Home | Literature | Kronos*

Kronos*

image
Me qenë si hâna!
Gjysëm me u pa.
A drapën me u bâ.

E t'tanë e dinë se asht' e plotë.

 

 

 

 

 

 

 

Nga Nurie Emrullai *


 


Kronos *

Ne të humburit e parajsës,
Parajsën kërkojmë
Nëpër kafene të mbushura me vdekatarë,
Me mëkatarë si ne,
me fytyra që lehtë atë e fitojnë.

Mendojmë se e gjetëm (më në fund!)
Kur biem mbi krahë që s'na mbajnë
Kur biem mbi krahë qe na rëndojnë.

Endemi
Nëpër rrugë boshe,
t'pashtruara,
Të thata,
Të mbushura me jashtqitje qensh,
gjithashtu kanë humbur rrugën se për ku?!

Nëpër ato qoshe
Kërkojmë mos na zënë sytë
një shenjë,

E MARRTË DREQI!

të na tregojë për një parajsë
që sa vite po rendim pas saj.

Ne të humburit e parajsës
shkrihemi pas hënës.

Diellit.

Pas hënës prapë.

(pas ndonjë ylli, që këputet, PËR NE!)
Presim pranvera

Dimra.
Njerëz nuk presim,
Përcjellim!

Dhe i çojmë (TË GJITHË) në parajsën e humbur.
Në radhë për të shkuar dhe vetë...

*Kronos - Kohës


Hana

Me qenë si hâna!
Gjysëm me u pa.
A drapën me u bâ.
E t'tanë e dinë se asht' e plotë. 


Për gjyshen dhe nanën dhe mue

(Evat dhe Havat) 

U linda femën.
Më pagëzuen me emën,
Ngadalë hoxha t'u ma thanë ndë vesh. 

Dhe aq. 

Festë nuk u bâ për mue,
Veç uronin nji djal(bekim) pas meje të vjen... 

Pastaj,

ma vonë, 

Filluen me m'tregue
Si duhet unë me qenë vajzë. 
Si duhet sytë t'i mbaj...
Hapat si duhet me i bâ...
Dhe kryet si me e mbajt...
Kur dikush âsht n'sy tu t'fol.
Qésh e vogël atëherë,
Po duhej vajzë me qenë, than! 

Pastaj, 

ma vonë, 

Më urdhnonin
Si duhet femën me u bâ,
Për sy të tjetrit,
Për nder të familjes,
E asgjë të imes... 

Pastaj, 

ma vonë, 

Mue,
nanën,
mikeshat e mia,
Kanë me na varros
Njí metër ma thellë se tjerët 
Veç se ishim gra... 

 

zotni asht zot

Kanë shti mbi nanën time
Dhe E kanë vra!
Me fjalë
Me shikime
Me mallkime.
Mue m’kishin vra, pa nis t’jetoj.
Femën lindi.
fara u shkoj kot.

Po N’lidje, njeriu s’njef as zot as Djall.
Me rritje, i rritet dhe djalli.
Pak njef zotin, Zoti na njef ma shumë.

Po unë sn u bana Zot i nanës sime.
Se ajo s’njifte zot.
Përveç burrit që kishte kambën n’fyt.
Kurrë n’shpirt.

Nana ime s’njef zot. As t’VETES.
Deus non est.*

Vonë e kuptova
Dhe fillova t’dyshoj.
Mos n’këtë vend
Zoti don ma shumë burrat?

*nuk ka Zot. 
 

 

X 

T'kam ble një ëndërr
në pazarin e Esmës.
Ma dha lirë
e m'premtoj se
Është e bukur. 

Në pazarin e vjetërsinave,
mes krevatve t'braktisur
Prej lëkure tvërtetë,
Karrigeve pa tavolina
dhe ca byzylykë t'këputur,
Që mbajnë erën e dikujt që se njohim.

Mes atyre gjërash
Gjeta këtë ëndërr t'harruar.
Esma ma premtoj se:
Ajo qenka e pa ëndërruar më parë.
Pastaj si të thuash,
Pas një pazari të gjatë...
Ajo ma shiti aq lirë, sa ma fali! 

Tani merre
Sepse unë s'di ç'ti bëj.
S'do të mbahet në duart e mia.
Më ka ngrënë shpirtin gjatë gjithë rrugës.
Duket, vendet e braktisura nuk i do. 

Merre, tani është e jotja!
Provoje a të nxen?



* Nurie Emrullai, e lindur në 1992 në Kërçovë, Maqedoni. 
Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, të mesmen në qytetin e Kërçovës, dhe pastaj ka vazhduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Tetovës. 
Aktualisht është në ciklin e dytë të studimeve, Letërsi shqipe, po në atë universitet. 
Poezitë i ka kryesisht refleksive, dhe kohën më të madhe ia ka përkushtuar filozofisë.
Gjithashtu, pos poezisë merret edhe me përkthime nga gjuha angleze.

 

 


© Klosi News


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00