Diell vjeshte në Korçë…
Në Korçë ka kohë, që nuk këndojnë më serenata.
Nga Agim Pipa
Në juglindje
bënte ende diell
unë mblodha pëllëmbët grusht,
i fryva tymit të duhanit të dikujt, që ma shpifi
dhe shava rëndshëm
prodhuesit e helmit.
Pastaj
eca drejt pazarit të vjetër
në qytetin e serenadave.
Për fat
pas një kafeje në një bar, që më kujtoi
buzët e një mikeshe në harresë
filloi muzika.
Dhe,
kur unë u takova me një burrë, që i ngjante
zjarrit, që ai ndez dhe që qymyri
ja nxin, ja bën blozë duart
atëhere dita e braktisi diellin
dhe u arratis pas një zonje,
që shiste diell kallp
me gjoksin e fryrë
prej një ahengxhiu dasmash.
Në Korçë
nuk ndjehesh kurrë vetëm
sado që vjeshta digjet
mbi gishtrinjtë e mi
që nuk shkruajnë më për ty…
Në Korçë ka kohë,
që nuk këndojnë më serenata.
Comments (0 posted)
Post your comment