Home | Literature | Gurth (2)

Gurth (2)

image
Ketrat gëlojnë kudo. Po kështu gjithfarë shpendësh. Natyra vetëndreqet, a ka më bukur se kaq!

 

 

 

Nga Shkëlqim Çela

 

 

“Mos ec mbi asfalt, ec mbi bar ku(r)do që mundesh. Bën mirë për shtyllën kurrizore.” E kujtoja këtë këshillë ku(r)do që mundja. Mundësia për të lëvizur në këmbë është e vogël këtu, më zonën suburban amerikane, dhe kohëvendi kryesor për këtë janë ecjet gati-gati të përditshme në parkun fqinj. Dikur ecnim se kishim nevojë, sot kemi nevojë të ecim. Liritë në shumëçka na kanë kufizuar të ecurit në këmbë, dhe të ardhmen e shoh të zymtë, industria e automobilëve lulëzon, syri të shikon makina vënë në prizë si hekur rrobash, pas parkingjeve në ngrehinat metropolitane të presin ashensorët, eskalatorët e kanë bërë ngjitjen e shkallëve gjënë më të lehtë dhe gromësitëse, e të gjitha këto më kanë shtyrë të sajoj një teori të re, sipas së cilës evolucioni do të na katandisë (ose do të na “përsosë”—kjo varet nga humori i ditës) në qenie vetëm kokëse, pa trup. Emrat kumbues “cefalik” dhe “asomatik” këmbeheshin në të njëjtin ritëm me hapat e ecjes nëpër park, koha e vetme kjo edhe për këto përsiatje pa bukë, pra të domosdoshme për njeriun cefalo-somatik të sotëm, të paevoluar saç duhet. 

Duke ecur mbi barin e sapo korrur, m’u ndërmend si gjithnjë se nuk ka si aroma e tij, erë natyre e konkurrueshme ndoshta vetëm nga era e brazdave. Përanash vinin fusha bejsbolli të shtruara me një masë plastike, që i ngjasonte barit, e madje në të kishin hedhur një lloj materiali të padukshëm po ashtu plastik, i cili ngrihej si një rërë e murrme kur topi përplasej në të, duket për të krijuar ndjesinë e terrenit natyror apo të volejbollit të plazhit. Kisha dëgjuar futbollistë europianë që flisnin të zhgënjyer nga fushat stërvitore plastike, të cilat e kishin gjithçka siç duhej, me përjashtim të njërës: erës së barit të sapoprerë. Kjo qenkësh e pazëvendësueshme. Në fakt, ajo erë bari ishte sinjali e kushtrimi që bimët e vrara u jepnin të tjerave për gjëmën që po afronte. I ngacmuar nga era e vetmohimit bimor aq i pavënë re, dhe nga mendimi se si estetizohet e keqja e njërës specie nga specia tjetër (bari i prerë që rilind më i vrullshëm, do të bëhej fjalë e fundit heroi e mësuar në shkollë), pikasa një gur të vogël mbi sipërfaqen e lëndinës së lëmuar nga prerja, gur që kishte dalë në dritë nga ky shkak, se përndryshe do të më fshihej i strukur në blerim. E godita me majën e këpucës, pothuajse pa vullnet. Gjeni i futbollit pret që ta zbulojnë në genomën tonë. Është një gjen i lashtë për të goditur objekte të vogla, që më pas çeli në sa e sa forma, që nga shkopa cinglat dhe petat, e deri tek loja aristokratike e golfit, kur lëndinën e presin në përsosmërinë e fjalës së fundit të teknikës dhe heroit, në mënyrë që ai guri i rruzullt që duhet goditur gjenetikisht, të shquhet sa më qartë. 

