Muzg mërgimi
Mbi syt t’lodhun, dalngadalë, nji tymtajë ndehet... Dielli ka mshehë ballin e gjanë...
Muzg mërgimi
Gasper Pali (1916 - 1942)
Mbi syt t’lodhun, dalngadalë,
nji tymtajë ndehet.
Në dhomë nga çdo anë,
hije burojnë e qasen me hap t’ploshtë.
Dielli ka mshehë ballin e gjanë.
E poshtë
i njellë, zogu zogut, gjumë.
Hije t’hjellta si selvi
më murmurojnë:
- shkëputi syt’ e librat treti,
N’ara dil, si dikur fmi, -
E si n’dhomë hijet u ngjallën,
fantazmat murmuritse
njimij kujtime nga fminia m’falen:
- Muzgjet plot kumbonë
kur ngitshim arash të mblueme nga tymtaja,
n’sa n’qiellë, si syni i jonë,
lshojshim balona. -
Andrrimet tona
kaloshin përtej malit.
E kur dilte hana,
na fmi prej zallit,
balonën, der’hanë, dojshim me e çue.
Sonte, n’sa hijet m’flasin
kërkoj han’n m’e ndesh përsri.
Por hana, ma nuk m’qeshë
si dikur fmi.
O, e kërkoj hanën,
n’sa me ‘i gjysë zanit
me i folun hijeve, që më rrethojnë,
por mbi sy m’asht ndé tymtaja.
Ndjeva se më murmurojnë:
“Eja n’Shkodër, si dikur fmi,
e prep prej zallit
ke me pa hanën kah çohet prej malit. -
- Ikën kush’di - përgjegja - sa prendvera
e sa stuhi shpirtin tim ma rrenuen
sa tash s’pertrihen stint, që dikur m’gzuen!
Qindresa
Luigj Gurakuqi (1879 -1925)
Me gusht shkon vapa, e me djelmni kalojnë
Gjithë përrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne!
Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz m’shkonte jeta, s’m’nepej kurrë m’u ankue
Kurrë zemra s’m’ndjellte zi.
Andrra t’kandshme m’livrojshin nëpër mend
Si flutra pa ja da!
T’lum si vedin nuk njifshe kënd,
Nuk dijshe kurrë me kja.
Zanat tek unë shpesh zdrypshin, e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
I a thojshe kangës me gzim.
Shumë herë te bregu i prronit, mblue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisëshin nymfat, me flokë arit,
E mblidheshin kunorë,
Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë u shtrijshe, e t’etshëm bukurije
Sytë sjellshe rreth e rreth
Rrjedha e ujit përcjellë me fyell të barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin; unë ndejë në prehën të gjithsisë,
Nisëshe nga pak m’u kotë.
Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue luejtë
Shkonte; vetë flejshe..., Engjujt, pa ba zhurmë,
Zdrypëshin nën krehë me m’ruejtë!
Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukura, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.
Oh jeta përnjimend me rrena e vajë
Plot qenka n’këtë botë t’lashtë!
U shuejka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarrmi i bamë me kashtë.
Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vjen kurrë me u ligshtue
Mjerë ai që nuk qindron!
Krijimi i rruzulluimit
Pjetër Bogdani (1625 - 1689)
Parse Qiellja, Dheu, Deti e Zjarmi;
Ishte: kje Zjarrmi, Dheu, Qiellja e Deti;
Ma shempton Qiellja Dhenë, e Detinë Zjarmi
Se kush ish Qiellja, Dheu, Zjarmi, e Deti,
Aty ish Dheu, Qiellja, Deti e Zjarmi;
Dheu Qiellnë mbëlon, e Zjarminë Deti;
Qiellja Deti ende Zjarmi, ishte ende Dhet
Dheu, Zjarmi, ende Qiellja ishte ndë Det.
Mbë Qiell’ nuk ‘ishte, as Yll, as Dielli,
Qi me dritetë vet zbardhen dritë të re,
As Hana delte me dy të rgjanta bri.
As prej qiellshit vinte ndonji Reze për dhe,
As dheu si Shqype nalt ‘qendron, e ri,
As njegullë me shi, as breshen, as Rëfe,
As Deti me Valë epte të madhe gjamë,
As lymenatëº me Breg, ishin zanë. lumenjtë.
Comments (0 posted)
Post your comment