Home | Literature | Cikël Poetik nga Alketa I. Caca

Cikël Poetik nga Alketa I. Caca

image
Ç' pjesë luhet?

Muzikë e palumtur!

 

 

 

Nga Alketa I. Caca

 

KALVAR MENDIMESH

 

Çarçafë të zverdhur,

që mbahen me kapëset e shpresës

e trishtit në telat e dobët të harresës.

Edhe pse rezistoj,

më bëjnë të kthehem

atje ku hijet flasin më tepër,

aty ku më vodhën jetën 

e s'pata afër asnjë det,

të hidhja dëborën mbi valë,

përzierë me baltën e zezë 

me festat që kurrë nuk festova 

me këngët që kurrë nuk këndova.

Tash mendoj se duhet të zgjohem. 

Sekretet sa një mal mbi shpinë 

të fshehur në brigje kockash,

t' i zhvarros nga laku

të bëra helm në grykë.

Të djeg të gjitha rrobat me njolla,

poshtë pemës së qershisë 

e pastaj të puth me rradhë sytë tuaj.

 

Tani dua të jetoj 

ashtu siç do të doje ti.

Ndoshta një mundësi e dytë 

do të na afrojë me shijen e dashurisë,

në shtëpinë tonë të plakur 

me zëra të rrinj.

 

AS.C

Melburne

 

 

NJË HISTORI ME NUSE DHE VARRE

 

Në kthinën e ngushtë të Mitës

që qepte grykashkat më të bukura në botë

me makinën e saj shekullore Singer,

dielli hynte i fortë

pa rregulla, kushte e betime.

Sapuni shkiste mbi basma e stofra të leshtë,

të butë e të ngrohtë

duke u dhënë forma

supeve, gjinjëve, 

belit e vitheve, 

linte shenja të kurdisura

nga lumenj ëndrrash

e buzësh melankolike.

Dhëndurë të panjohur

dështakë të pasioneve të vjetra,

prisnin nuse të veshura

prej shkume të kuqërremtë,

ngjitur njëra pas tjetrës të trembura.

Ajo ishte krejt ndryshe.

Ai e mbante foton e saj

në kutinë e cigareve.

E prekte gjatë orëve të ditës,

kur qielli valëvitej mbi vela të bardha anijesh

e dashuronte orëve të natës,

kur lotët,

lotonin prej dhimbjes e zhdukej një yll.

Kur para syve kërcente

një fjongo rozë e brishtë,

si një rrënjë e mbjellë në shpirt.

Ajo lindi...

vdiq në të njëjtin shtrat

me ëngjëllin e dashurisë.

E fshehu ai,

në varrezën e braktisur të qytetit.

 

Jeton mes heshtjes

duke kërkuar hijen e saj,

në trupin e një tjetre

si gënjeshtrën e fundit ndaj vetes.

 

AS.C 

Melburne

 

 

 

 

DIELLIT TË JETËS SIME

 

E putha, e putha

e doja.

Oh sa shumë e doja,

e putha gjer në ngjizje.

E pastaj një grimë asht u bë një kokërr mishi

që rritej nën lekurën e brishtë të dritës.

Nuk e dije sa vite kisha unë,

ëndrrat akoma nuk kishin marrë udhë

edhe basmë për të bërë një fustan 

kërkova e nuk gjeta.

Isha e lumtur, e lumtur

edhe pse pothuajse po rrëzohesha nga pesha!

Duke rënë e duke thurrur ëndrra:

zgjidhja ngjyrat, këngët, përrallat dhe lojrat.

Sa herë mendoja për syçkat e tua

“të lutem, më ngjaj mua, të pëshpërisja”

por ti flije, vazhdoje të flije

gjersa një ditë shtatori

u gdhiva me një balonë të kaltër në duar.

Ndërsa ndërroja perdet e dhomës

shtrija një mbulesë të kuqe

mbi shtratin antik me sustë

që çdo çast,

shtytjet në bark ndjente…

Gjer atë të djelë, 

kur erdhe në jetë, vjeshtën e parë

dhe më mësove ç’është dashuria,

se ç’është mëmësia.

Për ty e bëra këtë,

për të patur zëmrën pranë tëndes

me dëshirën e zotave.

 

Tani,

zambakë të bardhë çel dashuria yte.

 

Mami, 8 shtator 2018

Melbourne

 

 

 

 

NATYRË E QETË

 

Ti ishe aty,

në ekspozitën fotografike të së dielës.

I qeshur,

i ngrohtë, i afërt, i largët.

I shkujdesur

duke kafshuar thonjtë,

shtrirë mbi bar,

këmbëkryq mbi një stol

duke përkëdhelur një fëmijë 

duke kërkuar nëpër natë 

të puthje hije yjesh.

Ti ishe aty,

me pëllëmbët e forta hapur mbi tryezë,

përballë predikueses së fatit.

Sytë e tu të marrë peng

nga ajo natyrë e qetë

që derdhej nga muret në përdhesë.

Ti ishe aty,

duke lexuar të rejat e ditës,

të vjetra sa mosha e këtij universi,

faqen kthyer në lajmërime

dasmash e vdekjesh,

me shpresën për të gjetur 

një vend sado të vogël bosh.

Ndërsa të qëndroj përballë,

një nusepashkë,

si vështrimi yt,

më ulet mbi flokë butësisht.

 

AS.C

e dielë 26 gusht 2018

Melburne

 

 

 

MUZIKË E PALUMTUR

 

Po shuhet dita.

Milingonat në njomishte shtyhen,

nxitojnë të kapin tingujt e harpës

që hije i bëjnë fushës me grurë.

Mes kallëzave të pjekura,

i pa frymë,

ti pret puthjen e fundit.

Të duhet një këshillues

dhe një palë këpucë,

për dimrin që po afrohet.

Ç' pjesë luhet?

Muzikë e palumtur!

E ul sytë duke u arratisur 

nëpër shtigje e rrënoja,

ku këmbët e notave detare

nuk kanë shkelur akoma,

ku copëza kujtimesh

nga jeta e kaluar

kanë mbetur shpellave,

larg që këtu,

larg nga liqenet me mjellma

ku fjalët e një teksti

përplasen pas pemëve,

e degët thurin kurorëza

me nyje sythash,

e qielli përkund ison e reve.

Harpa në duart e tua

ngjan me një lëkurë të bardhë

që struket nën diellin e fortë.

 

Fakt, apo një tjetër truk i imagjinatës sime?

Tashmë jam mësuar të vrapoj kundër erës.

 

AS.C 

Melbourne

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00