Home | Literature | Tregim nga Juan Rulfo

Tregim nga Juan Rulfo

image
Tufa harabelash kanë përshkuar qiellin sipër nesh në drejtim të...

 

 

 

 

 

 Nga Juan Rulfo

 

 

 

Nata që e lanë vetëm, 2011, Sergio Michilini, frymëzuar nga "Llano në flakë" i Juan Rulfos.

E kemi vrarë meçkën, 

por jo këlyshët e saj…

                      Këngë popullore

 

 

Zhurma që mbërrinte herë pas herë nga fundi i përroskës na shkundte për të na penguar të flinim. Dhe ne e kishim të kotë që të zgjasnim veshin për të dëgjuar diçka, gjithçka që arrinte deri tek ne, ishte kjo potere : një vorbull zërash, siç kur dëgjojmë nga larg zhurmën e qerreve që zhvendosen mbi një udhë të gurtë.

Papritur, është dëgjuar një krismë. Përroska e ka sjellë njëlloj sikur ajo të shembej. Kjo ka zgjuar gjithçka, dhe përnjëherë : zogjtë e kuq që ne i kishim vështruar të luanin në savoniere kanë fluturuar. Pastaj gjinkallat që i kishte zënë gjumi i mesditës janë zgjuar dhe ato dhe gumëzhimat e tyre kanë pushtuar dheun.

« Ç’është ? » ka pyetur Pedro Zamora, ende i topitur nga dremitja.

Atëherë, Shkurtabiqi është ngritur dhe larguar, duke e tërhequr pushkën e tij si të ishte shkop, nga krahu ku kishin vajtur të tjerët.

« Po shkoj të shkoj pak ç’ishte », ka thënë ai përpara se të zhdukej si të tjerët.

Kërcëllitja e gjinkallave është bërë aq e fortë sa na ka shurdhuar dhe, kur ata janë shfaqur këndej, as nuk e kemi vënë re. Atëherë kur e prisnim më pak, ata ishin aty, pikërisht përballë nesh, të gjithë zbuluar. Do të kishim thënë se ata shëtisnin, të veshur fort mirë për çka do t’i gjente më pas.

Jemi kthyer dhe i kemi vëzhguar nga vrimat e murajës.

Të parët kanë kaluar, pastaj pasuesit dhe po vinin ende të tjerë, të përkulur përpara, krejt të kërrusur për gjumë. Fytyrat e tyre shndrisnin nga djersa, njëlloj sikur të ishin zhytur në ujë duke përshkruar lumin.

Ata ndiqnin udhën e tyre.

Ne kemi marrë sinjalin. Një fishkëllimë e gjatë është dëgjuar nga krahu ku Meçka kishte vajtur, dhe atëherë ka krisur pushka, aty poshtë. Pastaj ka vazhduar këtu.

Ka qenë një lojë fëmijësh. Trupat e tyre zinin pothuaj vrimat e murit, në atë pikë që kishim përshtypjen t’i vrisnim nga afër dhe t’i dërgonim në botën tjetër pa e kuptuar fare.

Por kjo nuk ka zgjatur shumë. As sa koha e breshërisë së parë dhe të dytë. Vrima në mur është çliruar shpejt, dhe kur hidhnim një sy në të, nuk shihej më tjetër përveç atyre që ishin shtrirë përdhe në mes të udhës, gjysmë të përdredhur, njëlloj sikur dikush të kishte ardhur t’i hidhte aty. Të gjallët ishin zhdukur. Ata janë rishfaqur më pas, por deri atëherë, nuk ishin më të dukshëm.

Është dëgjuar breshëria e radhës.

Njëri prej nesh ka thirrur : « Rroftë Pedro Zamora ! »

Nga krahu tjetër, janë përgjigjur, pothuaj me gjysmë zëri : « Jezus–Marie–Jozef, më shpëtoni ! Mëshirë ! Fëmijë i Shenjtë Jezus i Atochas, më mbro ! »

Ne kemi parë të kalojnë zogj. Tufa harabelash kanë përshkuar qiellin sipër nesh në drejtim të maleve.

Breshëria e tretë ka ardhur nga pas nesh. Ishin të tjerët që qëllonin, dhe na është dashur të kapërcejmë përsipër murit, më larg se të vdekurit që i kishim mbjellë.

Pastaj përndjekja ka filluar në lirishtë. I ndjenim plumbat që na fshikullonin thembrat, njëlloj sikur të vendosnim këmbën mbi një re karkalecash. Dhe nganjëherë, të shtënat, gjithnjë e më të shpeshta, godisnin mirë ndonjërin prej nesh, që binte me një kërcitje kockash.

