Cikël poetik nga Shkëlqim Çela
Atdheu vjen si mundësi e së shkuarës, Pamundësi e së tashmes Që është mundësi të ardhmesh të pamundura.
Nga Shkëlqim Çela *
Rruga e Pishës së Vetmuar
Mes pyjeve halore në Karolinë të Jugut
Nga Udha 125 degëzon
Rruga e Pishës së Vetmuar.
Kam një si frikë fëmije prej errësirës,
Është ende ditë, por shkretë këtu,
Sinjal s’kap celulari,
Rrëmbimin nga jashtëtokësorët
Ta sjellin pranë ca shtylla
Të holla, të holla, perona
Me majat humbur në qiell.
Është bukur këtu
Sa kohë pasiguria s’është pjekur në rrezik
E ky si grabitqar përgjon
Në hamendjet e tua,
Gjer ia beh ajo
Rruga e Pishës së Vetmuar
Në mes të pyllit me halorë detarë,
Dhe ti rrënqethesh nga tmerr i bukur,
I vetmisë në pyllin e të ngjashmëve.
Atdheu nga ajri
Rrafshulta me rraqe të flakura ujërash -
A po vijnë t’i marrin tregëtarë ambulantë rrobash të përdorura?
Nuk iu pëlqyen, i lanë aty,
Zhveshin mëngët e palltove rrjedha të tjera,
I hedhin mbi stava kodrinash,
A ka akoma palcë ky vend i gërryer?
Prapavija e rëndë e maleve vjen me vrenjtje tanku,
Aty është shpresa, dhe pse të zbrazur,
Ka mbetur, thua, një farë e një fisi në shpellat
Ku nuk arrin përmbytja.
Atdheu vjen si mundësi e së shkuarës,
Pamundësi e së tashmes
Që është mundësi të ardhmesh të pamundura.
Pas Mauthausenit
Kërkova blu nëpër qiell e Danub.
Ferra, transhe, ujë pellgjesh me okside hekuri, brisqe (Gillette) me shkumë pis nga gjaku dhe presje qimesh nëpër tekstin e shkumës; frikëra vegjëlie me ndryshk tetanozi, pus për rast lufte dhe qen vetullverdhë në pragje armiqësorë gjitonësh, filli i frikës, spango ariane tërheq balonën e fëminisë:
Të rrëgjon Mauthauseni,
ujin e burrit ta thith,
gur mbi sfungjere të gjoksit,
kohë negative, regresion gjarpërinjsh,
të bën embrion me ankthe çizmesh që afrohen
në rrugicat e rropullive të mëmës,
trok mongol në luginat e placentës, persë dhe ters
në qafat e mitrës,
të çon në origjinat e frikës me luspa të ftohta thonjsh të hekurt,
eksoskeletet vrasin shpatullat e qenies para se të bëhen vertebra frike fshehur nën mish e lëkurë.
Klaudias që na bënte shoqëri i ra një hije
gardianeje të hekurt:
simetria e heshtjes në jakë
këmbana mëngjesi në tëmthat qull me gjumë,
cergë merimange mbi sy,
gërma gotike me plagë sqepari shqyenin qepenë,
SS mbi fjalën “Strasse”,
Gast hausen,
Ein Schnitzel krematoriumi, bitte ,
Klaudia, flokët dhe bari, ballkonet, mullagat - gjithë
bardh’ e zi, TV daltonik me film depresioni,
një leckë çimentoje fshin dyshemetë e retinës nga lëngjet e ngjyrave.
Është një grua kokërruar, uniformë vija-vija që fshin dhe shtrydh në kovë ngjyrat e mia.
Diçka nuk kisha në duar ose në shpirt,
mungesë nuk ish se mungesë do të thotë shpresë
për rimbushje pellgu në stinën ardhëse,
një s’kam e mjerë, një s’do të kem fatale,
një s’pata që afrohej me turra drushë e logo latine,
në të gjitha kohët dhe këngët,
iso e kthyer mbrapsht në grahmë vdekjeje,
nje tel i këputur lahute
si fëmijë i vetëm, gati për gjamë
ose gjëmë
varësisht gjërësisë gjeografike dhe ngushtësisë së pamjes
nga frengji brinjë-hekurta muresh me gurë,
një s’paçë e vjetër që afrohej me kapanone të errët,
me mbeçë, more shokë, mbeçë
burrash të tribusë sime,
pa rruar në faqe,
rruar në kokë,
rimë e frikësuar si gëzof i fshehur – plaç,
ç’nuk kisha ashtu që m’i zbrazte rropullitë e paemër?
Ngjyrat e botës, me siguri, rrëgjuar në gri,
s’i kisha, s’i paçë, s’paç
e dritë s’më bënte syri, jo nga trimëri e paepur,
vendosmëria,
por nga një tmerr i butë si krimb i një shiu pa fund
që brente ç’kish mbetur mes mushkërive të mia.
S’paç, thashë me vete, i vobektë, i mjerë
pas vizitës pishmane
në Austrinë e Sipërme.
Treg fshatar
Vjelim proverbat e stinës
në kosha xunkthi të mëdhenj,
i godasim me shkop
si ullinjtë,
dhe si tregun, ta zgjojmë,
për shalqinjtë,
prodhimi ka qenë kaq i mbarë,
një fëmijë i mirë,
s’ka pse rrugën zapton
me zetorë të lodhur nga ndryshku.
Fshatarë të urtë prodhojnë fjalë të urta
në fushat me rreshta të gjera, optimale
prej agronomësh Kamze,
metateza jonë e kazmës,
patllixhanë mençurie të rrallë
ku vjollca u pleks me zhizhingën,
fshatarë të uritur bëjnë fjalë të urëta,
lidhëse brigjesh,
karro gërnjare
me ankimime zorrësh të thata,
(një pikë vaj
të mos vajtojë rrota,)
fjalë hamullore
kalben në shiun mbarues të vitit,
vraje trurin, ai i ka fajet,
mos e mbro,
urtësi njëpërdorimëshe
prej gote letre dhe pjate pikniku,
pirunë plastikë, një qarje me oi peshqirësh,
shuku i letër-pecetës mori me lyrën
gjithë rrudhat e buzëve, sëkëlldinë,
shesin hudhra për sy e vampirë,
fjalë serrash, jashtë stine,
turshi lakrash të çliruara nga burgu
si tru arratisur nga tirani e kafkës,
fiq të hershëm çmerisin emigrantin e vendeve të ftohta
me toka acide,
lëpjeta për gjumë e lumturi,
oshafe romanesh
prej Foqion Postoli,
pazi për vajzat e rëna në dashurira zarare,
vajza me substancë pas zjerjes në xhezve,
vajza tokash kalkare.
“Fjala, qingji dhe goca e urtë
të ngrohin si hir’ i mangallit në shkurt.”
Proverbat u poqën
në sqetulla të parruara
nënash dyshe
(ne jemi dy shqiponja, rumti rumti rumti rumta…)
dhe mareshë me zjarr të rrëmbyer
e raki impotente mustaqesh,
jemi komb dëllinje, me zjarr të rrëmbyer
dhe shpirto të mbaruar,
ankohu për diçka, mos rri kot,
“Laraskë pa bisht, gocë pa burrë dhe përrua pa det
nuk mbet,”
përroin e shtova vetë
se kam fituar lirinë e fjalës,
të proverbit plastik
njëpërdorimësh
për piknik…
Në oborrin tim prapë ferra me zgavër
josh për strofkull e mëllenja dimri,
një ferrë që nuk vdes edhe i di të gjitha.
* Çmimi “Kadare”, 2016.
Comments (0 posted)
Post your comment