Home | Literature | Cikël poetik nga Eliverta Kanina

Cikël poetik nga Eliverta Kanina

image
Mos më ngri përmendore se s’më duhet

Veç një pemë ku fëshfërijnë ca gjethe...

 

 

 

 

Nga Eliverta Kanina

 

 




PUBLICITET

 

Në lagjen time bëhen shërbime 

Turlisoj tabelash e reklamash: 

Larje e përkujdesje bebesh

Larje e lyerje flokësh

Larje e regjie lëkurësh

Larje e printim fotosh 

Larje e servis makinash 

Larje e mirmbajtje shtëpish 

Larje e këndim truri(shpërlarje magjish)

Larje e pjekje peshqish

Larje e shitje perimesh

Larje e pastrim kimik 

Larje kufomash...

E ndotura lagjia ime

Një cikël të plotë jete 

Përpiqet të mbajë pastër...

 

 

BABUSHIT

 

Rreth e rrotull teje

Fëmijët, që të vegjëlit e tu mbetën

Dëshmi e rritjes së tyre

Nipër e mbesa...

Të krenojnë me rritjen

Të ushqejnë buzëqeshjen

Të justifikojnë thinjën, rrudhën

Nuk të lenë që të shkosh 

Pa dashje, ekzistenca e tyre

Ta bën më të lehtë udhën...

Trashet trungu, shtohen degët

Syth të rinj çelën

Harlisur filizat në qiell, prekin retë

Ndërsa milingonat e krimbat të zgavrojnë

Ta boshojnë brendinë me jetë...

Në dhé a në qiell nuk di nga t'ia mbash 

Të gërryen frika prej plaku

Për një çast bëhesh me krahë

Bie pulsi, të ngrin gjaku

Të shkërmoq dilema...

Fëmijë, nipër e mbesa

Zogj që venë e vijnë te pema

Si të rritur

E vuajnë plakjen tënde

Nuk ta falin ikjen, s'ia falin as vetes

Më i vogli mes tyre, që kërkon vëmendjen

Je ti

Duke iu llastuar vdekjes...

 

 

LIBRI NUK E KA FAJIN

 

Një lule i gëzohet vetes, mes dëborës

Ndërsa ngricat ia premtojnë vyshkjen e shpejtë

Një grua, një libër, i mbijetojnë ngricës

Me një diell të shtirur, mbyllet kjo javë

Mes fëmijëve të mi dhe të botës

U strapacova për të dhënë më të mirën

Më të bukurën nga vetja e shfaqa

Të pamundurën bëra të ndihem gjallë, një zog

Indiferenca përreth mi lagu pendët, sytë

Reshjet në shpirt më mjegulluan

U rëndova, u lëndova! 

Anullova fluturimin drejt qiejve

Ku dashamirësit e librit tim ma kishin prerë biletën...

Kur familjarët më pyetën: si dukesh?

Si ndjehesha ishte tjetër gjë tek unë

Isha një pemë me fruta plot lëng, shije e aromë

Që të hidhura atyre u bëheshin në gojë

Unë s'munda të jem ndryshe

As u përpoqa të dukem siç donin...

Gatova për fëmijët gjithçka u pëlqente

Pasi nxorra rrobat nga lavatriçja, i ndera

Përtypa një hurdhër të njomë me pak bukë e djathë

Në këmbë, duke ndjekur një program në TV

Në pritje, të laja enët e darkës

Ditës së djersitur i bëra një dush

Me rroba të pastra çova veten për të fjetur

Puthjen e rutinës im shoq nuk ma dha

Se nuk mund të ma falte aromën e hurdhrës

Shpinëkthyer, pas një ëndrre me puthje më zu gjumi

E puthur u zgjova

Me një titull të ri libri e nisa ditën...

 

 

NËNË

 

Është ajo që është, edhe kur nuk është

Është borxhi që i mbetemi peng jetës

Mëkimi që u jepet pa kushte fëmijëve 

Refreni drejt majës dhe tatëpjetës.

Është bija, gruaja, vjehrra dhe nusja

Barku i butë, prehëri- vatër 

Dora mbi ballë, puthja te gusha 

Ninulla që zgjon ëndrrat më të bukura.

