Pranverë!
S´kam prekun blerim qyshë se kam lanun Jugun...
* * *
Martin Camaj
Pranverë, sa i bukur pushimi
para syve tu të zgjuem.
S´kam prekun blerim
qyshë se kam lanun Jugun.
(Mbrenda parzmit tem
fluturojnë mija dallndyshash në kthim.)
Toka s´më njeh tue dalë prej borës
dhe kambët e mija npër të
janë të hueja.
* * *
Esat Mekuli
Shushuritja e leht’ e t’panjohtunit më treti fare
dhe agime t’kaltërta andrrova...
E nëpër kunor lakmish për ‘limtare-
si lulja q’i jep qiellit lulzimin,
rinin ja dhurova.
Shkëlqyen yjet e qiellit si syt e tijë
të thellë dhe të ndritshm
dhe u shafit nën te e kërthnezta fuqi...
-Sonte shushuritja e leht’e t’panjohtunit
më treti fare
dhe agimet e kaltërta andrrova .
* * *
Migjeni
Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije... jo! - por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit' e saj me kreni
shpërtheheshin n'aromë,
kur ish e njomë -
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall' e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qytetit tonë.
Comments (0 posted)
Post your comment