Fluturim për në Dardani
Një zogth shpirti ngjiti qiellin mori fluturimin për në Dardani.
Nga Remzi Limani
NJË ZË NGUSHËLLIMI
Në rregull! -
vetëm sa desha
të të ngushëlloj zëshëm
sepse
edhe unë
e ndjej thellë mërzinë tënde
ndaj
edhe unë ndjej nevojë
të ngushëllohem me zërin tënd...
përmbahu dhe bëhu e fortë!
FLUTURIM PËR NË DARDANI
Natën e kaluar
nata kishte ngrënë dhëmbët e saj
përtej oqeanit udhëve të lagura
ajo ndjeu sëmbimet e një shpirti
ca therma mbi gjoksin e babait të saj
grahmat e fundit morën krahët
një zogth shpirti ngjiti qiellin
mori fluturimin për në Dardani.
YLLESHA
Një frut qielli ylleshë syqeshur
heshtas shkriu buzëve tua
nuk ka vend tjetër mbi këtë tokë
faqeve tua shuplaka mali
ku vdesin yjet prej qejfi
ndaj, je e ëmbël sa s'bën më
pra, them me kompetencë
nuk ka trup tjetër më të shenjtë
se trupi yt plot pashi të lakmuara
një trup ku bien shkëlqimet e yjeve
dhe, kjo është arsyeja ëmbëlake
e një vendi trup i shenjtë
ku burrat i praktikojnë lutjet
duke u përtokur mrekullive tua
sepse, ti je ylleshë qielli
në ty fshehet një vend i shenjtë...
KANAVACË BOSHE
I tërë qyteti i lindjes
më duket një kanavacë boshe
askund asnjë konturë
udhët e krehura
nuk më bien në sy
asnjë vijë
e tërhequr shuplakave të dorës
për ta kuptuar fallxhoret
fatin e udhëve
syri njeriut nuk e di
cilën udhë ta merr ngrykas
dhe të hiqet terrinës
kah të bartet ngarkuar
me hejbe kuajsh
ditët bëhen kurva
të shtrira trotuareve
netët rrudhen
në një pikë të vetme kërthize
kah të bartem
ngarkuar me lehjet e natës?
Comments (0 posted)
Post your comment