Cikël Poetik nga Ahmet Selmani
Pas kthimit edhe Odiseu ndihet i huaj në Itakë qesh si somnambul i mekur...
Nga Ahmet Selmani
KEOPSI I TIRANËS
(ose dy varret e tij)
Keopsi
i Tiranës
s’është si ai i Gizës
ngase i ka dy varre
njërin e ka nën tokë
kurse tjetrin mbi tokë
nën tokë e ka trupin
e mbi tokë
shpirtin.
LUMI I PRISHTINËS
(ose varri pa epitaf)
Dikur
Prishtina
kishte një lumë
që fliste me diellin
por banorët e pështynë
sikur të ishte
ndonjë mëkatar
dhe e varrosën për së gjalli
pa asnjë dhembje
e pa asnjë vajtim
tani lumi rrjedh nën tokë
si mallkim i harruar
pa e parë askush me sy
ndërsa breznitë e reja ecin
mbi varrin e tij pa epitaf
me xhepat e mbushur
plot me ëndrra moderne
nëse dikush e kërkon
lumin e dikurshëm
ndoshta mund ta gjejë
nëpër gropat e kujtesës
së ndonjë banori
të vetmuar.
LOJA E ERËS ME FLETËZAT E LULEVE
(ose ngjashmëria me buzëqeshjet e tua)
Era
pranverore
loz me fletëzat e luleve
duke i shpërndarë me naze
nëpër ajër
e duke krijuar
një vals qiellor
pastaj i ngatërron
edhe nëpër flokët
e tua të dendura
ndërsa unë
sodit si i dehur
me sy të gozhduar
ato nuk më ngjajnë
me fjollat e borës
e me asgjë tjetër
siç mund t’u ngjajnë
mijëra njerëzve
por vetëm
me buzëqeshjet e tua
që vezullojnë si yje
dhe bëhen njësh
me stinën e bukur
thurin një kurorë
dhe shpirtin tim të etur
e miklojnë ngadalë
si me duar
engjëlli.
SHËNIM APOETIK
(ose shpirti i akullt)
Poeti i gjorë
ngushëllohet natën
i sheh në ëndërr lexuesit e tij
që afrohen si engjëj me libra në duar
por kur zgjohet nga gjumi i tendosur
takon vetëm një turmë buzëvarur
që kalon me shpirt të akullt
mbanë librave
të harruar.
PAS KTHIMIT NË ITAKË
(ose Odiseu i huaj)
Pas
kthimit
edhe Odiseu
ndihet i huaj në Itakë
qesh si somnambul i mekur
duke lozur me kujtimet e veta
që ia rrëmben era si gjethe të thata
e koka i duket si pjesë e ndarë në trupi.
MUNGESA E MIGJENËVE
(ose lulët me shumë shokë)
Edhe
sa Migjenë
na duhen për t'i parë
lulët e vocërr me shumë shokë
duke i gëlltitur ëndrrat fëminore
në vend të bukës së përditshme
që ua rrëmbejnë pushtetarët
e në vend të saj u falin
tollumba të hapur
si gojë.
MALLKIMI I PROMETEUT
(ose djegia e njëri-tjetrit)
Ah zjarrin
klith Prometeu
ia rrëmbeva Zeusit
e ua dhashë në duar
që ta bëni dritë dashurie
jo për ta djegur njëri-tjetrin
pastaj të ecni si heronj të çartur
nëpër udhën e shtruar me hirin tuaj
ndaj po tretem në honin e zhgënjimit
duke u betuar edhe në tokë edhe në qiell
se tani zjarrin do ta shndërroj në mallkim për ju.
RRËFIM EPIK PËR IKJEN
(ose ndjekja në kufi para 1990)
Ti ik
qeni të ndjek
e t'i ngul dhëmbët
por prapë të lë të gjallë
ndërsa njeriu shkrep me plumb
në emër të mbrojtjes së atdheut ujkonjë
por fati do që të shpëtosh sa për një rrëfim epik.
RROBAQEPËSIT KOMBËTARË
(ose qortimi i pasqyrës)
Kot përpiqen
t'i fshijnë gjurmët
me duart e tyre tinzare
koha ua vizaton si tatuazhe të zeza
ndaj presin e qepin veshje kombëtare
për ta fshehur trupin bashkë me shpirtin
dhe kur e shohim veten në pasqyrë
sakaq bërtasin me rrefkëtimë
oj pasqyrë, oj pasqyrë
mos gënje që s'jemi
atdhetarë.
Comments (0 posted)
Post your comment