Vraponim. Kemi mbërritur në buzë të përroskës, kemi zbritur teposhtë si shigjeta.

Kurse ata qëllonin pa pushim. Dhe qëllonin ende ndërsa ne i ishim ngjitur këmbadoras shpatit tjetër, si urithë të tmerruar nga drita.

« Rroftë gjenerali Petronilo Flores, bij kurvash ! » kanë thirrur ata dhe një herë. Dhe thirrja e tyre ka vajtur të humbasë në fund të përroskës duke u mbështjellë si një gjëmim bubullime.

Ne kemi ndenjur të strukur nën strehën e shkëmbinjve të mëdhenj të rrumbullakët, ende të mbushur në frymë nga vrapi. Jemi mjaftuar të vështrojmë Pedro Zamoran, për ta pyetur me sy se çfarë mund të kishte ndodhur. Por edhe ai është mjaftuar të na vështrojë, pa thënë gjysmë fjale. Do të kishim thënë se na ishte hequr fjala apo se gjuha jonë ishte kthyer po aq e ashpër sa ajo e papagajve, dhe se ishte një punë e tërë për ta trazuar të thoshte diçka.

Pedro Zamora vazhdonte të na vështronte. Na numëronte me sy. Me ata sytë e pabesueshëm që ai kishte, krejt të kuq, a thua se nuk flinte kurrë. Na numëronte, një për një. Ai e dinte fort mirë sa ishim, aty, por dukej sikur nuk ishte dhe aq i sigurt; kjo ishte arsyeja që ai nuk pushonte së rinumëruari.

Mungonin njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë burra, pa llogaritur Meçkën, Shkurtabiqin dhe ata që kishin ikur në të njëjtin drejtim me ta. Shkurtabiqi, me siguri që duhet të ishte kacavjerrë kalistrup mbi një degë savonieri, i mbështetur mbi pushkën e vet, duke pritur që ushtarët të iknin.

Josétë, dy djemtë e Meçkës, kanë qenë të parët që ngritën kokën dhe që u çuan në këmbë. Ata kanë bërë ca hapa andej-këndej duke pritur që Pedro Zamora t’iu thotë diçka. Dhe ai ka thënë :

« Ende dhe një përleshje kështu dhe kemi marrë fund. »

Përnjëherë më pas, me një zë të mbytur, a thua se zemërimi i mbetej tërthor fytit, ai iu ka thënë : « E di mirë se ju mungon babai, por durim, pak durim ! Do të shkojmë ta kërkojmë ! »

Një plumb i qëlluar nga larg ka bërë të fluturojë një tufë zogjsh bishtlëkundësish mbi shpatin tjetër përballë. Zogjtë kanë nxituar në përroskë dhe janë sjellë përreth nesh ; pastaj, kur na kanë parë, janë frikësuar dhe kthyer mbrapsht, duke shndritur nën rrezet e diellit, për të mbushur me cicërimat e tyre drurët e shpatit përballë.

Dy Josétë janë kthyer në vendin ku qenë ulur dhe janë kërrusur në heshtje.

Kemi qëndruar aty, kështu, tërë pasditen. Nata po fillonte të binte kur Shkurtabiqi ka ardhur me njërin prej të Katërve. Na kanë thënë se vinin nga poshtë, nga Piedra Lisa, por nuk e dinin nëse ushtarët ishin larguar. Por sidoqoftë, gjithçka ishte e qetë. Herë pas here, dëgjonim ulërimën e kojotave.

« Hej, ti, Pëllumb ! më ka thënë Pedro Zamora. Do të shkosh bashkë me dy Josétë deri në Piedra Lisa për të parë ç’i ka ndodhur Meçkës. Nëse ka vdekur, s’keni tjetër veç ta varrosni. Dhe të njëjtën gjë dhe me të tjerët. Të plagosurit, vendosini diku në lartësi, që njerëzit e vendit përreth të kenë mundësi t’i shohin. Por mos merrni me vete askënd.

– U bë. »

Dhe ne jemi larguar.

Kojotat dëgjoheshin fare pranë kur kemi mbërritur në vathën ku mbanim kuajt.

Por kuaj, nuk kishte më, kishte mbetur vetëm gomari i dobët që jetonte aty shumë më parë se të mbërrinim ne. Ishin padyshim ushtarët ata që i kishin marrë kuajt.

Kemi gjetur pjesën tjetër të të Katërve pikërisht prapa gëmushave, që të tre, njëri mbi tjetrin, a thua se i kishin stivosur. Ua kemi ngritur kokat, i kemi shkundur pak për të parë nëse ndonjëri jepte shenja jete ; por jo, të gjithë kishin vdekur. Ishte ende një nga tanët në lugun e ujit, brinjët në ajër, njëlloj sikur dikush t’i kishte dhënë ca goditje hanxhari. Dhe duke e përshkuar vathën nga njëri cep në tjetrin, kemi gjetur ende një këtu e një aty, fytyrat të nxira.

