korruptimi i infatilizmit dhe boshllëkut të “korrektësisë politike”, kërpullëzimi i disiplinave kallpe, braktisja madje edhe e dijeve rudimentare gjuhësore referuese, tregon për një misère të pashpallur porse të pagabueshme. Pasi i shpunë drejt dështimit klientët dhe shoqëritë e tyre, pasi bashkëvepruan krah vandalizmave, shkencat humane shpunë drejt dështimit edhe veten. Në këtë dobësim, si për paradoks, kolapsi i Marksizmit me atë libreskën e vet të brendshme, me atë lënie pas dore të shkollimit dhe trashëgimisë së kanonit klasik, ka rolin e vet shoqërues.
4.
Në kontrast të drejtpërdrejtë dhe të bashkëlidhur, shkencat ekzakte e të aplikuara edhe teknologjia sot janë në kulmet e tyre. Siç është parë, ndarja mes tyre dhe shkencave humane po zgjerohet. Dhe kjo për shkak të prestigjit social dhe intelektual, të mbështetjes materiale dhe vlerësimeve, të pasojave të shfaqura (shkencat elektronike sotmë organizojnë dhe kualifikojnë në një rreth tepër të gjerë ekzistencën tonë kolektive dhe individuale). Por mbi të gjitha kjo është e vërtetë për hir të listëzimit të talentit njerëzor. Sipas një treguesi, afro tetëdhjetë e pesë përqind e burrave dhe grave me treguesit më të lartë të kurbës matëse të inteligjencës, gjenden sot të përfshirë në shkencat. Tre fronte ultimativë duket se do të jenë në perspektivë, krijimi i jetës molekulare vetriprodhuese in vitro, një teori e gjithçkaje që përmban origjinat e kohës dhe të universit, një neurokimi dhe biokimi të ndërgjegjies njerëzore (tanimë kemi edhe një farmakologji të kujtesës). Transformimet në statusin e homo sapiens sapiens kërkuar prej një vendimi qoftë edhe të pjesshëm të njerit prej këtyre tre domeneve, janë të pamatshme. Për më tepër, dhe kjo është themelore, edhe një shkencëtar mediokër është pjesë e kësaj sipërmarrjeje progresive e përfaqësuese që po ndodh. E kush nga ne do të besonte me gjithë zemër se qytetërimi europian do të nxjerrë një tjetër Shekspir, një tjetër Moxart apo një tjetër Mikelanxhelo? Dhe në një masë të pamatë, studimet humanistike, mësuesia, performancat ekzekutive merren me retrospektivën. Shkencat kanë kontratë me të nesërmen.
Implikimet etike të kësaj disbalance shkoj tepër larg. Asnjë gjykim i vetëm estetik nuk mund të provohet apo të përgënjeshtrohet ( Mbreti Lir nuk meriton as të përçmohet, tha dikur Tolstoi). Lakmia e sotme për teori në shkencat humane është një përpjekje patetike e transparente për të imituar, për të rivalizuar shkencat, ku termi teori ka një kuptim të verifikueshëm, përgënjeshtrues. Në cildo diskurs mbi letërsinë dhe artet, pak a shumë të bujshëm, gjen narrativa mashtruese. Edhe në kriticizmin e frymëzuar ka pak a shumë intuita të padurueshme. Falë mosmarrveshjeve, me kohë, “një besim i përgjithshëm” i pëlqimeve dhe vlerave mundet të zërë vend (citim nga F.R.Lewis) në mënyrë edhe më të frytshme, më gjeneruese sesa çështjet vërtetë të vlefshme. Porse imperativat e shijeve janë të patjetërsueshëm dhe e ashtuquajtura kanonike nuk është tjetër veç një konsensus historik, ideologjik, kontekstual dhe tranzitor prej të cilit ajo që nuk përputhet me të, ka të ngjarë të jetë produkti më i vlefshëm (Rosa Bonheur ndofta qe piktore më e madhe nga Cezanne-i, ndofta Wittgenstein-i kishte të drejtë kur përmendte atë zbrazëti qendrore përkundër atij virtuoziteti verbal të Shekspirit)
Përkundrazi, në shkenca, “vlerat e vërteta” bëhen subjekt i provave të njëpasnjëshme dhe përmbledhja e dijes ka natyrë akumuluese. Po të ndodhë ndonjë bllof, ai fare lehtë hiqet mënjëanë. Gabimi është pak a shumë i atypëratyshëm, i shmangshëm dhe i korrigjueshëm. Me fjalë të tjera: në strukturën e vërtetë dhe aktin shkencor qëndron ajo që logjika e quan si “funksion i vërtetë”. Kushdo mund të thotë gjithçka për letërsinë, artet apo muzikën (dhe një pafundësi parazitësh përligjin veten përmjet kësaj liçense të frikshme). Në shkenca gjetja dhe verdikti i hulumtimit të dikujt është një e vërtetë e demonstrueshme, që në vetvete është e hapur në të gjitha pikat e veta ndaj refuzimit. Dhe kësisoj, ideali i së vërtetës është rreptësisht pragmatik po aq sa edhe përbërës moral i cildo modeli apo propozim shkencor.
