Kapanoni
Në Piacë nëpër rrethe të ngushta, flitej hapur për futbollin e vendeve dekadente, tifozët sfidonin...
Nga Artur Baku
Atëbotë njerëzit e zakonshëm binin në sy me disa kode fame sa absurde aq dhe bizarre, ai/ajo që vishet me xhinse, atletete adidas; ai djali që ka atë biçikleten favorit; ai tifozi i çmendur i gjermanëve që ka idhull Rumenigen, ai tifozi i Brazilit që di edhe sa shtylla ka goditur në finale e vitit 70 me Italinë. Identifikimi me një skuadër të famshme ishte një lloj statusi për ta, nuk kishin mundësi të binin në sy ndryshe, donin të thonin se edhe ne ekzistojme në këtë kapanon të madh, ku të gjithë zgjohen në të njëjtën ore, ushqehen njësoj, vishen njësoj, mendojnë njësoj, qyteti ngjante me një repart të madh ushtarak, ku merrje “fletë – dalje”një herë në katër vite.
Kampionati botëror ishte një nga ato ngjarje për të cilat regjimi kishte bërë një përjashtim, ishte si një lloj valvule shfryrëse, që lirohej një herë në katër vite; ndër rastet e ralla ku njerëzit e kapanonit mund të kishin pikpamje dhe shije të kundërta në publik. Në Piacë nëpër rrethe të ngushta, flitej hapur për futbollin e vendeve dekadente, tifozët sfidonin njëri – tjetrin me baste dhe garancia lihej te Zefi i azilit, një person me aftësi të kufizuara, që dilte çdo natë në piacë mbi një karrocë me forcën e duarve. Futbolli ishte kthyer në një muzë debati ku gjithkush identifikohej me skuadren e tij të zemres.
Në kapanon flitej për finalen e 74, golin i Bekembauerit, Hollanden e Krojfit, shtyllën e Rezerbringut në 78 me Argjentinën, Brazilin e 82, që dikush e krahasonte me muzikën e Moxartit, “ata që lozin futboll maje pullazit dhe nuk të thejnë asnji tjegull”, penalltinë e humbur të Zikos në 86 me Francën, dorën e “Zotit” në ndeshjen Argjentinë - Angli në 86, bluzat e grisura të Zikos dhe Maradonës nga Xhenitle, lotët e Maradonës në finalen e vitit 86, flitej për një botë magjike, përtej kapanonit, flitej për futbollin. Në botëror vija e partise e humbiste kuptimin, nocionin e saj i përjetësisë binte në dekadencë, magjia e futbollit për një çast thyente xeherorin e unitetit parti-popull!
Comments (0 posted)
Post your comment