Cikël poetik nga Shazim Mehmeti
Dita vetëvarrosej në barkun e muzgut. Mjegulla shtatderdhej mbi rrugë...
Nga Shazim Mehmeti
SHKUPJERUSALEM, NGA VDEKJA NË VDEKJE...
Metaforë e bukës,
jeta jonë!
Asokohe,
shofer, punoja.
Kthehesha nga Greqia.
Autostrada me fushat përreth,
dhunoheshin pafund,
nga egërsia e atij dimri hidhërak.
Era bënte kërdinë mbi shpirtin e borës,
e radioja e mplakur,
seç bënte një të qarë,
me zërin e Kris Rea-s.
Unë nuk di anglisht
(s’ka kush nuk e di
se jam analfabet nga gjuhët),
por zemra më thoshte,
se ajo këngë,
e bënte vajin atëror
për çupkën Zhozefinë.
Rruga Selanik-Shkup
është e gjërë, e gjërë.
Edhe fushat përreth saj
janë të gjëra pafundsisht.
Sipas së gjithash,
Zoti do ketë qenë në disponim të mirë
kur e ka jaratisur këtë vend.
(E dua këtë vend!
Dhe kam frikë se, edhe shumë gjak,
derdhur,
do duhet,
për këtë vend!)
Nata afronte.
Dielli mërdhezak,
se ku ishte fshehur
prapa dhembjes diku,
dhe Shkupi m’u shfaq para syshë,
i bardhë dhe gri.
I bardhë dhe gri Shkupi!
Si Jerusalemi
në mendimet e mia,
sa isha student.
Është një fat i keq
që i bën të ngjashëm
këto dy qytete!
Është një fat i zi!
Shpirti im bardhëgri
ma thoshte këtë!
Dhe liria e munguar ma thoshte!
Dhe padrejtësimi!
Dhe burgu i Idrizovës
që më binte në krah të majtë
të rrugës!
Dita vetëvarrosej në barkun e muzgut.
Mjegulla shtatderdhej mbi rrugë.
Sytë e mi të lodhur
një hije atje panë.
Një hije njeriu në mjegull.
Një udhëtar.
Jep e merr, mezi ndalova.
Dera e djathtë e kabinës u hap.
Brenda u fut ai njeri.
Foli shqip.
Mirëmbrëma, tha!
Nga vjen, i thashë.
Nga vdekja!, m’u përgjigj!
Nga vdekja?!...
Nga vdekja!..., pohoi, mezi!
Nuk e pyeta më tej.
Më mjaftoi sapokalimi nga burgu i Idrizovës,
që ta kuptoj se ishte një i burgosur,
i mplakur,
i sapolëshuar
në liri.
Bashkabashkë, e rinonim lodhjen për rruge.
Bashkabashkë heshtnim.
Radioja kishte pushuar.
Nuk qante më, Kris Rea.
Kokën ktheja, herë pas here nga ai.
Se si doja t’ia shihja atë fytyrë,
të rrudhur e të nxirë,
nga vdekjejeta.
Ai, i kërrusur nga lodhja, mezi mbahej.
Mbante kokën e thinjur mes pëllëmbësh,
si një topth bore të hirosur, të ftohtë.
Shikimi përdh? i binte.
Kishte diçka prej ëndrre,
kishte diçka prej palestinezi tek ai,
ndaj, e pyeta shkurt:
përse e vuajte atë dënim?
Dhe shkurt më tha,
shumë shkurt: për politikë!...
Dhe shkurt e pyeta,
sërish, si budalla:
Ku do shkosh, tani, o njeri?
Tha shkurt, po aq:
te kasollë e zemrës sime!...
E kuptova n’çast,
se s’kishte mbetur gjë prej tij.
Veç ëndrra.
Futeshim brishtësisht në pusinë e natës,
e mbërritëm dalëngadalë
në Bit Pazar
të Shkupit.
Dhe zbritëm nga kabina, të dy:
Unë për t’i çlodhur gjunjtë,
ai për të shkuar në vdekje!...
(Shkupjerusalem!
Nga vdekja në vdekje, Zot!!!)
