Cikël poetik nga Pranvera Gjoni
Heshtim, heshtim pambarim, si mumje të ballsamosura shekujsh...
Nga Pranvera Gjoni
Prozë e Papërfunduar Arbërore...
Heshtim, sepse jemi inferiorë!
Sepse kemi një guidë diplomatike inferiore.
Sepse jemi të shtypur deri në kockë, historikisht.
Heshtim sepse jemi ngurtësuar, ç’ burrëruar...
dhe humanizmi,
e drejta e jetës ka rënë nën nivelin zero të rezistencës.
Heshtim, se jemi të friksuar të kërkojmë të drejtë.
Ndoshta jemi aq të shkelur në qelb
sa s’ mund të ngrejmë kokë.
Heshtim, dhe lutemi mjerisht:
- mos më ndodhtë mortja mua.
Heshtim, heshtim pambarim,
si mumje të ballsamosura shekujsh,
që akoma s’është ngjizur zëri i lirisë,
vërtetësisë, drejtësisë...
Heshtim, se vijmë nga rrënjë të kalbura...
dhe frymojmë të njëjtën kalbësirë,
pajtuar në falje gjaçesh, pa gjygj...!
Busull e Thyer
Rrugëve të kombit
zvarriten parulla të vdekura,
që emetojnë segmente uligantësh
babëzisë dekadente...
Ngjyrat e fjetura
përzihen belbëzimesh,
e rikthehen gjumit opiumizues
duke përtypur sintezat
syzeve të thyera të progresit...
Erërat e projektuara,
zigzagojnë në errësirën oqeanike
e përrenjtë regresiv
dalin nga shtrati,
duke shtuar llum
asfaltimeve të rréme...
Hipërbolizuar publicitetit
të njëthundrakëve,
pa këngë vizioni,
e pa recitime horizontesh,
mbytur muzgjeve
të perëndimeve pa kthim...
Ndërrimi i moteve,
s’kapërcen dot ylberin
për të ndryshuar kursin e marrë
që prodhon mjerim,
flakë e dallgë...!
Hartës së kombit,
parakalojnë dështakët
me flamur të zi veshur,
duke fashitur çdo gjë të përkorë,
duke thërrmuar çdo bio- ëndërr...
Verbëri...
Një shtet që burgosë poetët e vet,
piktorët e vet,
intelektualët e vet
vizionarët e vet,
ajkën e popullit të vet...
A i thuhet shtet?
A duhet të jetë shtet?
A monstër që shqyen çdo ezofag,
kur mbytë vlerat
për të triumfuar inferioriteti i vet...
E fatkeqësisht këtë vrastar- ferrshtet
shoh që e kërkojnë qorrazi në varreza.
Për t’i bërë përsëritshëm mbretër...
Të dashuroni dhunuesin tuaj,
sublimisht jeni të mjerë...!
Fakt i Përkryer
Kam fakt të kryer,
parë me sytë e mi,
prekë me shpirtin tim..
Ringjallja si frymë perëndish
shpartalloj komën,
e zgjoj Obeliskun
pas muajsh në gjumë...
Kam fakt o njerëz të mirë!
Zoti është pushteti i vetëm sublim
që mëkoi me frymën e Tij
Ripërtëritjen...
Kam fakt të paparagjykuar,
gravuar në shtatë dimensione,
se i Madhi është Tempulli i virgjër
që rikthej buzëqeshjet e vdekura
në lotë kalorsiakë
që fluturojnë diametrit të kontinenteve...
Kam fakt Biblik,
kurrë të përsëritur në gjysëm shekull.
Obelisku u rizgjua!
Obelisku vrau vdekjen!
Belgjikë, 1 prill 2018
Comments (0 posted)
Post your comment