Cikël poetik nga Eduart Sulollari
Kurkund erë... Qielli gri lundron si ajsberg i lodhur.
Nga Eduart Sulollari
Ndajnatë...
më vidhet ky muzg
si një rrëke
mes gjinjve te luginës,
si nje mjegull lehone
rrugës te përgjumur.
era,
në krahët e hapur të shkëmbit
përplas velat e ditës.
molit kërcejnë ngjyrat
në vetmine e fushës
acari çvoshk
kallirin e harruar nga vjeshta.
perëndimi,
si një çoban i vjetër
ne vathën e horizontit
rrezet e fundit shtyn.
ca re gri
kullotin ne livadhet e hënës,
ndukin
sisën e Arushës së Madhe.
më vidhet ky muzg
si nje hije rrënacake
mbas takave të holla,
si nje lot i heshtur
buzës që dridhet...
Dimri pa Dimër
Kurkund erë...
Qielli gri
lundron si ajsberg
i lodhur.
Hije dembele
strukur në shkëmbinj
te dhjamosur.
Lumenj
te etur për tu mbarsur,
afshin shuajnë
pas ledhesh të përcëlluara.
Shirat,
të fundin ylber ndjekin
teksa thur ngjyrat
në fluturim.
Lotët e strehëve
dhéun djegin.
Stepen stuhitë...
Heshtur gdhendin statuja
zëri i daltës godet bredhin
mbuluar me dëborën e mocme.
Ky dimër pa dimër
Si nje re e vogël
mbetur pa atdhe.
Ditë peisazhesh të lodhura
Varkat e erës, flakën ndrojen
velat, shkundën mykun e të djeshmes,
por hajmalinë nuk e hoqën
Çadra prej pluhuri
u bëjnë hije gjetheve të pemës
ndanë rrugë,
ku kaloi pëllumbi i bardhë
në sqep i lëkundet dita,
si këmbana e madhe e shënepremtes
Pak qiell mbllaçit
një kafshatë nga reja e kaltër
Fushës,
peisazhet e gjetën kornizën
për pranverën
harruar pranë pirgjeve me borë
Nga kanati i rrëzuar i muzgut
shohim kështjellat e horizontit
tek ndezin heshtur pishtarët.
Ag...
Asgjë,
nuk është ashtu si duket
as ky dimër absurd
as kjo ditë tek ngroh lëkurën
në udhëkryqe
dhe dremitjen gërvisht
në orën
e pushimit të mbasdites
me
corapen e grisur
nga ngrica
shkurti
dyndet rrugëve
kriveci
prej fushe rrëmben kallinjtë e borës
vrapon,
ngazëllen ujërat e liqenit
pulëbardha
luan me zaret e hënës
hedhur
anijes së vjetër
të dimrit
plaku i madh i qiellit
me shkop u bie reve
edhe pak
troku i buajve të natës
në shtegun e agimit të ri
do të gëlltitet.
Comments (0 posted)
Post your comment