Endesha i vetëm, si një re
Zambakë të bardhë e të artë. Buzë liqenit, kishin mbirë vetë E në fllad, valëviteshin lehtë...
Udha që nuk mora
Robert Frost
Dy shtigje ndaheshin në një pyll të gjelbër,
Por unë, të dyja nuk mund t'i përshkoja
Duke qenë një i vetëm. Dhe, s'isha i verbër:
Ndiqja njërin me sy, me ankth në zemër,
Deri ku humbiste, me vëmendje vështroja.
Ndoshta ishte njësoj, por mora tjetrin shteg;
Më rrallë se shtegu i parë ish përshkuar,
Se në tokë qenë thyer më pak degë;
Por këmba, gjurmët e të tjerëve më prek
Që në këtë udhë, më parë kanë kaluar.
Dy shtigjet sikur më kishin zënë pritë;
Isha për rrugë, s'kisha kohë të prehesha;
Të parin e lashë për një tjetër ditë.
Por, s'e dija nëse më vonë, ndonjë vit,
Te shtegu i parë do të kthehesha.
Tani, më ka mbetur peng e merak,
E me zor më përmbahet trishtimi:
Dy shtigje ishin në një pyll diku, larg;
Unë mora shtegun e shkelur më pak,
E prej saj erdhi i gjithë ndryshimi...
Endesha i vetëm, si një re
William Wordsworth
Përherë i vetëm endesha unë,
Si një re që lundron lart;
Kur, papritur, sytë më zunë,
Zambakë të bardhë e të artë.
Buzë liqenit, kishin mbirë vetë
E në fllad, valëviteshin lehtë.
Një hark i gjatë, i bukur, si yjet
Në Rrugën e Qumështit, rresht;
Në dy ngjyra bregu lyhet,
Kur flet natyra, njeriu hesht.
Mijëra zambakë, me një vështrim
Pashë, që tundin kokat në vallëzim.
Valët e liqenit duke valëzuar,
Zambakët lëkundeshin më fort,
Zemra e poetit hovte e gëzuar,
Dhe sytë i mbusheshin me lot.
Vështroja, pa kuptuar, në admirim,
Sa i pasur ishte bërë shpirti im.
Shpesh herë, në shoqërinë e yjeve,
Me orë qëndroj, rënë në mendime;
Më shfaqen zambakët para syve,
Si një ngushëllim për vetminë time.
Atëherë, zemra, merr prapë jetë,
Me zambakët që kishin mbirë vetë...
Pika e vesës dhe diamanti
Robert Graves
Ndryshimin mes asaj dhe mes teje,
(atë pëlqeja, por e mbaja brenda meje),
Tani e kam mjaft të lehtë për ta parë:
Ajo fekste si diamanti në mëngjes;
Kurse ti ndriçoje si një pikë vesë
Mbi petalen e trëndafilit me të kuq larë.
Pika e freskët e vesës në sy mbart
Malin, pyllin, detin, qiellin e qartë;
Edhe motin e keq, kur ndërron papritur;
Përkundrazi, diamanti pamjen e ndan
Në copa të vogla, ku secila diçka mban;
T'i mbledhë bashkë, askush s'ka arritur.
"Kur buza puthjen e gënjente", përktheu: Rudi Bobrati
Comments (0 posted)
Post your comment