« Këta këtu, i kanë vrarë nga afër, duket sheshit », ka thënë njëri nga Josétë.

Ne kemi kërkuar Meçkën ; nuk jemi marrë më me asnjë tjetër, thjesht për të gjetur Meçkën e famshme.

Nuk e kemi gjetur.

« Duhet ta kenë marrë me vete » – kështu kemi thënë me vete. « Duhet ta kenë marrë për t’ua treguar shefave të tyre » ; por megjithatë, e kemi kërkuar kahmos, ndërmjet tufave të barit. Kojotat vazhdonin të ulërinin.

Kanë ulëritur tërë natën.

Ca ditë më pas, ndërsa ne kalonim në vaun Armeria, kemi rënë përsëri mbi Petronilo Flores. Jemi kthyer mbrapsht, por tepër vonë. Ishim aq afër sa dukej sikur do të na pushkatonin. Pedro Zamora ka dalë në krye duke kalëruar me trokth mbi atë hamshorin e vogël të kuq që është kafsha më e mirë që të kem njohur ndonjëherë. Dhe ne kemi vrapuar pas tij si dele, të shtrirë mbi krifën e kuajve. Por prapë, masakra ka qenë e tmerrshme. Këtë nuk e kam kuptuar përnjëherë, sepse e kam parë veten në lumë, nën kalin tim të vdekur, dhe se rrjedha na ka vërtitur të dyve deri në një pellg jo të thellë të pushtuar nga rëra.

Kjo ka qenë përleshja jonë e fundit me forcat e Petronilo Flores. Pas kësaj, nuk kemi luftuar më. Ose më mirë, kemi qëndruar njëfarë kohe pa luftuar, duke ikur përpara trupës ; është kështu që ne kemi vendosur, ndërmjet nesh, pjesa e mbetur e bandës, që t’i jepnim pak zemër vetes, që të iknim në mal për t’iu shpëtuar përndjekjeve. Nuk ishim më veçse ca grupe aq të thjeshtuara sa nuk i fusnim frikën askujt. Askush më nuk ikte duke thirrur : « Po vijnë njerëzit e Pedro Zamoras ! »

Paqja ishte rikthyer në Llanon e Madhe.

Por jo për fort kohë të gjatë.

Po bëheshin nja tetë muaj që ishim strukur në grykën e Tozinit, aty ku Armeria mbushet me orë të tëra përpara se të derdhet mbi brinjë. Kishim menduar të linim të kalonin ca vite para se të dilnim në sipërfaqe, atëherë kur askush nuk do të kujtohej për ne. Kishim zënë të rrisnim pula, dhe herë pas here shkonim të gjuanim dhi të egra në mal. Ne ishim pesë, apo më mirë katër, sepse këmba e njërit prej Joséve ishte gangrenizuar për shkak të plumbit që ushtarët ia kishin strukur në tule, kur na patën qëlluar nga shpina.

Ishim aty, dhe po fillonim të kishim përshtypjen se nuk shërbenim më për asgjë. Po të mos kishim qenë të sigurt se do të na varnin të gjithëve, do të kishim shkuar të dorëzoheshim.

Dhe është atëherë që është shfaqur njëfarë Armancio Alcala, ai që merrej me mesazhet dhe letrat e Pedro Zamoras.

Ishte një mëngjes në të gdhirë, ishim duke prerë një lopë kur kemi dëgjuar tingullin e briut ; ai vinte nga mjaft larg, nga krahu tjetër i Llanos. Pak më pas, e kemi dëgjuar përsëri. Do të kishim thënë e pëllitura e një kau : në fillim e mprehtë, pastaj e rëndë, pastaj përsëri e mprehtë. Jehona përzgjatej e përzgjatej, deri këtu, pastaj zhaurima e lumit e mbyste.

Dielli do të ngrihej kur ky Alcala është shfaqur mes qiparisave. Ai mbante dy gjoksore të kryqëzuara me krehra 44 dhe mbi shalën e kalit të tij, një grumbull pushkësh që kishte pamjen e një mbështjellje të thjeshtë.

Ka ulur këmbën në tokë. Na ka shpërndarë nga një pushkë dhe pastaj i ka mbështjellë të tjerat që mbeteshin.