Nuk ka gjë më shqetësuese sesa refuzimi total – hiq këtu disa përjashtime elegante – i shkencëtarëve të sotëm për të hyrë në debatet dhe pështjellimet politike e sociale, zbulimet e të cilëve ushtrojnë trysni mbi ne. E thashë më parë, shndërimet që shtrihen para nesh janë të pamatshme në pasojat e tyre humane – veçanërisht aty ku bio-gjenetika, neuro-kimia e ndërgjegjes apo përjetësimi i “personit” përmjet neuro-kirurgjisë, kupton(transplant organesh, inseminacion artificial etj.) janë të zënë. Ç’aspekt i ligjeve, politikave, sistemeve sociale, psikologjike nuk do të revolucionarizohet? Cili shpirt nuk është për klonim? E megjithatë shumë shumë pak shkencëtarë janë të përgatitur të përfshijnë këto tema kaq të prekshme në qoftë se akseset e autorizuara për ta varen prej numerikëve, në mirëkuptimin konceptual në të cilin gjithnjë e më pak joshkëncëtarë mund të orientohen. Në zgjidhjen e Teoremës së Fermanit, e vërteta shfaqej si bukuri dhe bukuria si e vëretë. Po për sa prej nesh ajo kredhje e shndritshme, e brendshme nuk është tjetër veçse një imazh i largët e i vulgarizuar pakthyeshëm prej medias?
Po atëherë, çfarë duhet të bëjmë që të mund ta përfshijmë shkencën e vërtetë në argumentet tona mbi krizën?
Në dorë ne kemi disa sugjerime që nuk kanë të share, por ndoshta nuk janë realiste. Nuk mund të vazhdohet të vlerësohet i aftë kulturalisht ai që nuk ka edukim matematik në atë nivel që zotëron edhe sintaksën e gjuhës së tij amëtare. Të trajnosh të rinjtë dhe shumë të rinjtë në të fshehtat e kompjuterit dhe të internetit pa u ofruar logaritmet matematikë, ky është një harxh absurd. Dy disiplina, për më tepër, dy konstrukte mijëvjeçari të përfytyrimit bëjnë dallimin mes lëndëve humane dhe atyre shkencave faktike. Ato janë arkitektura dhe muzika (nuk është rastësi që sot të dyja pikat më të forta të artit). Mund ta përfytyroj një shkollë apo hapësirë universitare ku muzika dhe arkitektura luajnë një rol qendror. Por Platoni e kish përfytyruar këtë gjë shumë kohë para meje! Një çështje shumë më tepër tërheqëse është kjo nëse “funksionet e vërteta” kaq thelbësore për moralin dhe praxisin e shkencave janë të transferueshme në lëndët humane; nëse bllofi i mahnitshëm, zhargoni, mediokriteti i ripërsëritjes së njëqindfishtë – po, ne e dimë që Keats-i qe një poet i shkëlqyer dhe se Chaucer-i shkroi në një mijëvjeçar të ndryshëm nga yni! – në studimet dhe kritikën letrare apo në historinë e artit mundet e pakta, të krasiten. Po kaq këmbëngulëse është edhe idioma frënge: ce n’est que de la litterature. Unë nuk e di përgjigjen. Interesat e veshur janë këmbëngulës dhe shpesh të korruptuar në pikën e panikut. Porse përpjekja duhej, them unë, të qe bërë. Sa e ndritshme do të jetë ajo ditë kur një moratorium do të zëvendësojë ato mijëra dizertacione të panevojshme dhe monografi që tani derdhen lumë prej Bizantit.
5.
Epoka e shkencës dhe teknologjisë, për nga përcaktimi virtual, është dhe do të jetë epokë amerikane. Gjuhët anglo-amerikane tanimë kanë zaptuar planetin dhe pothuajse në tërësi gjithë sipërmarrjet financiare, shkencore, teknike dhe komunikuese. Interneti dhe Cyber-hapësira flasin anglisht. Në të njëjtën kohë, me shtimin e pronësimit për llogari të shëndetit të kapitalizmit amerikan, të të shkuarës artistike të Europës, shtohen edhe arkivat letrarë e historikë, trashëgimitë muzikore që tani mund t’i gjesh në muzeumet amerikane, bibliotekat, hollet simfonike dhe institucionet e të mësuarit. Çfarë i ka mbetur Europës për të krijuar?
Arkaizmi dhe nostalgjia janë sterilë. Muzat nuk do të kthehen. Idioma krenare “vërtetësi, bukuri dhe mirësi” është bërë, në një masë të gjerë, klishe e pluhurosur. Vetëm një Europë post-jonjerëzore mund të ketë nxjerrë epitafin e tmerrshëm të Sartreit: le sale espoir. Apo refuzimin e Heidegger-it ndaj cildo prioriteti të njeriut. Apo shkatërrimin e subjektit të Foucault-së.
