Home | Literature | * * *

* * *

image
Ngriti sytë drejt çatisë prej llamarine që shndriste, e nxehur në përvëlim...

 

 

 

Përkthyer nga Dea J Klosi

 

 

 

 

Slatteri kishte qenë i punësuar dikur në një ushqimore të vogël në Londër. Atij i pëlqente t’iu përsëriste fëmijëve të vet se pa energjinë dhe guximin e tij për nisma të reja, ata do të ishin ende duke u dergjur në rrugicat e qelbura të një qyteti të madh. Por edhe pas njëzet vjet qëndrimi në Afrikë, ai mbetej një cockney i kulluar ; duke u ngulitur, ai nuk kishte pasur në kokë veçse një ide , të fitonte para, dhe ai fitoi, madje shumë. Ishte i vrazhdë, i pistë nga goja, i pamëshirshëm dhe megjithatë, në mënyrën e tij, nuk është se i mungonte zemra, dhe ndonëse nuk pushoi kurrë së binduri ndaj atij instinktit të pathyeshëm që e shtynte të pasurohej gjithnjë e më tepër, ai e shfrytëzonte fermën e tij njëlloj sikur të kishte rrotulluar manivelën e një makinerie parash. Ishte i ashpër me të shoqen, dhe në fillim, i kishte vënë asaj ca detyrime të rënda, me fëmijët ishte treguar gjithashtu i rreptë, deri ditën kur kishte bërë pasuri. E prej atëherë, nuk iu ndalte asgjë, por mbi të gjitha, ishte i egër me bujqërit, me shërbëtorët, pula këta, që i pillnin vezë të arta. Asokohe, këta njerëz të gjorë nuk e mendonin qoftë dhe një çast që të mund të jetohej ndryshe sesa duke pjellur ar për tjetrin ; tani e kanë kuptuar, ose po fillojnë ta kuptojnë… Por Slatteri besonte në nevojshmërinë e drejtimit me shkop të fermës së tij, ky shkop ishte një kamzhik me ç’rast, atë e shihnim të varur përsipër derës së hyrjes si një emblemë, mos kini frikë të vrisni nëse duhet. Vetë ai, një ditë, tejet i nxehur, kishte vrarë një vendas dhe ishte dënuar me një gjobë prej tridhjetë livrash, që prej atëherë, ai kishte mësuar të vetëpërmbahet, por nëse kamzhikët janë tejet të dobishëm për Slatterët dhe sojin e tij, nuk është kështu për ata që nuk e kanë forcën dhe sigurinë e tyre. Ishte Charlie ai, i cili, dikur, kur Dick Turner kishte blerë fermën e vet, i kishte thënë se duhet të pajisej me një kamzhik përpara se me një qerre dhe një lesë, por kamzhiku kishte qenë pa asnjë dobi për Turnerët, përkundrazi, siç dhe do ta shohim më pas.

Slatteri ishte një burrë i shkurtër, rondokop dhe i fuqishëm, me shpatulla të gjera, muskuj të fuqishëm. Syri i tij i vogël shpues xixëllonte në fytyrën e gjerë dhe leshatake, floknaja e shprishur bjonde ishte qethur zero dhe i jepte pamjen e një të burgosuri, por ai nuk merakosej aspak për dukjet. Sytë e tij të vegjël blu ishin pothuaj të padukshëm me atë mënyrën e picërrimit të qepallave pas aq e aq vitesh dielli të fortë Jugafrikan.

* * *

Atëherë, serxhenti do t’i ishte përgjigjur : « Në gjykatë, në ditën e gjyqit, ju do të mund të tregoni gjithçka që ju duket e vërtetë. » Po, kështu do të ishte shprehur ai, a thua se verdikti nuk ishte dhënë tashmë në heshtje, dhjetë minuta më parë, dhe serxhenti mbase do të kishte shtuar : « Dënuar ? Kush po flet për të dënuar ?... Nuk është folur për këtë, më duket. Ju nuk mund ta mohoni faktin që ajo është vrarë nga zezaku, apo jo ? » Ja përse Tony nuk tha asgjë dhe vështroi furgonin e policisë që largohej përmes drurëve. Charlie Slatter vinte nga pas me makinën e tij, shoqëruar nga Dick Turner. Tony rrinte vetëm në mes të lirishtës të zbrazur, përballë shtëpisë së braktisur. Hyri aty me hapa të ngadaltë, i përndjekur nga një imazh që i ishte gdhendur thellë gjatë paradites dhe që e shihte si kyçin e tërë çështjes ; vështrimet e Slatterit dhe serxhentit që ai i kishte kapur ndërsa ata kundronin kufomën tek këmbët e tyre, vështrime pothuaj histerike që shprehnin zemërim dhe tmerr, nuk i shqiteshin për asnjë çast. U ul dhe çoi dorën te koka e cila dukej gati për të shpërthyer, pastaj u ngrit dhe shkoi të kërkojë në një raft tërë pluhur të kuzhinës, një shishkë farmacie që mbante etiketën « Brandy ». Piu ca gllënjka; gjunjët dhe kofshët e tij kishin zënë të dridheshin, ai ndihej i dobët dhe nuk provonte tjetër veç neveri për këtë barakë të vogël të frikshme që dukej se mbyllte ndërmjet katër mureve dhe deri në tullat dhe çimentin e saj tërë tmerrin dhe mallkimet e kësaj vrasjeje. Befas, e ndjeu se nuk mund të rrinte aty, jo, asnjë minutë më tepër.

Ngriti sytë drejt çatisë prej llamarine që shndriste, e nxehur në përvëlim, dhe iu hodhi një sy orendive të zvenitura, pllakave të dyshemesë , ca tulla të pluhurta të mbuluara me lëkura të grisura kafshësh dhe ai u habit që Dick dhe Mary qenë nënshtruar të jetojnë për kaq vite në një vrimë të tillë. Kasollja e vogël e mbuluar me kashtë ku vetë ai kishte jetuar prapa fermës, ishte sigurisht më pak e mjerë. 

 

(Doris Lessing)

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00