« Nëse nuk e keni me ngut deri nesër, përgatituni të niseni për San Buenaventura. Atje ju pret Pedro Zamora. Gjatë kësaj kohe, do të shkoj pak më poshtë të kërkoj Quiscalët. Do të kthehem më vonë. »

Ai ka ardhur të nesërmen, në muzg. Dhe ishin vërtetë Quiscalët që vinin me të. Mund t’ua shquanim fytyrat e nxira në natën që binte. Dhe kishte ende tre të tjerë, që nuk i njihnim.

Na ka thënë : « Do të gjejmë kuaj në rrugë e sipër. » Dhe e kemi ndjekur nga pas.

Përpara se të arrinim në San Buenaventura, ne i kemi parë fermat në zjarr. Flakët më të larta ngjiteshin nga papafingot e fermave si një masë esence rrëshire të ndezur. Shkëndijat fluturonin dhe vorbullonin në errësirën e qiellit, do të kishim thënë re të mëdha të ndriçuara.

Kemi vazhduar të ecim më tej, të shushatur nga zjarri i San Buenaventuras, njëlloj sikur diçka të na thoshte se ishte aty që duhet të shkonim, për t’i dhënë dorën e fundit.

Por ne nuk kishim mbërritur ende kur kemi hasur në kalorësit e parë që vinin me trokth, lakun e tërkuzës të mbështjellë në kokën e shalës, disa duke tërhequr ca burra të lidhur që kishin ende forcë të ndiqnin këmbadoras, e të tjerët ca burra që i kishin humbur duart dhe koka iu varej. Ne i kemi vështruar duke kaluar. Prapa tyre vinin Pedro Zamora dhe një trupë e tërë në kalë. Një trupë më e rëndësishme se kurrë. Kjo na ka dhënë forcë.

Ishte një kënaqësi ta shihje këtë varg njerëzish të përshkonin ende dhe një herë Llanon e Madhe si në kohërat e dikurshme. Siç në fillim, kur ishim ngritur si ato degët gjembaçe që era i merr me vete, për të mbjellë terror në tërë Llanon. Po, kishte pasur një kohë të tillë. Dhe tani, ajo dukej të rikthehej.

Që aty, jemi nisur të gjithë drejt San Pedros. I kemi vënë zjarrin dhe jemi turrur drejt Petacalit. Ishte koha e korrjes së misrit, kur kërcenjtë e tharë janë shtrirë nga erërat e forta që fryjnë në këtë stinë mbi Llanon. Të mbushte me kënaqësi, kjo që të shohësh zjarrin duke përparuar nëpër fusha ; të shohësh tërë Llanon të bërë shkrumb e hi, me atë zjarr dhe tymin që dallgëzonte përsipër ; një tym që binte erë të mirë, erë sheqeri dhe mjalti, sepse zjarri iu ishte futur gjithashtu fushave të kallamsheqerit.

Dhe ne ia behnim nga tymi si dordolecë, fytyrën të nxirë sterrë, duke shtyrë bagëtinë përpara nesh, për t’i mbledhur aty ku do t’i thernim. Asokohe, kjo ishte puna jonë : lëkurat.

Sepse, siç na kishte thënë Pedro Zamora : « Këtë revolucion, ne do ta bëjmë me paratë e pasanikëve. Ata do t’i paguajnë armët dhe shpenzimet e këtij revolucioni që po bëjmë. Dhe ndonëse tani për tani nuk kemi parti për të mbrojtur, na duhet të nxitojmë për të mbledhur para, dhe kështu, kur të mbërrijnë trupat qeveritare, do ta shohin me kë kanë të bëjnë. » Kështu na kishte thënë.

Dhe kur trupat janë rikthyer, ajo kanë rifilluar të na masakrojnë, por kësaj radhe, jo aq lehtë. Tani, shihej qartë se ato kishin frikë prej nesh.

Por edhe ne kishim frikë prej tyre. Ne gjendeshim fort ligsht, kur dëgjonim zhurmën e vargut të tyre apo kur patkonjtë e kuajve të tyre nxirrnin xixa mbi gurët e udhës ku iu kishim ngritur një kurth. Duke i parë tek kalonin, kishim vërtetë përshtypjen se ata na përgjonin në cep të syrit, siç për të na thënë : « E dimë se jeni aty, por po bëjmë sikur s’pamë gjë. »

Dhe kjo ishte vërtetë çka ndodhte, sepse, papritur e pakujtuar, ata hidheshin përtokë, disa duke na bërë ballë, të fshehur pas kuajve të tyre, ndërsa të tjerët na rrethonin krahët dhe pas shpine, përpara se të hidheshin mbi ne si mbi pulat e kotecit. Atëherë e kemi kuptuar se kështu si kishte nisur, të gjithë sa ishim aty, nuk do të mbanim fort gjatë.

