Aromë blirësh
Në këtë univers, që zgjerohet pafundësive kozmike, fatet tona s’do të përplasen kurrë.
Aromë blirësh
Nga Artur Baku
Në këtë qytet
dimrat vijnë rrallë,
si grup muzikor rroku
në një provincë,
që njerëzia e pret
me një gotë verë
të ngrohtë në shesh.
Ndryshe janë kthimet tuaja,
ashtu pa bujë
ti tretesh në ajër
mes aromave të blirëve,
shndërrohesh në shpirt prej uji,
futesh në poret e qytetit,
harrohesh.
Rrugë
Nuk di ku t’i fshihem
kësaj stuhie yjore,
që pikon zjarr mbi gjithësi,
por akull mungesa jote.
Ja, erdhi viti elektoral,
të gjitha rrugët e universit
u rikonstruktuan me tendera të hapur,
veç rruga ime për tek ti
mbetet e papërfunduara e vetme e kësaj bote.
U thinjën dhe hyjnitë
nga pritja e ndërtimit të një rruge të vogël të kësaj
bote.
Ku t’i fshihem kësaj stuhie yjore?
Të gjitha rrugët më çojnë te mungesa jote.
Paradoks
Thonë se universi
po zgjerohet,
yjet po rendin kuturu
drejt hapësirave të reja
me turravrapin e dritës.
Ndërsa ne jemi po aty
ku na fl aku Big-Bengu
para 5 miliardë vjetësh,
në të njëjtën
largësi nga njëri-tjetri,
endemi rrugicave
të një bote të vogël,
bareve të një qyteti kaotik,
rrotullohemi paqësisht
rreth egove tona urbane
me paradoksin zanafi llor:
në këtë univers, që zgjerohet
pafundësive kozmike,
fatet tona s’do të përplasen kurrë.
Comments (0 posted)
Post your comment