Home | Literature | Ars Amatoria

Ars Amatoria

image
Nga skajet te skajet, që dinë të qeshin e qajnë

si një kujtim yni – legjendë, këngë apo mit –

që pritet të thotë nëse siguria dhe pasiguria...

 

 

 

 

Nga Gazmend Krasniqi

 

 

Orë Estetike

 

Nëse shtëpia prej dielli e shiu

ngrihet, siç bënte dikur Sezani,

me kon, cilindër e sferë,

nuk shkon Realja në krizë;

vjen të pijë Ylberi i Bukurisë,

të rrëmojë në grushtet miqësore 

Amshimin dhe Mosqenien;

të bëhesh ti Realja – trajtë 

gati e dielltë, lulemimozë, e parë

nga ballkoni i ditës me shi;

të mos ecim, të mos flasim: kohën

mes dy stacionesh të brishta kozmike

ta mbushë kjo orë estetike.

 

Karrigia

 

Kur flasim në familje për mobiliet e vjetra, 

karrigia shikon në ëndërr një vullkan. 

Në zhgjëndërr mund t’i pëlqejë baroku: janë

në modë edhe e befta, e mprehta e drama.

Kur më merr për Platonin, shkon pak shtrembër:

ndoshta në kujtesën e saj Njëshi i bie murit 

të ndijimeve të mia, ku unë vë shpatullat,

kur ajo pret një vjershë lavdie: ose të triumfojnë

e Drejta dhe e Mira, qoftë në formë katrori

a rrethi, ose t’arrij të kërkoj me dalë 

nga ky thes Bukurie – libër i hapur anë për anë

për sytë e mbyllur. Ndoshta mbijnë në të 

Librat e Njohjes. Ndoshta lexon tek unë

se lind secili me drurin e vet, Pinokun 

e habive, që pret ta marrë përdore Zana 

që lodhet nga mobiliet e vjetra.

 

Ars Amatoria

 

Ke fjetur një jetë në djepin e parehatshëm të ritmit

që me doçka bebeje përpiqet të mbajë 

historinë në vetën e parë shumës,

ke fjetur mbi gurin e ftohtë të një fjale të panjohur

dhe ke parë ëndrra që s’trembin njeri,

je zgjuar nga gozhda e rimës dhe gozhda

e puqjes së dy fjalëve pas dymijë vjetësh

dhe veten e ke gjetur në këmbë të malit

si gur që era sulej ta thërrmonte 

siç bën sa herë me materien. Poetë të tjerë 

i çuan gratë e veta në Olimp, këtu, në një muaj

midis shkurtit e marsit, ti prishe gjithato palë këpucë

me mua: dikush që tha se ky s’është realiteti,

trenat që brenda nesh i shpëtuam nga përplasja

e humbën tej në horizontin e lëvizshëm, me pluhur,

na kanë mbyllur në tokën ku tingulli

bashkohet me fjalën. Po të mos kishim qenë 

një herë poshtë kapakut të pianos, 

një herë tjetër brenda motorit të gjinkallës,

nuk do t’i dinim gjithë këto. Po të mos i kishim

ditur gjithë këto, nuk do të hidheshim 

nga skajet te skajet, që dinë të qeshin e qajnë

si një kujtim yni – legjendë, këngë apo mit –

që pritet të thotë nëse siguria dhe pasiguria

janë çështje e hapur, si muzë dhe flijim,

si ditë e parë e botës, si intonimi i frigoriferit

me notën shpërfillëse të erës, si fraza që s’pyet 

kur bie pingul në aromën e mprehtë të gatimit: 

dashuria është zanati i atyre që s’njohin frikën.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00