Sepse tani ne nuk kishim të bënim me trupat e gjeneral Urbanos që i patën hedhur mbi ne në fillim, dhe që merrnin frikë nga thirrja më e vogël apo nga përshëndetja e parë ; ne nuk kishim më të bënim me njerëz që i kishin nxjerrë me forcë nga fermat e tyre për të na luftuar, dhe që na sulmonin vetëm kur ishim në grupe të vegjël të veçuar. Këta ushtarë të tillë, kishin avulluar tashmë. Pas tyre, kishin ardhur të tjerë ; por më të këqijtë, ishin këta të fundit. Tani kishim të bënim me njëfarë Olachea dhe njerëzit e tij, malësorë trima dhe të qëndrueshëm të ardhur nga Teocaltiche dhe Indianë tepehuanë : Indianë flokëgjatë, të mësuar të mos hanë me ditë të tëra dhe që nganjëherë rrinin me orë të gjata duke ju përgjuar, syrin pishë, pa rraptuar qepallat, duke pritur që ju të nxirrnit kokën dhe për t’ju dërguar në botën tjetër me një nga ata plumbat .30.30, të cilët ju thyejnë më dysh si një krande të thatë.

Të sulmoje fermat, kjo ishte sidoqoftë më e lehtë sesa t’iu ngresh gracka trupave qeveritare. Ja përse jemi shpërndarë, një grusht këtu e një grusht atje, dhe kemi bërë dëme më shumë se kurrë, duke goditur dhe u tërhequr shpejt e shpejt si mushka.

Ndërsa mbi shpatet e vullkanit digjeshin fermat e tokave të Jazminit, ne iu binim në befasi njësive qeveritare, duke tërhequr pas nesh degë pemësh me qëllim që, nën mbulojën e reve të pluhurit, dhe bashkë me thirrjet që lëshonim, ata të besonin se ishim të shumtë në numër.

Ushtarët pëlqenin më tepër të rrinin në llogoret e tyre, duke pritur. Përgjatë njëfarë kohe, ne kemi kalëruar nga njëri cep në tjetrin, dhe ata përparonin pastaj zmbrapseshin, a thua se iu kishte humbur koka dhe nuk dinin më ç’të bënin. Mund t’i shihnim që nga këtu zjarret në mal, zjarre të mëdhenj, njëlloj sikur të hapnim tokë të re. Mund t’i shihnim kampet duke u djegur ditë e natë, fermat dhe nganjëherë qytezat e mëdha si Tuzamilpa dhe Zapotitlan, që ndriçonin natën. Atëherë, njerëzit e Olacheas niseshin në këtë drejtim me hap të detyruar ; por kur mbërrinin, tashmë larg prapa tyre, nga ana tjetër, ishte Totolimispa që kishte zënë të digjej.

Ishte një kënaqësi ta shihje tërë këtë. Të mund të dilje nga ajo strofkë shkurresh kur ushtarët iknin, megjithëse të djegur nga dëshira për të mbaruar punë me ne ; t’i shihje duke përshkuar Llanon e shkretuar, pa shenjën më të vogël të armikut aty pranë, njëlloj sikur të zhyteshin në ujin e thellë, pa fund, të këtij patkoi të madh të Llanos, të rrethuar nga malet.

 

E kemi djegur dhe fermën Cuastecomate dhe aty, kemi luajtur me dema. I pëlqente kjo lojë Pedro Zamoras.

Ushtarët kishin vajtur nga krahu i Autlanit, kërkonin një vend që njerëzit e këtuhit e quajnë La Purificacion, ku ata besonin t’i mblidhnin cubat në fole, por folenë, ne e kishim braktisur. Ata janë larguar dhe na kanë lënë zotër të vetëm të Cuastecomates.

Atëherë, kemi filluar të luajmë me dema. Ata kishin lënë aty tetë ushtarë, përveç bujkut dhe lopçarit të fermës. Kemi luajtur kështu dy ditë.

Për të bërë arenën, kemi ndërtuar një vathë të rrumbullakët, njëlloj me ato që përdoren për dhitë. Pastaj, jemi ulur mbi gardh për të mos i lënë demat të ikin, demat që vraponin me sa fuqi kishin kur shihnin thikën e gjatë me të cilën Pedro Zamora kërkonte t’i shponte.

Tetë ushtarët janë dërguar në atë botë për një pasdite. Dy tipat e fermës, pasditen tjetër. Më kokëforti ka qenë ai lopçari i thatë dhe i gjatë si një kallam që i përvidhej goditjes thjesht duke u shmangur pak. Bujku, përkundrazi, ka vdekur shpejt e shpejt. Ai ishte i shkurtër dhe i mbushur dhe nuk ka mundur të bëjë as shmangien më të vogël për t’i shpëtuar therjes. Ka vdekur pa bërë zë, pothuaj pa lëvizur, a thua se kishte kërkuar vetë të therej. Por me lopçarin, nuk ka pasur aq pushim.

