Home | Literature | Jam patriot

Jam patriot

image
Rroftë Flamuri nacional shqiptar, kombëtar, kuq e zi me zhgabën madhështore trimërore, dykrenore...

 

 

Mitrush Kuteli

 

 

 

Rroftë Shqipërija!

Rroftë Atdheu kombëtar Shqiptar!

Rroftë Flamuri nacional shqiptar, kombëtar, kuq e zi me zhgabën madhështore trimërore, dykrenore, shqiptare e Lekës, Pirros edhe e Skënderit, që e ngriti Ismail Qemali!

Rrofshin të gjithë dëshmorët edhe heronjtë e kombit që vdiqnë për Mëmëdhenë!

Rroftë! Rroftë! Rroftë!!!

I them këto të gjitha nga fundi i zemrës, i mëlçisë dhe plënxit kombëtar, sepse jam patriot i vërtetë dhe i flaktë si flaka e zjarrit!

I kulluar si llomi!

I pastër si balta!

I drejtë si drapri!

Kurdoherë kam qënë patriot kombëtar i drejtë dhe me qëndrim të pa tundur si shkëmbi. Kam prova sa të doni dhe sa të mos doni.

Betimi im ditë për ditë dhe nat për natë, veçanërisht kur pi raki me meze të mirë (qelepir kombëtar patriotik!) është:

– Për Flamur!

– Për Shqipëri!

– Për kokën e Skënderbeut!

– Më vraftë palla e Skënderbeut!

– Hëngsha eshtrat e Skënderbeut!

Veçanërisht këtë të fundit që është shumë i fortë se vetëm qentë hanë eshtra, e përdor më dendur. Jam kryenaltë se jam Ilir dhe se Leka i Madh zaptovi botën, vajti në Hindi… Po ta lemë Lekën e Madh dhe Pirron e të vijmë më këndej ne Skënderbeu që ish fatos mbi fatosa e që bëri armikun të dridhej (më qafsh, shtjemë një gotë raki dhe afroji ata kukurecë kombëtarë se qënkan pjekur mirë!)

Kështu pra unë jam gati të vdes për Shqipëri, të vdes për Flamurë me zhgabën trimërore dykrenore arbënore e cila duhet t’u nxjerrë sytë gjithë tradhëtorëve të poshtër dhe rezilëve që s’pinë raki, raki rrushi pa ujë e që s’hanë kukurec kombëtar të pjekur në hell!

          Sa të mbaroj këtë shishe raki jam gati të nisem e të vdes për Shqipëri në luftë kundra armikut shekullor, si kam vdekur e njëzet a tridhjet herë të tjera, dhe kur të kthehem që andej të më dyfishoni pensionin patriotik se pata derdhur gjakun si lumë për Atdhe.

– Më pyet në kam qënë fashist e në mora para nga Italija?

– Isha edhe mora! 

Po këto i bëra si patriot kreshnik e fisnik se i gënjeva italianët. Qëllimi im ka qënë që t’ia mbaroj paratë Duçes edhe ta bëjë fukara Italinë edhe pastaj Shqipërija ta zaptojë Italinë si bëri Pirrua i Madh edhe mua të më madhohet pensioni patriotik kombëtar!

Unë kam thirrur në mes të kafenesë: Rroftë Flamuri dy-krenor me dy zhaba, me tri, me pesë…

Po të më çani zemrën me sëpatat e Liktorit do gjeni brenda Flamurin dy-krenor të Skënderbeut.

Për kaqë vepra patriotike të pavdekshme e për kaq thirrje Rroftë Shqipërija sa m’u ngjyr zëri nuk po i kërkoj Atdheut përveç se të ma paguajë pensionin në ar rregullisht, sepse karta po bëhet batall. Dua të më lejojë përveç kësaj të marr çdo mot të dhjetat  e dy tre katundeve ku ka vreshta që të pi raki e të ha kukurec patriotik.

Çmimin e të dhjetave duhet të ma falë Shteti sepse jam patriot kombëtar edhe betohem për kokën e Skënderbeut.

E në ma falka mua këtë copë të dhjetë, a mos përmbyset bota? Vetëm kaqë gjë i kërkoj unë Shqipërisë sepse kam djegur plënxin me raki dhe jam ngjyrur duke thirrur se do bije theror në fushën e nderit ku flamuri i Skënderit valon si trim me fletë (më qafsh afromë shishen se u mërzita me këto gotat e vogla!)

Rroftë Shqipërija!

Rrofshin patriotët kombëtarë kreshnikë nacionalë!

Rrofshin dëshmorët që u bënë therror për Shqipëri!

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00