Home | Literature | * * *

* * *

image
Një frikë shumë e përhapur është decidofobia, që është frika për të marrë vendime...

 

 

 

 

 

 

« ...Sakrofobia nuk është gjëja më e çuditshme, tha Elvira Kamposi, veçanarisht po të kemi parasysh se jemi në Meksikë dhe se feja këtu ka qenë problem gjithmonë, madje do thosha se të gjithë meksikanët vuajnë, tekefundit, nga sakrofobia. Mendo, për shembull, një nga frikërat klasike, gefidrofobinë. Nga kjo vuajnë shumë njerëz. Ç’është gefidrofobia, tha Huan de Dios Martinesi. Është frika e kalimit të urës. Vërtet, kam njohur dikë, në fakt ishte një fëmijë, që, sa herë kalonte në një urë, kishte frikë se ajo do shembej, prandaj e kalonte me vrap, gjë që ishte ku e ku më e rrezikshme. Është klasike, tha Elvira Kamposi. Një klasike tjetër: klaustrofobia. Frika nga hapësirat e ngushta. Edhe një tjetër: agrofobia. Frika nga hapësirat e gjera. Këto i di, tha Huan de Dios Martinesi. Edhe një klasike: nekrofobia. Frika nga të vdekurit, tha Huan de Dios Martinesi, kam njohur njerëz të atillë. Të punosh në polici është bela e madhe. Është edhe hematofobia, frika nga gjaku. Krejt e vërtetë, tha Huan de Dios Martinesi. Dhe pekatofobia, frik se mos biesh në mëkat. Po ka frikëra që janë edhe më të çuditshme. Për shembull, klinofobia. A e di se ç’është? As që e kam iden, tha Huan de Dios Martinesi. Frika nga shtretërit. A mund të ketë njeriu frikë ose alergji nga shtrati? Posi, ka njerëz të tillë. Por kjo mund të zbutet po të flesh në dysheme ose të mos hysh kurrë në një dhomë gjumi. Pastaj është edhe trikofobia, që është frika nga qimet. Njëçikë si më e ngatërruar, apo jo? Shumë e ngatërruar. Ka raste trikofobie që përfundojnë me vetëvrasje. Është edhe verbofobia, që është frika nga fjalët. Në këtë rast, gjëja më e mirë është heshtja, tha Huan de Dios Martinesi. Është njëçikë më e ngatërruar se aq, sepse fjalët janë kudo, madje edhe brenda heshtjes, që asnjëherë nuk është heshtje e plotë, apo jo? Pastaj është edhe goxha më e përhapur nga sa mund të mendohet. Dhe një tjetër gjer dikur e zakonshme: jatrafobia, që është frika nga mjekët. Ose gjinefobia, që është frika ndaj femrës, dhe kjo e përhapur në Meksikë, ndonëse paraqitet me maska nga më të ndryshmet. A nuk është pak e tepruar kjo?

Asnjë fije: pothuaj të gjithë meksikanët kanë frikë nga femrat. S’di ç’them, tha Huan de Dios Martinesi. Janë pastaj dy lloj frikërash që janë shumë romantike: ombrofobia dhe thallasofobia, që janë, përkatësisht, frika nga shiu dhe frika nga deti. Dhe dy lloje të tjera që gjithashtu kanë diçka romantike: antofobia, që është frika nga lulet, dhe dendrofobia, që është frika nga pemët. Ka meksikanë, por jo se vuajnë të gjithë, mos shkoni aq larg. Çfarë mendoni se është optofobia, tha drejtoresha. Opto, opto, diçka që lidhet me sytë, o Zot, frika nga sytë? Edhe më keq: frika që t’i hapësh sytë. Në një kuptim të figurshëm, kjo i përgjigjet asaj që sapo më thatë për gjinekofobinë.

Por, në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, krijon çrregullime të tmerrshme, humbje ndjenjash, halucinacione pamore dhe dëgjimore dhe një sjellje përgjithësisht agresive. Njoh, jo personalisht, merret vesh, dy raste kur pacienti arrin gjer në vetëgjymtim. Me gishtërinj, me thonj, tha drejtoresha. O Zot i madh, tha Huan de Dios Martinesi.

Kemi pastaj, natyrisht, pedifobinë, që është frika nga fëmijët, dhe balistofobinë, që është frika nga plumbat. Kjo është fobia ime, tha Huan de Dios Martinesi. Po, afërmendsh, tha drejtoresha. Dhe një fobi tjetër, në rritje kjo, tropofobia, që është frika nga ndërrimi i gjendjes ose i vendit. Gjë që mund të rëndohet nëse tropofobia bëhet agirofobi, që është frika nga rrugët ose për të kapërcyer një rrugë. Dhe nuk duhet të harrojmë kromofobinë, që është frika nga ngjyra të caktuara, ose niktofobinë, që është frika nga nata, ose ergofobinë, që është frika për të punuar. Një frikë shumë e përhapur është decidofobia, që është frika për të marrë vendime. Dhe një frikë që ka filluar të përhapet kohët e fundit është antropofobia, që është frika nga njerëzit. Ka indianë që vuajnë nga një formë shumë e theksuar e astrofobisë, që është frika nga fenomenet meteorologjike, si bubullima, rrufeja, vetëtima. Po fobitë më të këqija, për mendimin tim, janë pantofobia, që është frika nga çdo gjë, dhe fobofobia, që është frika nga frikërat e tua. Po t’ju duhej të vuanit nga njëra prej këtyre të dyjave, cilën do zgjidhnit? Fobofobinë, tha Huan de Dios Martinesi. Ka të këqijat e saj, mendojeni mirë, tha drejtoresha.

Midis frikës nga çdo gjë dhe frikës nga frikërat e mia, zgjedh këtë të fundit, mos harroni se jam polic dhe, po të kisha frikë nga çdo gjë, nuk do punoja dot. Veçse, po të keni frikë nga frikërat e tuaja, atëherë jeta e juaj shndërrohet në vëzhgim të vazhdueshēm të frikërave dhe, nëse këto shfaqen, krijohet një sistem që ushqen vetveten. një rreth vicioz, nga i cili nuk del dot, tha drejtoresha. »

 

 - 2666 - Roberto Bolano

 

© Përkthyer nga Bashkim Shehu

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00