Porse në këtë dëshpërim metafizik dhe nihilizëm ontologjik sheh zhvillime të jashtëzakonshme. Dhe me siguri të huaja për ndjeshmërinë amerikane, me ato zotimet për drejtësi sociale, me ato kritere populiste dhe kundraintelektuale të kënaqësisë. Një kulturë e cila e ka bërë të vetën etiketën përcaktuese “S’ka problem”, nuk do të krijojë, dhe kam bindje për këtë, një Hegel apo një Niçe. Nga një analogji komplekse, mundet të krijojë ca muzikë të klasit të parë (duke patur parasysh listën e fundit të Boulez-it: Debussy-në, Schoenberg-un, Bartokun, Stravinskin – të cilës unë do desha t’i shtoj Shostakoviçin madje edhe vetë Boulez-in).
Mendimi dhe ndjenja europiane tanimë duhet të përballet lakuriq me një kushtëzim të paprecedent të vetmimit njerëzor. Një kushtëzim ky që është përmbledhur shkurtazi në fjalët e Giorgio Agamben-it:
Mendimi bashkëkohor i është afruar atij kufiri, ku përtej të cilit një paveshje e re epokale-religjoze duket si e pamundur. . . asnjë figurë e re hyjnore, asnjë paracaktim historik nuk mund ta shmangë veten e vet prej gjuhës. Në pikën ku ajo e shfaq veten absolutisht si në zanafillë të vet, gjuha përtërin poashtu edhe anonimatin e saj absolut. Nuk ka më emër për emrin, nuk ka metagjuhë, as madje dhe në trajtën e një zëri të parëndësishëm. Në qoftë se Zoti qe emri i gjuhës, “Zoti vdiq” mund të kuptojë vetëm se tanimë nuk ka një emër për gjuhën. Ripërtëritja e plotë e gjuhës është një fjalë tërësisht e braktisur nga Zoti . . . Dhe kështu e gjejmë veten të vetëm mes fjalëve tona; për here të pare ne gjendemi të veçuar me gjuhën tonë, të braktisur pa një taban përfundimtar. . .Veli që teologjia, ontologjia dhe psikologjia mbanin mbi fytyrën njerëzore tanimë është flakur tej . . .
Apo siç vëren Duchamp-i në vigjilje të atyre masakrave të Luftës së Parë Botërore:”C’est fini la peinture.” Ne e shohim veten të vetëm me fjalët tona dhe ndër-determinimin e tyre post-teologjik. Marrëveshja e lashtë hebraiko-helenike midis fjalës dhe botës, midis Logosit dhe logjikës ka rënë. Epoka jonë mund të jetë Rënia e Njeriut, edhe më drastike në pasoja se mëkati zanafillor. Por edhe njëherë, kujtojmë Miltonin dhe “gëzimin e tij tragjik”, shumë kohë para Niçes, në një felix culpa, në një ”gëzim të hidhur apo katastrofë”.
Vetmia jonë është gjithashtu një emancipim radikal prej ëndërrimeve mbytëse të mesianizmit. Ne i kemi “këputur vargojtë e shkrimit”, thotë Walter Benjamin. Ose më saktë akoma, i kemi këputur zinxhirët e parasupozimit transhendental brenda ligjërimit dhe shkrimit. Dhe pjesërisht është kjo vetmi brenda lirisë që mëshon mbi ne, këtu në atë që të kujton nga Europa, e cila rëndon mbi ne pyetjen se a mund të bëhet art i madh, letërsi e madhe, muzikë dhe metafizikë e lartë brenda “anonimatit absolut”, brenda “paemërsisë së fjalës”? Apo qenë ato që Wallace Stevens-i na ndihmoi ne duke i quajtur”fiksione supreme”, nënshkrimi nga një prani e munguar e Zotit dhe Muzave të tij, garantuesi i padyshimtë i arritjeve tona europiane?
Unë kam argumentuar (prej kohësh) se një nënshkrim i tillë mund të sigurojë fill i vetëm mundësinë e akteve dhe formave të imagjinatës. Ai reduktim i “çështjes së Zotit” në diçka pa rëndësi apo pa kuptim, do t’i bëjë të paarritshme përmasat e Mbretit Lir, e Meshës në B minor, e Vëllezërve Karamazov apo Vdekja e Bergottes. Unë intuitivisht vazhdoj besoj se kështu do jetë. Por mundet që të jem edhe tërësisht gabim. Tanimë, gjenia e Beckett-it, e cila është pjesë e këtij tranzicioni, sugjeron që gjuha mund të përçojë tek fuqitë dhe thellësitë lirike të rregullit të parë të brendshëm, fare saktësisht, vetmitë, refuzimin e nominimit adamik tanimë mbi ne. Porse të kishim ne dijen e pafundme, atë liri shkrepash të Bekett-it, – “Ai as nuk ekziston fare: bastard”, – ne do ta kishim ditur se shkretëtirat mund të fshihnin horizonte të reja. Tres riches heures të aventurës europiane pas Jerusalemit dhe Athinës mundet të kenë marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ose një tjetër aventurë e re ndofta sapo ka nisur të marrë jetë diku, siç tha edhe Paul Celan-i, “në veriun gjuhësor të së ardhmes”. Ne thjesht nuk e dimë. Por sa mrekullira shtrihen në atë panjohje.
(George Steiner)
Comments (0 posted)
Post your comment