Pedro Zamora iu kishte dhënë nga një batanije secilit, dhe është kështu që të paktën lopçari ka ditur t’iu përvidhet goditjeve, prapa kësaj batanije të rëndë dhe të trashë ; sepse, me ta kuptuar ç’e priste, ai e ka tundur batanijen përpara thikës që vinte drejt mbi të, dhe në këtë mënyrë ka mundur t’i përvidhet Pedro Zamoras dhe madje ta lodhë atë. Dhe shihej qartë se ai lodhej duke vrapuar pas lopçarit pa mundur t’i bëjë gjë tjetër veçse ca gërvishtje. Por pastaj i ka ardhur në majë të hundës. E ka lënë të vazhdojë dhe ca lojën e tij, dhe papritur, në vend që të vërsulet drejt si një dem, ai e ka drejtuar thikën në brinjët e tipit të Cuastecomates, duke e shmangur batanijen me dorën tjetër. Lopçari nuk dukej ta kishte kuptuar se ç’i kishte ndodhur, sepse e ka trazuar batanijen ende dhe një copë herë, njëlloj sikur të donte të dëbonte grerat. Dhe vetëm kur ka parë gjakun t’i rrjedhë në brez, vetëm atëherë është ndalur së lëvizuri. I mbërthyer nga frika, ai është përpjekur të mbyllë me gishta vrimën që ia kishin bërë mes brinjëve, nga ku dilte një curril nga ajo gjëja e kuqe e cila e bënte gjithnjë e më të zbehtë. Pastaj është shembur në mes të vathës duke na vështruar. Dhe ka qëndruar aty derisa e kemi varur, sepse përndryshe do të kishte marrë shumë kohë për të vdekur.

 

Nisur nga ky çast, Pedro Zamora ka luajtur me dema aq shpesh sa i jepej mundësia.

 

Asokohe, ne vinim pothuaj të gjithë nga tokat e poshtme, që nga Pedro Zamora e deri tek i fundit prej nesh ; pastaj na janë bashkuar njerëz nga të katër anët : Indianë të bardhë të Zacoalcos, hunj të zbehtë si krye tambli. Dhe të tjerë gjithashtu, të zbritur nga malet, që pretendonin të ishin nga Mazamitla, dhe që nuk e hiqnin kurrë ponçon, velenxën e tyre, a thua se binte pa pushim borë e shkrirë. Këtyre iu humbiste oreksi me vapën, atëherë Pedro Zamora iu ka dhënë urdhër të ruajnë qafën e Volcanes, fare lart, ku nuk ka tjetër veçse rërë dhe shkëmbinj të lëmuar nga era. Kurse Indianët e bardhë janë ndjerë përnjëherë mirë me Pedro Zamoran dhe nuk kanë dashur më të ndahen nga ai. Ata rrinin gjithnjë pas thembrave të tij, gati për ta mbrojtur dhe për t’ia kaluar tekat. Nganjëherë, ata rrëmbenin madje çupat më të bukura që gjendeshin nëpër fshatra, me qëllim që ai të merrej pak me to.

Të gjitha këto më kujtohen shumë mirë. Netët që i kalonim në mal, duke ecur fshehtas, me një dëshirë të tmerrshme për të fjetur, kur trupat që ishin pas gjurmëve tona na ndiqnin nga afër. Ende e shoh Pedro Zamoran me velenxën e tij vjollcë të hedhur krahëve, duke bërë kujdes që asnjë të mos mbetej pas.

« Hej, ti, Pitasio, cyte pak kalin ! Edhe ju, Resendiz, mos flini, kam nevojë për ju, për të folur. »

Po, ai kujdesej për ne. Ecnim në mes të natës, sytë të rënduar nga gjumi dhe kokën bosh ; por ai, që na njihte të gjithëve, na fliste për të na bërë të ngrinim kokën. I ndjenim sytë e tij mbi ne, të hapur mirë, të mësuar të shohin në terr, dhe ai na njihte të gjithëve një për një. Na numëronte, të gjithëve, siç numërojmë paratë. Pastaj na afrohej. I ndjenim hapat e kalit të tij dhe e dinim se vështrimi i tij ishte gjithnjë zgjuar ; kjo është arsyeja që ne të gjithë, pa u ankuar për të ftohtin dhe as për mungesën e gjumit, e ndiqnim në heshtje si të verbër.

