Tokë e premtuar
Në llum bisha unjet, gëlltit tym, koka i rëndohet, shkel minën e trurit, e zemra... eh zemra...
Arb Elo *
Tokë e premtuar
Nga peshë e fajit varen gjinjtë e shpresës, fishken,
Herë lule, ku bleta e foshnja thithin, herë plagë e ënjtur,
herë uniformë ku bren tenja, herë tokë e premtuar,
ku gjithfarë ikanakësh kërkojnë mjaltin e qumështin.
Është shterpë kjo grua, fëmijët nuk janë të saj, gjinjtë veç dhjamë,
sytë xham, e zemra... eh zemra, sahat klonuar nga minë e trurit,
që nuk plasi e fle në varr të dheut prej nga plas filizi i grurit,
bukës, pemës që u bë letër për t`u nënshkruar me dorë të ngopur
të drejtat e njeriut apo urdhri për të bombarduar,
oraret, shifrat e hebrenjve që prunë trenat në kamp.
I zbritën, vunë në rresht, numëruan, u zhveshën,
rrodhi ciklon B, u shkulën si dhëmbët e artë
në gojën e pajetë me shkumë të kufomave,
mishit që digjet në kremator n’ ethe, n’ yjet,
pesë a gjashtëcepësh, si retinë e kriminelit.
Pjellë e zjarrit, në tym demi unjet, i ngulin shpatën,
Flamurë dhe blozë vjell goja e hapur e bishës,
si portë tempulli, gjuha e nxjerrë lëpin gjakun, dehet,
skuqet nga ai, flet përçart për tokën e premtuar,
ku rrjedh mjaltë e qumësht. Dyzet vjet u endëm
e ja, deti është i kuq si ëndërr e ligë shushunje,
nuk ka vend, shtyhen, bien shkulm në gjunjë.
Ah, Atë ! Adhuruam viçin, kryqëzuam bijtë, s’dinim ç`bënim,
bëmë kambanat tanke, parakaluam në xhami me çizme,
dhunuam varret, i vumë helmetë shqiponjës, damkosëm yje
me kazma e pushkë, festonim si qentë bariun e marrë në festë,
veshur me pizhame me vija gjatësore, të qethur shkurt,
me lule letre në të dyja duart. Bërtisnim “Jemi gati!”
Gati për të vrarë, gati për zjarr, gati për litar,
plumb; gati për varr, lemeri, llahtarë.
Në llum bisha unjet, gëlltit tym, koka i rëndohet,
shkel minën e trurit, e zemra... eh zemra,
transplantuar nga faraon i vdekur,
dhëmb i artë në gojën e hapur të kriminelit tek qesh,
plagës ku brejnë krimbat vrimat e të pushkatuarve.
Kullon ciklon B, karvani niset teposhtë këmbërënduar,
retina skuqet nga ylli që plas, pesë a gjashtëcepësh,
shifër e damkosur në ndonjë letër nga duart
që tash dridhen e nuk kanë ku mbahen, se poshtë është honi,
ku rrjedh helm, llavë, deti i kuq, toka e premtuar...
Tungjatjeta
The prapë “Tungjatjeta!”, fotokopje e së djeshmes, kafe në mëngjes,
hëngra drekë e përsëri kafe, dy cigare rresht, në tym të pashë prapë,
të nxora nga ujët, të dhashë frymë, hape sytë, -Jam në kllapi- më the,
me buzët mavi nga i ftohti, dridheshe, t’pëshpërita një fjalë në vesh,
u ngrohe dalëngadalë e në prehrin tim të zuri gjumi, ecja me kujdes,
kalimtarëve u bëja shenja me gishta t’heshtnin, i mbylla veshët vetes,
rrija anash shtratit tënd, rrugicat me kalldrëm, plakat e ulur mbi gur,
fëmijët luanin me top, hurmat mbi komodinë e kavanozat e reçelit,
vinte era narkozë aty, hapa velëzat për herë të fundit, po më thernin,
dikush me skufje të bardhë e fshesë në dorë hapi derën, futi kokën,
e mbylli prapë, më përzihej, një aeroplan letre t’kish ngecur në flokë,
dëshirën e fundit thanë, prifti lexon pjesë nga darka e fundit, Amen!,
vishnja n’oborrin e gjyshes, mbi tavani i drunjtë me hieroglifë hijesh,
njollat në mure, çarku i akrepave po zinte edhe një sekondë tjetër,
një gardalinë të verdhë me pika në gjoks, në radio një këngë e vjetër,
ishte e djeshmja, një kollë e thatë, gjumë në drekë, gjithçka po rritej,
dhe midis dy frymëmarrjesh të përgjigjem si gjithnjë “Tungjatjeta!”...
* Marrë nga vëllimi "Zero 3D"
Comments (0 posted)
Post your comment