Kosovës
Kosovë, o vendi i famshëm i trimniis Kosovë, o lule e bukur e Shqipniis Ti bjeshkat plot viollca reth i ke...
Asdreni
Kosovë, o vendi i famshëm i trimniis
Kosovë, o lule e bukur e Shqipniis
Ti bjeshkat plot viollca reth i ke
Si vash’ e virgjën, nuse sikur je
Dhe malet me boor
Mi krye i ke kunoor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrniis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumeliis
Nalt mbaje kryet t’ande si gjithëmoon
Difto-u e zonja, koha sot e don
Ti t’çohesh përsëri
N’luft t’mbarë për liri!
Se teje, të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burrat ti q’i leen, t’gjat si selvija
Sokola mali, shoq në bot’ që s’kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë
Që e derdhin gjakun prrue
Atdhen për m’e pështue!
Ke bij që s’kanë drojë as një pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtësii
Si breshni mi dhe të hidhen me duhii
Sa bije e krye ngreh
Por eshtnat dheut i le.
Gra e vasha ke, si zana sy-mbëdha
Trimnesha, qi Shqypnia din me i ba
Që rrokin armët në luft’me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për ndeer të shtëpiis s’vet
E falin shpirt e jet’!
Te toka jote aqë luftna janë ba
Ku trimat preknin dekën pa me qa
Kur nana e motra lott derthnin pa pra
Ata me gjakun dheun e kan’ la
Si di Shqyptari n’jet
M’e ba detyrën e vet!
Kosovë o trimneshë, lul’ e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot në ballë
Se mbrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kan robnue
Dhe n’zjarm e kan prue!
A mund m’e e durue pa pra kët zgjedhe
Që të huejt para syve t’venë ledhe
Për me t’rëzue nër kamb’e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë s’ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Ku jeni pra ju burra, ju luftarë
Kosovarë, o të vlershmit ushtarë
Qi keni për tan’ botën luftue gjithmoon
Nër dejt vall gjaku ma nuk ju vlon
Pak ju me u përment
Për votër e për vent!
Nuk shifni rotull jush, Grek e Bullgar
I flliquni Serbian, Sllav e barbar
Kosovën si e mbajn nën kamb t’tyne nën themrë
Si ja çpojnë syt’ e faqet e deri n’zemrë
Duen emnin me ja çdukë
Me dekë pa ujë e pa bukë!
Disa „Serbi e vjetër” duen me i thanë
„Maqedhoni” do t’jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufinitë i venë
Shqipnija veç mas dojes s’tyne me kjenë
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqyptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej ziis pështonie Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb e duur
Q’anmiqt e kan vorue me dhe e me guur
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk e ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’e fee
Po nanën ju kujtoni qi’u ka lee
Qi ka mbet fill vetum si gru e ve
Prej bijvet e harueme mi kët dhee!
Se asht turp i math për ju
Të huejt me i çnderu!
Sot ora mbrini dita e bekume
Shqypniin m’e ba në bot’ nji vend t’lirume
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botësd sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue nji Shqypnii
Si zonjë në lumënii!
Shqyptarë çoni-u vllazën, ora mbrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini
Në Manastir, Shkup, Shkodrë e Janinë
Nji trup bani-e an’ e mb’an’ Shqypninë
Siç trimit i mirë i prek
Me nder luftës me dek!
(Poezi e botuar në gazetën "Kosova” të Konstancës në Rumani, në vitin 1932. E gjeti dhe daktilografoi: Baki Ymeri.)
Comments (0 posted)
Post your comment