 

Por çështja ka marrë erë përfundimisht pas rrëzimit të trenit në të përpjetën e Sayulas. Po të mos kishte ndodhur kjo, Pedro Zamora, Arias kaçurreli, Shkurtabiqi dhe aq e aq të tjerë do të ishin ende në jetë dhe revolta do të kishte mbetur në rrugë të mbarë. Por Pedro Zamora ka sfiduar qeverinë me këtë rrëzim treni në Sayula.

I shoh ende dritat e flakëve tek ngjiten nga vendi ku i kishim stivosur të vdekurit. I mblidhnim me lopatë, ose i rrokullisnim si trungje deri në rrëzë të së përpjetës, dhe kur ishte bërë një grumbull të madh, i spërkatnim me naftë dhe iu vinim zjarrin. Era e djegur ngjitej lart në ajër, dhe ajo ndihej ende dhe ca ditë më pas, një erë prushi të vdekurish.

Deri në minutën e fundit, nuk e kemi ditur saktësisht çka do të ndodhte. Kishim hedhur mbi një pjesë të gjatë të hekurudhës brirë dhe kocka lopësh, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, i kishim hapur shinat në vendin ku treni hynte në kthesë. Pastaj kemi pritur.

Me të dalë drita, gjërat janë bërë më të qarta. I shihnim pothuaj qartë njerëzit e ngjeshur mbi çatitë e vagonëve. Dëgjonim ndonjërin që këndonte. Kishte zëra burrash dhe zëra grash. Ata kanë kaluar përpara nesh, ende gjysmë të mbuluar nga hijet e natës, por kemi mundur të shohim se ishin ushtarë bashkë me vajza. Kemi pritur. Treni nuk është ndalur.

Po të kishim dashur, mund t’i kishim ngopur me plumba, sepse ai përparonte ngadalë dhe shfrynte njëlloj sikur të mbështetej mbi rënkimet e veta për t’iu ngjitur brinjës. Madje edhe mund të kishim ndërruar ndonjë fjalë me këta njerëz. Por ne nuk ishim më aty.

Kurse ata, kanë filluar të kuptojnë ç’po ndodhte kur kanë ndjerë vagonët që lëkundeshin dhe trenin që dridhej njëlloj sikur ta shkundnin. Pastaj lokomotiva ka dalë nga shinat dhe është tërhequr prapa nga pesha e vagonëve plot me njerëz. Ajo lëshonte fishkëllima të ndryshkura, tejet të gjata dhe të trishta. Por askush nuk i shkonte në ndihmë. Ajo ka vazhduar të ecë mbrapsht, e tërhequr nga ky tren që nuk ia shihnim fundin, deri në të munguar të tokës, dhe të shtrihet në krah duke rënë në fund të përroskës. Atëherë vagonët e kanë ndjekur nga pas, njëri pas tjetrit, në shpejtësi të plotë, dhe kanë rënë në humnerë. Pastaj heshtje, një heshtje njëlloj sikur të gjithë të kishin vdekur, madje dhe ne.

 

Kështu ka ndodhur.

Kur kemi parë të mbijetuar që dilnin nga mbeturinat e vagonëve, ne kemi ikur që aty, të ngrirë nga frika.

Kemi qëndruar të fshehur për ca ditë të tëra ; por ushtarët kanë ardhur të na nxjerrin nga strofka. Dhe nuk na kanë lënë të qetë, as kohë për të ngrënë një copë mish të thatë. Ata kanë bërë gjithçka e mundur për të mos na lënë kohë as të flinim e as të hanim, dhe që të mos e bënim dallimin ndërmjet ditës dhe natës. Kemi dashur të arrijmë grykën e Tozinit ; por ushtria kishte mbërritur para nesh. I binim rreth e përqark vullkanit. Po ngjiteshim drejt majave më të larta kur, në atë vendin që quhet Camino de Dios, kemi rënë përsëri mbi ushtarë që na kanë qëlluar përsipër. I ndjenim plumbat që fishkëllenin, në breshëri, dhe vendi nxehej përreth nesh. Edhe gurët pas së cilëve fshiheshim, shpërthenin njëri pas tjetrit si plisa dheu. Më vonë e kemi marrë vesh se ishin mitraloza dhe jo pushkë ato që na qëllonin përsipër dhe na shndërronin në kullojse ; por në atë çast, ne besonim se ushtarët ishin të shumtë në numër, me mijëra, dhe nuk kishim gjë tjetër në kokë veç : t’iu iknim.

Kemi vrapuar sa kemi mundur. Shkurtabiqi ka mbetur, në Camino de Dios, fshehur pas një peme, mbulojën rreth qafës siç për t’u mbrojtur nga të ftohtit. Ai ka mbetur aty duke na vështruar, ndërsa secili vraponte në krahun e vet për t’i ikur vdekjes. Dhe ai dukej sikur tallej me ne duke na treguar dhëmbët, të larë në gjak.