E kishim bërë zakon të luanim me boçe të rëna pishe, duke ia pasuar ato njeri-tjetrit në ecje e sipër, të ngacmuar nga forma e zgjatuar e tyre që i shmangte nga vija e drejtë e goditjes dhe i prirte anash, sikur donin të shpëtonin prej nesh. Të godasësh një gur me këmbë qëllon që shpreh një lumturi të pastër dhe pristine, një protolumturi të pa rafinuar ende në ndjenjë të kultivuar. Majmunonjeriu i parë që mori pëlqimin nga femra e dëshiruar duhet të ketë goditur ashtu një gur, kot, pa qëllim e dobi, siç vetëm lumturia e meriton. Mora një gur të godita, nuk të rashë për të vrarë, por të rashë për të marrë: a ka më qartë se kaq? Pasi e godita disa herë, guri zuri vend në një andër toke të rruar më thellë se bari rreth saj, një gungëz e vockël e terrenit, e prerë çdo herë si nishani në faqe gjatë rruarjes, që rrezikon të kthehet në kancer nga ky shkak, e therur mu në bazën e vet, ku e gjelbra shndërrohet në një të bardhë prej embrioni të brishtë, sak zemra përtëritëse e blerimit. Më tepër se nishan, ishte një bërryl a gju i vrarë. I mysët për dhimbje. Nga kjo m’u duk si një podium i mirë, m’u duk sikur guri po ndihej i respektuar që po vendosej atje (“A mendon guri? Pse jo!”), çka më bën të mendoj edhe për gjenin tonë parak të piedestaleve, aq të lidhur me lëndime dhe rreziqe të frruara gjunjsh prej rrëzimit e heqje zvarrë mbi zmerile bulevardesh dhe tehe trualli të rrezikshëm. Kjo do t’i shpjegonte biologjikisht sherret e pafund për monumentet kudo nëpër botë, nga Shqipëria e vogël tek Amerikë e madhe, thashë me vete duke e ndjerë atë lehtësinë me të cilën shpjegohet bota kur bën ecje në park (Nga Mesjeta e Vonë tek Industrializimi i Murrmë englez ndanin 50 hapa, ose dy kalori fajtore të dietës së mashtruar tinëz pas derës së frigoriferit). Se ndryshe ç’më shtyu ta lë atë gurth pikërisht mbi atë gungëz, e të ndihem mirë nga ai shkak, si ai që i bën nderin diçkaje që e meriton prej shërbesës a shërbimit? A nuk e vëmë në piedestal topin e golfit mbi ata thumba mbajtës të vegjël druri, që englezi u thotë “tee”, duke luajtur me kumbimin fisnikëror të çajit, që pastaj ta godasim pa mëshirë sa më fort, ta degdisim sa më larg, për ta futur në një gropë si varr fundor një orë e më parë? Ndoshta ishte një shtysë altruizmi, mendova, ndoshta e vura ashtu dukshëm si një monument që dikush tjetër të ketë ç’të godasë me këpucë në një çast lumturie, ashtu si unë dikur zajet dhe gurët e zhavorit anërrugës në Shqipërinë aq bujare me gurë për të çarë kokën dhe aq cingune për gëzime. 

E ndjeva që po i bëja vetes hile (50 hapat e mëpasëm do të më çonin tek Revolucioni Rus i Tetorit plot fshatarë lindorë izbash e stepash të stepura me doktrinë teoricienësh perëndimorë në duart me kallo prodhuese të mirash materiale, të pastër në shpirt sa proletariati, pooor me kleçkën e vogël të oborrit me humus të djallëzuar që pillte çdo orë, çdo minutë, çdo sekondë, çdo atom të kohës fizike kozmogonike një kapitalizëm hilanjos që ujët ta shkon nën rrogoz… në pallatin e ftohur me plevit të dimrit), e ndjeja që tjetër gjë po mendoja atje thellë, ku mendimi është reaksion kimik dhe ndodh në të drejtë të vet, pa e ditur ne, menduesit, ndodh pa u menduar, razi për këngë despoti: o mendimi që s’mendon. Ai gur do të goditej nga tehet e makinës korrëse, hanxharë që rrotulloheshin fuqishëm dhe prisnin me shkalafitje gjithçka që kish guxuar të rritej që nga masakra e korrjes së fundit – blerimi është ndër përkufizimet më të arrira të kryengritjes – do ta thyente sado pak atë teh rrotullues, evoluim i giljotinës në rrethinën e re me djegie të brendshme: ai nuk ishte një hedhurinë, por një gur gueril, në një mision vetvrasës prej të pafuqishmi, kaq në media (domethënë në modë) sot. Një hakmarrje livadhi me erë të mirë alarmi për specien tjetër. 

