Korrigjime
- Ah historia, kjo mjerane që nuk mundet me parashiku as edhe një ndeshje futbolli mes Trepçes ...
Nga Artur Baku
Nëpër tavolinat e Bar Ping - Pong flitej për një takim mes Ronaldit dhe Gorbit të ndodhur gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Ronaldi e paska pyetur Gorbin: Në rast se do kemi një sulm alienësh nga hapësira a do na ndihmonit t'i luftojmë së bashku?!
- Gorbi i qënka përgjigjur: Pa dyshim që forcat e tona të armatosura do jenë në krah të SH.B.A - ve. Njerëzimi është një i vetëm! - Të dy paskan rënë dakord për një program të përbashkët mbrojtje hapsinore të quajtur "Lufta Yjeve".
Ukë K, pronar i Bar Ping - Pong, e kishte dëgjuar këtë lajm në Radion Zëri i Shpresës vite më parë, dhe në bisedë e sipër i paska thënë mikut të vjetër Nikoll K.
- O Nikoll, këta që kanë arsenale armësh shkatërrimtare në masë të cilat mund t'i lëvizin edhe boshtin planetit, kur vjen puna për një rrezik që vjen nga një fuqi e tretë e epërme, atëbotë paskan vendosur të bëhen një; të mbrojnë popujt e planetit; të mbrojnë njerëzimin.
- Nikolla i është pêrgjigjur: Ndryshe janë gjërat në këtë mëhallën tonë. Këtu të gjithë jemi alienë dhe vëllezër njëheri or Ukë! Të gjithë duam të korrigjojmë njëri - tjetrin si ai fëmija që gabon në detyrat e shtëpisë, por jo për dijen, duam t'i korrigjojmë legjendat, eposin, heronjtë, kufinjtë njeri - tjetrit me gomën e historisë. Kur vjen puna te historia të gjithë e shkruajmë si alienë; ndërsa një këngë që dëgjohet te Bar Ping - Pong, fare mirë mund ta dëgjosh edhe te Bar - Akropoli, Bar - Pozdravi, Bar - Dardania, Bar Ilirikum, mund ta dëgjosh në kompozim dhe ritëm të ndyshëm, por linja muzikore mbetet po ajo...
- Ah historia, kjo mjerane që nuk mundet me parashiku as edhe një ndeshje futbolli mes Trepçes dhe Partizanit B, mëton me korrigju defterët e fëmijëve tanë. Ndryshe ndodh me shkencat ekzakte si astronomia që mundet me parashiku një eklips hënor 2000 mijë vjet para. Ndaj dhe Ronaldi me Gorbin i kanë hedhë sytë nga qielli or Nikoll. - tha Uka.
Comments (0 posted)
Post your comment