Ky shpartallim ka qenë një e mirë për shumë prej nesh dhe një fatkeqësi për të tjerët. Na ndodhte tepër shpesh të shihnim një nga tanët të varur për këmbësh në një shtyllë buzë një udhe. Ata rrinin aty të mplakeshin dhe të rrudheshin si lëkura të regjura. Korbat ua gllabëronin barkun, ua shkulnin zorrët dhe nuk iu linin tjetër veç lëkurën. I varnin tepër lart dhe ata luhateshin si kambana nën frymën e erës, me ditë të tëra, nganjëherë me muaj, e nganjëherë të thjeshtuar në lecka pantallonash që do t’i kishim nxjerrë aty të valëviteshin në erë. Kur shihnim këtë, thoshim me vete se tani nuk bëhet më shaka.

Kemi qenë ca kokrra që kemi mundur të shpëtojmë drejt Cerro Grandes duke u zvarritur si gjarpërinj, duke u kthyer pa pushim për të vështruar Llanon, këtë tokë të poshtme ku ishim lindur, ku kishim jetuar dhe ku tani na prisnin të na asgjësonin. Nganjëherë, edhe hija e reve na bënte të na shkojnë nga shtatë.

Do të kishim vajtur tek ndonjëri për t’i thënë se nuk donim më sherr dhe se duhej të na linin të qetë ; por ne kishim bërë aq keq lart e poshtë saqë njerëzit ishin bërë të ligj, dhe gjithçka që kishim arritur ishte thjesht se tani kishim plot armiq. Edhe Indianët e këtuhit, lart, nuk donin të na shihnin më. Kanë thënë se ua kishim vrarë kafshët e gjora. Dhe tani, të armatosur nga qeveria, na kanë çuar fjalë se do të na vrisnin ngado ku të na shihnin.

« Nuk duam t’i shohim më ; po i pamë, do t’i vrasim. » Ja kështu na kanë çuar fjalë.

Ja si është thjeshtuar në asgjë territori ynë. Nuk na mbetej më as edhe një copë toke për të gërmuar varrin tonë. Kjo është arsyeja që ne, të fundit, kemi vendosur të shpërndahemi, secili në drejtimin e vet.

E kam shoqëruar Pedro Zamoran për pesë vjet me radhë. Mirë apo keq, pesë vjet i kemi kaluar bashkë. Pastaj nuk e kam parë më. Thonë se ka vajtur në Meksiko pas një femre dhe se e kanë vrarë atje. Disa presin që të rikthehet, që të rishfaqet një ditë të bukur dhe të rikapin armët ; por njerëzit janë lodhur duke pritur. Ai nuk do të kthehet më. E kanë vrarë, atje. Një tip që ishte me mua në burg më ka treguar se ia kishin ndrequr samarin.

Ka tre vjet që kam dalë nga burgu. Aty më kanë bërë të paguaj të gjitha fajet e mia, por jo ngaqë i isha bashkuar Pedro Zamoras. Këtë, nuk e kanë ditur. Më kanë kapur pisk për gjëra të tjera, për shembull për atë huqin e keq që kisha për të rrëmbyer vajza. Ajo që jeton tani me mua, është njëra prej tyre, ndoshta më e mira dhe më e sjellshmja ndër të gjitha femrat. Atë ditë që kam dalë, ajo ishte aty, përpara burgut, duke pritur prej nuk e di sa kohësh që të më lirojnë.

« Pëllumb ! Ty të prisja, më ka thënë ajo. U bë kohë e gjatë që të pres ! »

E unë, në atë çast, kam menduar se më priste për të më vrarë. Atëherë, jam kujtuar turbull kush ishte. Më ka ardhur ndërmend uji i ftohtë i shiut që binte mbi Telcampana, atë natë ku kemi hyrë në fshat dhe e kemi plaçkitur. Isha pothuaj i sigurt se i atij i saj, ishte ai plaku që e kishim dërguar në atë botë ndërsa po dilnim, plaku që njëri prej tanëve ia kishte rrasur një plumb në qafë, ndërkohë që unë hipja vajzën mbi shalë duke i dhënë ca goditje në kokë për t’u qetësuar dhe mos më kafshuar. Ishte një vogëlushe katërmbëdhjetë vjeçe me sy të bukur, që më kishte lodhur shumë dhe nuk ishte nënshtruar aq lehtë.

« Kam një fëmijë prej teje, më ka thënë ajo pastaj. Është aty. »

Dhe ajo më ka treguar me gisht një djalë të madh me vështrim të tmerruar.

« Hiqe kapelën, që të të shohë yt atë ! »

 

Përkthyer nga Urim Nërguti

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00