TË JETOSH
të jetosh,
prej dritës sate të bësh mëngjese,
për qiejsh të mbahesh,
të kapesh fort pas ëndrrës,
krejt ç’është përreth teje
të bësh të jetë jotja,
si një mendim i ri
të krekosesh krenar,
të vdesësh
pa vdekur asnjëherë,
ta vrasësh njeriun brenda teje,
brenda teje ujkun ta sajosh,
shembjen e qiejve që s’janë qiej,
ta bësh me një fjalë,
të bësh të të kapin sytë
misterin që ti do,
të bësh të mbijë
pema që s’është më,
ta flakësh modestinë,
të bësh prej engjëllit një djall me brirë,
si e flijuan jusufvoglin atëbotë,
unin tënd të matur ta flijosh
pa fjalën e fundit në gojë,
mbi bark të zjarrmuar gruaje
të bësh të jeshë
kokër rëre e ftohtë,
të sajosh prej këmbëve të tua kapronj të bardhë
dhe t’i zbresësh të pijnë jetë
aty ku shpirtrat lahen,
për epshin tënd prej burri,
buzë prej ere të sajosh,
të mund ta lash në djersë,
ta hedhësh përdh? hënën,
të jesh i ftohtë, i ftohtë, i ftohtë,
trup prej drite të mund të bësh
për sytë e tu të nesërm,
prej frymës sate të bësh verigë,
i kapur për qiejsh të jetosh
mes akujsh i ndezur…
KËNGË E VONË...
T’keshë akoma një copë fryme,
që t’mund të këndosh
edhe një këngë t’vonë si kjo;
T’keshë patur e t’keshë
një Zot t’dashur e t’vetëm
për adhurim;
T’keshë patur e t’keshë
n’zemrën tënde e n’damarët e tu,
gjak dardan;
T’keshë një baba
t’vuajtur e t’kamur
që nuk bën be,
por edhe be kur bën,
bën be veç n’Zot
e n’dhẻ, e n’atdhẻ;
T’keshë patur një nënë
me duar rreshku,
që qe nanë, nanë,
por jo edhe hanë;
T’kesh patur një fëmijëri
t’bërë prej llofkash
e prej magjishë t’papara,
që t’kanë bërë me e dashtë një pëllumb
më shumë se veten,
e gjithë gjakun, e fisin;
T’keshë patur
një rini vertere e t’pamend,
në një Kosovë t’mbrujtun
me plagë e me gjak;
T’kesh patur fatin e mirë
me pasë nji mik t’dashtun
me emrin Jakup,
prej Lajçve t’Rugovës;
T’keshë qenë ai fatmirë
që mundi me pi ujë
n’kroin shijemirë
të lirikave të Shkrelit;
T’kesh pasë fatin e mirë e të keq
me e pa e me e ndie untinë e barkut,
e me thanë se poezia s’asht gja
kundruell vujtjes s’bukur t’untisë,
me vllazni e me fis,
pranë e pranë;
T’keshë mundë me u njoftë
edhe me burgun dritëerrët t’Borgesit,
e me luanët e tij t’vetmisë
n’shkretinën e ethshme t’mendimit;
T’keshë pasë mundësi me u njoftë
me poezinë e me gjuhën shembëllyese
të ngjyrave t’Mirosë;
Ta keshë njoftue
muzikën e kundërshtive
në lirikat e Pazit;
T’keshë pa nji film t’rrallë
me mbret t’ramë
e me u njoftë
edhe me dritën e ramjes
dhe besimit t’humbun;
T’keshë pasë mundësi me frymue
n’nji fole dashnie
që veç n’andrra t’rralla
mund t’shihet;
T’kesh ba nji jetë t’kamun
me këlyshë e kalamaj
e me dromca drite,
e me dromca syshë t’vegjël,
n’sofër, shtrue;
T’keshë ba prej vetes
luftëtarin e padhanë
n’beteja t’shumta
për asgjanë;
T’keshë nisë nji vjershë si kjo
n’gjuhë t’njisueme,
e t’i biesh n’fund
si nji kange t’gegnueme...
... ti e ke jetue jetën...
Comments (0 posted)
Post your comment