Home | Literature | Intervistë me autorin Azem Deliu

Intervistë me autorin Azem Deliu

image
Deliu: " Puthësi i paligjshëm ", del së shpejti  në gjuhën angleze në Londër...

 

 

 

 

 

Nga Dea J Klosi

 

  

Klosi News: Ju jeni një autor i ri mjaft premtues,  a mund të na flisni për kontaktet tuaja të para me Letërsinë, për ndikimet dhe mënyrën tuaj të të shkruarit ? Ç’keni botuar deri më sot ?

Deliu: Kam botuar librin me poezi ‘’Funerali i shiut’’ dhe romanin ‘’Puthësi i paligjshëm’’, i cili tani që po flasim po del në gjuhën angleze në Londër. Ka qenë një libër i shoqëruar me një sukses të papritur.

Kontaktet e para me letërsinë zor se i mbaj mend, ndërkaq ndikimet në mënyrën e të shkruarit i kam pak a shumë të qarta: Kadare, Kafka, Kamy, Oruell, Dostojevski, hera herës Kundera. Këta autorë më kanë gatuar. Janë, si ta them, brumi im. Të tjerët janë mëlmesa.

 

Klosi News : Sot, flitet shumë për kritikën letrare shqiptare që, sipas mendimit të përgjithshëm, nuk ekziston. A pajtoheni dhe Ju me këtë mendim ? Si e mendoni rolin e kritikës letrare ?

Deliu: Nuk e di nëse mund të them se nuk ekziston, më duket e tepruar. Por, çfarë mund të them me siguri është se rolin e përcjellëses së letërsisë, atë rol që i është besuar unanimisht prej kohësh, ajo s’po e bën tani. Gjithsesi, nusja nuk bëhet më pak e bukur vetëm përshkak të mungesës së shoqërueses. Mund të bëhet më pak e kujdesshme ndoshta. Ky kujdes do t’i duhej letërsisë, por kritika ka vendosur të heshtë. Në vështrimin tim, është çështje egoje. Të gjithë duan të shkruhet për ta, askush s’do të shkruajë për tjetrin.

 

Klosi News : Cilat janë mënyrat tuaja të ndjekjes së Letërsisë Europiane apo dhe asaj botërore : nëpërmjet përkthimeve apo leximit në gjuhën origjinale ? Ku e vendosni Ju, në krahasim me këtë letërsi, Letërsinë Shqiptare në përgjithësi dhe atë tuajën në veçanti ?

Deliu: Për letërsinë time është e vështirë të flas. Mua më takon më së paku ta komentoj. Letërsia shqipe ndërkaq, nuk është në një pozicion për t’u krenuar, por as për të vënë alarmin. Pa frikën se nuk do të isha i saktë, mund të përdor për të termin: letërsi normale. Me shkrimtarët e vet të mëdhenj e me diletantët e vet gjithsesi. Përsa i përket ‘’ndjekjes’’, jam një lexues i pasionuar kryesisht në shqip, por gjithashtu në anglisht e gjermanisht.

 

Klosi News : Dihet se një tekst letrar, në fakt, është një ndërtekst. Veprat të dërgojnë tek njëra-tjetra, shkeljet e syrit ndërmjet shkrimtarëve janë të shpeshta. Po Ju, me cilët autorë ndiheni më afër dhe mundoheni të komunikoni nëpërmjet teksteve tuaja të mirëfillta ?

Deliu: Nuk mundohem të komunikoj me autorët. Është diçka që realizohet, dhe do të realizohej, fare natyrshëm pa tentimin tim. Madje, për të qenë plotësisht i sinqertë, një tentim për të komunikuar me tekste e autorë s’do të funksiononte, siç s’do të funksiononte një tentim i panatyrshëm për ta ndaluar këtë komunikim. Nuk e bëj as njërën as tjetrën. E konsideroj veten goxha të çliruar nga ky kompleks. 

 

Klosi News : Një temë që rikthehet shpesh në mjedisin letrar shqiptar, është dhe ajo e « Çmimeve Letrare ». Ç’mund të na thoni këtu ? A mendoni Ju se përzierja e politikës së ngushtë partiake në Letërsi është një fatalitet nga i cili s’po dimë si të dalim ?

Deliu: T’ju them të drejtën, nuk e di. Nuk kam shumë përvojë me çmimet letrare shqiptare. Edhe ajo pak përvojë që kam, nuk është pozitive, por nuk dua të ankohem. Nuk e kam mendjen te çmimet, e prandaj s’më intereson fort ta analizoj si klimë. Nuk i refuzoj, por as i kërkoj me ngulm. Bëj thjesht letërsinë time.

 

Klosi News : Tani, edhe një pyetje mbi Gjuhën Shqipe. Zhurmat e sotme mbi standartin, dialektet, klanet apo komisionet, kanë krijuar një rrëmujë të vërtetë në mjedisin tonë letrar. Mendimi apo rrugëzgjidhja juaj ?

Deliu: E vetmja kompetencë e imja në raport me këtë pyetje është se gjuhën e kam mjet për artin tim, siç i ka piktori ngjyrat. Por kjo s’domethënë që piktori është eksperti i ngjyrave për përmbajtjet kimike të nevojshme. Këtu e shoh dallimin mes nesh dhe gjuhëtarëve e megjithatë, marr guximin të propozoj një rrugëzgjidhje. Debat. Pa asnjë paragjykim e mbi të gjitha, pa folklorizëm. Asnjë variant gjuhe s’është i shenjtë. Të gjitha janë të përpunueshme e të debatueshme. Mund t’ju duket klishe propozimi i debatit por, fatkeqësisht, as kjo s’ka ndodhur siç duhet e ku duhet.

 

Klosi News: Dhe së fundi, çfarë do të dëshironit t'ju përcillnit lexuesve dhe dashamirësve tuaj?

Deliu: Porosinë për të lexuar libra. Jeta përndryshe, është tepër e shkurtër.


Klosi News: Ju falemnderit !

Deliu: Falemnderit juve!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00