Home | Literature | Bukuria e Vdekjes

Bukuria e Vdekjes

image
Gjethet e jaseminit e trëndafilit mbi trup m’i shpërndani

Flokët me temjan m’i lyeni e këmbët me parfum m’i spërkatni...

 

 

 

 

Khalil Gibran

 

 

 

 

1- Thirrja

 

Lermëni të fle, se shpirti me dashuri më është helmuar

E të pushoj lermëni,

se shpirti me ditë e netë më është nginjur

Qirinjtë ndizmëni, e temjanët rreth shtratit m'i digjni

Gjethet e jaseminit e trëndafilit mbi trup m’i shpërndani

Flokët me temjan m’i lyeni e këmbët me parfum m’i spërkatni

Dhe dorë e vdekjes ç’më ka shkruar mbi ballë, lexoni.

 

Në krahët e dremitjes të pushoj, lermëni

se sytë hapur, zgjuar, më janë lodhur

Telargjendta lirë me dridhje shpirtin të ma zbutë.

Telash harpe dhe llaute një vello të më thurni

E zemërvyshkurën me të ma mbështillni butë

 

Këndo të shkuarën,

siç agimin e shpresës në sytë e mi shikoni

domethënia magjike e saj –

një shtrat i butë ku zemra në prehje të jetë

Fshijini lotët miqtë e mi, dhe duart si lule i çoni lart

Agimin përshëndetni, me kurorën e tyre përpjetë,

Si shtyllë drite mes meje e pafundsisë

Nusevdekjen vështro si qëndron

Mbaje frymën e bashkë me mua

shushurimën shenjëdhënëse

të vdekjes krahëbardhë dëgjo.

 

Afromu, e lamtumirën më jep

Sytë me buzë që qeshin m’i prek

Fëmijët me duar e gishta të trëndafiltë

Duart t’m’i mbërthejnë

Lëri pleqtë duar damardukshëm,

mbi kokë t’m’i vendosin, e bekimet të më japin

Virgjëreshat të më afrohen

e hijen e Zotit mbi sy t’ma shikojnë.

Dhe jehonën e vullnetit të Tij dëgjoni,

me frymën time të garojë.

 

 

2- Ngjitja

 

 

Një majë mali kam kapluar 

dhe shpirti në t’paanën kupë liriplotë qiellore fluturon

Larg, shumë larg, shokët e mi, unë jam 

dhe retë kodrat prej syve fshehur m’i kanë

Luginat mbytur nga i heshtjes oqean

Dhe duart e harresës rrugët e shtëpitë kanë mbështjellë

Fushat e lëndinat prapa një tisi të bardhë po zhduken

Si ré pranverore, e verdhë si e qiriut flakë 

E kuqe si muzg.

Kënga e valëve dhe himnet e përrenjve

Shpërndarë, dhe zërat e turmave në heshtje shushatur

E hiç, asgjë nuk dëgjoj, pos së Përjetësisë muzikë.

Në përsosmëri harmonie me të shpirtit dëshirë.

Në bardhësi të plotë mbuluar jam

Në mbrothësi, në paqe, në qetësi.

 

3-Eshtrat 

Nga ky qefin i bardhë më çmbështillni

E me petale jasemini e zambaku më vishni

Trupin prej qivurit të fildishtë ma hiqni

E mbi jastëkë lulesh portokalli të pushojë

Mos më qani, por këngë rinie e gëzimi këndoni

Lot mbi mua mos derdhni,

por për vjeljet e rrushtrydhjet vallëzoni.

Psherëtima agonie mos nxirrni,

pos shenja dashurie e gëzimi

mbi fytyrë me gishtrinj më vizatoni

Qetësinë e ajrit me ligje e requiem mos e trazoni

Lërini zemrat këngën e Jetës së përhershme

me mua të këndojnë

Me veshje të zeza për mua zi mos mbani

Me rroba plotgjyrëshe vishu,

e së bashku të gëzojmë

Me psherëtimë në zemër për largimin tim mos flisni

Sytë i mbyllni e mua në përjetësi mes jush do më shihni.

Mbi një tog gjethesh më vendosni

E mbi shpatullat tuaja miqësore më bartni

Për në pyjet e shkreta ngadalë më dërgoni

Në varrezat plotpërplot mos më çoni 

Prej kërkëllitjes së eshtrave e kafkave

ëndrra të mos tresë

 

Tek qiparisat më çoni

e varrin ndër vjollca e lulëkuqe ma hapni

Që hije kur rriten asgjë nuk u bën

Varrin të thellë ta kem

që eshtrat vërshimet në luginë mos t’m’i nxjerrë.

Nurin tim të gjerë ma lini, që hijet e muzgut të vijnë

E afër meje të rrinë.

Teshat tokësore të gjitha m’i hiqni

e thellë në Tokën Mëmë më vendosni

E mbi gji të sime Nëne me kujdes më lini.

Me dhé të butë më mbuloni,

e çdo grusht i tij me farë jasemini,

zambaku e mersine përzier.

E kur mbi mua të rriten e lulëzojnë

Aromën e zemrës sime në hapësirë do të lëshojnë

Deri edhe diellit të fshehtat e paqes sime t’i zbulojnë

Dhe me flladin e rehatinë udhëtari të lundrojë.

Më lini atëherë, miq, lermëni

dhe me hapa të heshtur largohuni

Si heshtja që luginën e shkretë kalon

Lermëni me Zotin e vetë ngadalë shpërndahuni,

Si flladi i Prillit lulet e bajames e t’mollës davarit.

Tek gëzimet e jetës suaj kthehuni

Atë që vdekja prej meje e jush s’na e heq dot

Atje do të gjeni

 

Me vend largohuni, se ajo që këtu shihni-

Fare larg prej kuptimit të tokësores botë është

Më lini.

 

Shqipëroi: Halit Methasani

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00