Kur pranë i shkojmë në emër të mallit 

Gjirit të ngrohtë, mermerit të ftohtë 

Faqen mbështesim pa dallim 

Njësoj na laget nga lotët.

Njësoj është nëna 

Nënë, në të gjitha botët...

 

 

NË PASQYRË ME KOHËN

 

Kohë kopjuesish e pseudosh!

Jemi bërë të gjithë njësoj 

Humbasim në turmë

Shndërrohemi pa zhurmë 

Askush sot s'ka mbetur 

I pazëvendësueshëm. 

Nuk e di ta shpjegoj

Se natyra njerëzore

Se koha që jetojmë 

Se teknologjia

Ia gjen sozinë a të ngjashmin e vet

Gjithkujt, kaq shpejt...

Madje edhe atë që do

Atë që të urren 

Pa i humbur mirë 

I rigjen

Ndaj s'mbesim kurrë 

Pa të dashur, miq, armiq 

Që s'janë cilësi e dikurshme 

Por janë!

S'ka rëndësi të qenurit por dukja

Numra për tu deklaruar si qenësi 

Vendet asnjëherë s'mbeten bosh 

Shumfishim i pakuptimtë!

 

Kohë mungesash të shumta! 

Që trishtimin e mungesave s'dimë ta shprehim 

Duam të ndryshojmë të tjerët si ne 

Kur s'po dimë më as veten 

Çfarë bëjmë? Cilët jemi?

Ndihemi të hutuar si pula 

Jemi bërë lehtësisht të kopjueshëm

Apo frika e fshirjes nga lista, na ul tulla?

Ky klonim i përciptë më tremb 

Pse më duhen kaq shumë si vetja 

Kur veten e vërtetë, humba

Për trend?

 

Kohë ekspresesh!

Kafenë ta shijoj si të tillë

Për gjë tjetër mos më nxit

Mos prit të tjetërsohem 

Të shijoj siç dua, kam limite e masë 

Nuk rend ti bëhem askujt mungesë!

Për atë që qesh, qaj, vuaj e flas 

Nëse nuk gjej dikë 

Që ikjes time ti shkojë nga pas...

 

TESTAMENT

 

Kur të vdes s’dua varr të mermertë

Mbulomë me guvertë të butë prej bari

Me vesë të më lajë mëkatet Zoti

Kur shpirtin për në qiell të ma marri!

 

Mos më mbill pranë një qiparisi

Më ka mundur hijeshia e tij për së gjalli

Heshtja e tij melankolike më lodh

S’duroj të më bëjë isharet as te varri.

 

Mos më ngri përmendore se s’më duhet

Veç një pemë ku fëshfërijnë ca gjethe

Të më mbajë me hakikat për ty

Të më rrëfejë nga lart, erdhe a s’erdhe…

 

Mos më mbaj fjalime tërkuzë pa shije

Që të gjithë i dinë e i thonë në kor

Ngjyeji fjalët me nostalgjinë e kujtimeve të bukura

Nëse s’je, mos tento të mallëngjehesh me zor.

 

Nëse s’i bën njerëzit të ndajnë dhimbjen me ty

Të paktën prej tyre mos ndihesh tallur dhe bosh

Ndryshe nuk më duhen funeralët fallco

Në vend të njerëzve më sill një tufë zogjsh.

 

Një pemë me zogj më duhet mbi vete

Të përgjoj kur për qiellin rrëfehen ciu-ciu

Të marr vesh si duhen e ç’duhen zogjtë

Ndoshta kuptoj të ngjashmen tek njeriu.

 

Të kem prej zogu dua, krahët, shtegtimin, qiellin

Një jetë të dytë të kem, ta këndoj si një zog

Me pafajsinë e tij përqark ti bie botës

Për gjithçka që si njeri s’e bëra dot.

 

Nëse më parë nga mua, të mund ty vdekja

Mos prit, as mos kërko të jem në funeral

Unë s’jam aq e zonja të të dua të vdekur

Kaq shumë sa të dua të gjallë!

 

 © Eliverta Kanina

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00