Po ne jemi tanët, thashë me vete, ne ndajmë një ADN, kjo gjë është vendosur mbi një miliard vjet më parë, kur konkurrentët e formave jetësore e mbyllën luftën në favor të gjësë që jemi sot, të koduar në ca triplete me katër zgjedhje, jo rastësisht, por domosdoshmërisht, - duplete me tri zgjedhje do t’ish pak dhe kuadruplete me pesë zgjedhje do t’ish shumë, - e u sëlluam pas kësaj parsimonie kësisoj, me njerëz, alga, paramecë e barishte. Ai gur në të vërtetë na është i huaj, më i huaj se makina prerëse, një hibrid mes meje si njeri dhe gurit si vdekurinë, një sy i frikshëm ciklopi mes Homerit dhe dëgjuesit është ajo makinë me erë karburesh të djegur, një sinjal alarmi për kushedi se ç’thagma epokale. 

Gjuha s’ka kocka e kocka thyen. Po ashtu mendimi nuk ka gurë e gurë thyen. Për dënim. Guri m’u thye një qind herë teksa e mendova në po aq seri korrjesh të njëpasnjëshme për rilindje e citate heroi, duke e mpirë giljotinën rrotulluese, goditjen prerëse të revolucionit të muajve më pranverorë se Tetori kontinental, derisa një herë, më tepër si pasojë e pashmangshme e ligjit të egër të numrave të mëdhenj se sa fatit, guri nuk u thye, por u godit në mënyrë të përsosur, prej asaj që englezi e quan “perfect swing”, duke u shndërruar në një gur flurudhës me dëshirë për gropë (të futsha në dhe, ta bëfsha gropën!), dhe në atë fluturim mund që bënte të pabërën, të godiste kokën e dikujt që po ecte aty pari, të ndonjë fëmije apo vajze të re (vdekja aksidentale e njërës që bënte ecje në park e goditur nga një automobil i ndërkryer në një kryerrugë shtetërore më kishte lënë një vragë të pashlyeshme, sak si goditje giljotine të mpirë). 

I tronditur nga ajo gjasë, me një brerje të brendshme prej ndihmësi në krim, hapat m’u rënduan: Ku shkon, i thosha vetes, kthehu mbrapsht, gjeje atë gungëz kanceroze mbi barëzim, dhe hiqe atë gur që aty. Si do të jetosh në dëgjofsh se dikush u godit me gur në kokë, ndërsa mirëmbajtësi i parkut po bënte punën e vet? Si do të rrish derisa t’i vijë radha kositjes tjetër? Mos u bëj i marrë, ia ktheja vetjes së merakosur me vetjen “cool” dhe me “common sense”, mos fol budallallëqe, turp të të dëgjojë njeri, bëhu realist. Për ta mbyllur me: S’ka kush të më dëgjojë, mendimet nuk i dëgjon njeri, përpos vetes kur ua ka ngenë, dhe ky është skuthllëku parak i species tënde, domethënë tonë, që s’la dy gurë bashkë. 

Grindjen e fitoi vetja “cool”, e cila u bë mëshirëmadhe, jo pse kishte mëshirë, por ngaqë i pëlqente sipërania morale, si çdo sipërani tjetër: Mirë, eja vemi atje ku do, kthehemi mbrapsht, tek vendi i krimit pa patur krim dhe pa qenë kriminel, por një vezvezeli, një sherrbudallë…

Nuk ishte aq e vështirë ta gjeje atë gungëz bari me rruajtjen kanceroze që kish filluar ndërkaq të thahej me një kore prej plage bimore, aq e ngjashme me ato njerëzoret, oksid gjaku e limfe, dhuratë e atmosferës dhe zotit oksigjen. Guri nuk ish aty. Do ta ketë lëvizur ndonjë kafshë, mendova.

Edhe ika i qetësuar, derisa një gungëz bari e rruar thellë më feksi përanash, aq e ngjashme me atë që shkoi: po sikur të kisha parë tjetër plagë nga ajo që kërkoja? Hodha sytë nga copa e lëndinës, e cila m’u bë si jorgani më i pasigurt në botë, plot me mundësira piedestalesh të vogla, të ngjashme siç mund të jenë të tillë vetëm piedestalet, me gurët aq të ndryshëm sipër tyre, si bomba të vërteta që veç prisnin rastin… e një gijotine të mpirë nga prerjet e njëpasnjëshme. Anonimiteti i piedestaleve ishte më i tmerrshëm dhe i pamundur se ç’ngrihej mbi ta. Ai anonimitet i mbronte gurët dhe bëhej palë në mundësinë e krimit. U rrënqetha pa frikë, si prej çdo zbulese të vogël. Dhe ika me sëkëlldinë e gurit të pagjendshëm që e vriste trurin si një thundër e ndryrë në këpucë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00