Home | Literature | Cikël Poetik nga Gazmend Krasniqi

Cikël Poetik nga Gazmend Krasniqi

image
Nën shoshën e kohës që tokën praron me arin e mekur të përjetimit

Ku ruaja qerre mitesh: një Egnatia ku çdo gur është kokë statuje të shembur...

 

 

 

 

 

 

 

Nga Gazmend Krasniqi

 

 

SONATA E HËNËS

 

Në poza të ngrira ligjërimi, dhe pse një kulm harrese, përsëri, ku shqyhen sytë e ikjeve, dhe vetë shikimi, thashë, ndoshta njëherë i buti shikim i engjëjve më rrok

Te vendi ku buaj, me portën copë dhe fjalët që ende s’u thanë mbi tokën e ashpër, por zonjë

Nën shoshën e kohës që tokën praron me arin e mekur të përjetimit

Ku ruaja qerre mitesh: një Egnatia ku çdo gur është kokë statuje të shembur

E zemra një majë ku s’mund të prekë kurrë poema: sonatën e thur e mbetet për të e huaj

Prapë thashë: ndër fjalë me të cilat mund të shohësh, e ardhmja kalon

As qendër, as skaje s’ka, si Zoti në mendjen e njerëzve

Një libër që mund ta lexosh vetëm në errësirë. Ku prijnë pyetjet

Për shembull, a gdhendet prapë si kokë aedi hënë e vetmuar - kujtim i shpejtë ëmbëlosh i asaj që shkon e vjen si uji që këndon:

Shtoi Zo’ vallet, këso trojesh! Ndoshta shquajmë kë qajnë statujat!

Çfarë tunden e shkunden – me flatrat e fshehta që zhyten e s'mbyten - të vërtetat janë. Që janë ankthi im në moshat e ajrit, ku kaq shumë fyejve fytesh u fryn jeta

Ku, fryrë nga vera e vrerit të vet dhe pyetjet, vetë vullneti i hënës piqet

Fytyrat e shumta të saj, pasqyra ku rrinë të ndryra imazhet tona elegjiake, dhe pse s’e thonë kurrë kornizat pafund (megjithëse na mbajnë të gjitha, siç mbajnë fjalët pellazge): një hënë si kjo e shpikën Ajkunat e lutjeve tona nëpër rrafshnaltën e kujës

T’ia lypim Zotit - ta lëmë të rrojë nga pak për secilën ndarje

Për ne që s’kemi tjetër zjarr në zemër, përveç fjalëve, nëse s’kërkojmë shumë, në paqen tragjike të çdo note të shuhet së pari afshi i kësaj dhurate

Të shpresojmë se ndoshta fëmijët do flasin për magjepsjen

Të ëndërrojmë se ndoshta jeta do na kthehet

Të këndojmë për poezinë që nuk zgjidh gjë, që asgjë s’është e sigurt, por qielli i natës të rrjedhë në penat tona.

 

 

AGORA

 

Kur shqelmat prej fëmije të dritës mbi xhame,

që shpallin ardhjen e mëngjesit, bëhen gjithnjë

e më të lodhshëm, kur lodrat e vajzës, andej-këndej

dhomës, bëjnë zhurmë edhe më shumë

se lajmet e reja të ditës, më vjen ndërmend

se preka në ëndërr idenë e qenies

së pastër - një çast pasmesnate, ku janë lexuar të gjithë

librat, ku janë parë të gjithë filmat, ku janë

grisur këpucët në gjithë peizazhet virtuale

të tv-së. A mund të jesh prapë Mbreti i gjithësisë?

Pyes, se jam, se rrjedh lumi i materies në gishta,

se ndodh ligjërimi i faturave të fatit

dhe vë veton kamja e leksikut të tyre,

e madhe sa tezga e dyqanit të çikërrimave

në mes të sheshit, që, si përditë, i bie përmes.

Në çastet kur trupi do ndihej i fortë sa fjalët

– të rrallat, të brishtat, të pabesat – mbaja

shpresë të flisja gjatë edhe për dashurinë,

kaq shpejt, kaq njerëzishëm, kaq prerë sa

ç’i them vdekjes: “Mirëmëngjes, e dashur”!,

por s’vjen dita e fatit: kur boria e diellit hapet

në forma të papëlqyera, që mbase vetëm qenia e pastër

mund ta shpëtonte, e nuk vlen as të bësh filozofin, mund

të kem Sokratin në kokë për të thënë: “sa shumë gjëra

që s’më duhen, ka këtu”, vetëm se çfarë

shkreptin herë - herë në çantën time, nuk është

meteorit fjalësh, por kripë e pastër greke.

 

 

EDHE NJË DITË

 

Edhe një ditë e shqitur nga ndjenja rrokopujë:

në natën që s’e njeh trishtimin, zemra s’është natë,

e prapë gjithnjë e më pak e imja. Kërkuam Unin 

dhe dukej se ia ndjenim qashtërsinë pas mendimesh 

të papastra, që turri i shiut i bënte liqen, ku ata 

që na ndiqnin, s’e shihnin se ecnim mbi akull, ku, 

i lidhur me mendimet si shiu me ajrin, unë

s’e shihja se diku përtej përgjonte juga vrasëse. 

Kërkuam të mirën, kërkuam të keqen,

së fundi, asgjënë.

Kështu, jetë, t’i kthej paratë, idetë dhe armët,

shëndetin e bjerrë dhe atë pikën e pakapshme:

Unin që do ma thoshte se kush do kisha qenë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00