Toka të largëta
Toka të largëta re të bardha papirusi bimëza t’ëmbëlsuara bijsh...
Nga Mario Bellizzi
Toka të largëta
Në të dobëtin largësi
përtej detit, përtej Lindjes,
shtrihen toka të kaltëra
të erësuara nga frymat e fëmijëve
toka të përqafuara nga shpella të qeta.
Toka të largëta
re të bardha papirusi
bimëza t’ëmbëlsuara bijsh
ju shikoj mbi har time të moçme
hartime të kryposura.
Busulla në gjakun e natës
dallon keza e coha
erërat e kohës.
Ide vetmie e markadesha
Do të ketë qenë një ide vetmie
ajo që ka krijuar aq emra
për një kafshë e vetme
për shembull: xixëllonjën (gjelbaba në Pogradec).
Arbërisht quhet
panikuçe, bukurezë, bukadjathëz, kakëdhonë,
papadhine, karmaneshe, bubaleshë, bubareshe,
bukure, mashkunxare, bukureshë, çik, vezullonjë,
kakëdhozë, pirokë, markadeshë.
…Sot si sot s’janë më!
Po kemi gjithë këta emra.
(E askush i kujton)
Do të trihjimisem gjuhësisht
sa të zëvendësoj emërin xixëllonjë
dhe antropologjisisht emërin shqiptar.
Sido që të jetë një emër i vetëm
nesër do të tregojë arbëreshët
markadeshat dhe vetminë
saktësisht së prapthi.
Jugu dhe fytyrat e ngjarjeve
Gjithëçka sfaret por si hardël Jugu theket në diell
mbi shtyllat të Tempujve prej guri të shtrira për
tokë.
Po Jugu rri.
Përgjon dhe rrudh supet për kufijtë
ç’duan të vendosin në Mesdhe.
Ndërkohë po hipen ca njerëz e zdripen
si grerëza lëvizin
stafidhjosen katundet …
Jugu si fëmijë buzëqesh i porsalindur
qan me sytë e të varfrit
furishëm nëm si nënat.
Jugu tundet vetëm ndose ka nxe e nge!
Nga ana tjetër, Tragjedia i rrjedh në dejtë,
dhe Filozofia e rëndë i këput kurrizin
kur ec në arkeologjinë e përgjumur
të fushave sot me dredhëza, sparta e gorrica!
Në diellin e xhullandave
mendimet, ëndrrat, asgjësimet në luftë,
lumenjtë me lot, Jugu për çudi i than si fiqtë ndër
ruganjet .
Për të lëvizur, për heqjen e samarit
Jugu i moçëm pret vetëm një shenjë.
Do të jetë hëna ç’erret ose dielli çë nxihet
a është vallë ai baruti çë përcëllon trëndafilat?
Mbase… anijet e mirënjohura në rrethin e qiellit?
Këtu çdogjë është e ngatërruar.
Si thoshte Euripide
Po ndryshojnë fytyrat e ngjarjeve
baras zgjidhjet e Hyjnive kujt më s’u kishim besë;
ç’ti pret nuk kalon
ndërsa Perëndia gjen shtegun për të bënë detin
kos.
Të tjerët s’e dine se shikimi i Jugut
ka mundësi të djegë pëlhurë e Argali.
Tërbimi plot zbrazëti e zagush
njësh me thumbin e zeskut
bënë lëkundje në gjeografi
hutime midis popujve.
Këtë thonë Rrasat e Armonisë.
Comments (0 posted)
Post your comment