Home | Literature | Cikël poetik nga Shkëlqim Çela

Cikël poetik nga Shkëlqim Çela

image
Çizmet vorbulla të vogla, cuname pellgjishtesh,

Kullon mall kënetash dhe kallamishtesh...

 

 

 

 

 

Shkëlqim Çela 

 

 

Shqipëri fushore

 

 

Amfibë të kapur me llamba petromaks,

Natën,

Sarkazma me Paris s’vonon,

Bëjnë mirë dhe për seks, flasin fshatarët e fshatrave fushorë,

Me eksperienca të lagëta dhe çapkënllëk tërfilesh 

Që zgjatet në vend të balukes,

Krater komete në flokë,

Aty ku lopa lëpin

Kripëra të shijshme balli,

Balash e bretkosa kanalesh të parë kullues,

Shkelje syri, qesëndi, kollë e shtirur,

(Në metropole bën fir testosteroni,

Dhe meshkujt po quhen gjithnjë e më shumë Xhastin,

Emër unisex si berberhanë rrethine…)

Toka të qullura lezhiane,

E dua Lezhën, por nuk vonon

Sarkazma me emrin e vjetër Lesh,

Pastaj Venecia

Dhe kanale-grande,

Shkodra një vrap ure më andej,

Krap e liqen,

Dialekti u vjen nga Venediku,

Emri i rralluar Gac,

Shkulur pa kriter si çaji i malit,

Kërminj nuk ka por dhe s’duam, 

Siç as breshka, buonxhorno e dopolavoro.

Çizme dhe natë,

Tuba drenazhi bllokuar si enë gjaku

Në një kuzhinë me sallo të vjetra,

Bretkosat bëjnë mirë…, he, he, he,

Lundërza e gondola llafesh lënë pas fjolla suprinash ujore,

Çizmet vorbulla të vogla, cuname pellgjishtesh,

Kullon mall kënetash dhe kallamishtesh, 

Llum ligatine, pelikan e Karavasta,

Komunistët i prishën ekosistemet

Me perëndime të rrafshta bonifikimesh,

Quhet “përmirësim ujor”,

Me shqipe shqiptarësh të vërtetë

Rrafshultash e fushash të përmbytura

Si klasat.

 

 

 

 

 

 

 

Nicht(s)

 

 

 

Isha iftiaç për ca fjalë mbloje,

Ninullë që të ma vinte në gjumë trishtimin…

Si karakter drame që përmbush qëllimin

Plaku i huaj u zhduk pas siparit,

Proverbi që doja nuk e la strofkën

E gojës së tij të lodhur nga urtësitë,

Sikur t’më frikohej.

Nuk kish gjë të mençur atë mbrëmje,

Kisha ish e zbehtë, Zoti nuk premtonte,

Një klub nate dhe disko hapën gojët në qendër

T’më përpinin me urinë e vjetër për pre.

 

 

Të linjtat e mundshme të natës më trembën

Më keq se lakuriqët në gërmadhë,

Nga kangjellat e rrugës ra një gjethe

Hekuri të rrahur të ftohur qyshkur,

Ish kjo hënë e paftuar apo re të trasha

Që gjë s’po kuptonin?

Një plak prej Shqipërie vegoi hologramën

Dhe tha një fjalë të harruar: Taksëz

Që zuri vend si predha e vjetër

Në shpatullën time rezervë të invalidit.

 

 

 

 

 

 

Shtegu apalash

 

 

 

Në Blue Ridge Mountains, ku nisin malet,

Djaloshin tek rripat shtrëngoi unë pashë,

Po nisej për rrugën me muaj të gjatë,

Po nisej Shtegut Apalash.

 

Do ikte në këmbë udhë e pa udhë,

Vetëm me drurët dhe zogjtë larash,

Po nisej djalosh të soste si burrë,

Po merrte për Shtegun e gjatë Apalash.

 

Doja t’i thosha kujdes e këshillë,

Por diç më mbajti dhe gjë nuk i thashë,

Unë udhë në jetë kisha bërë shumë,

Por jo ama Shtegun pa fund Apalash.

 

Kur dola në botë u shfaqa viktimë,

Të zgjoja keqardhje, mëshirë, Karitas,

Argasur rrugicash me mure të grirë,

Por jo ama Shtegut të gjatë Apalash.

 

Mësuar të shaja mexhlis-shoqërinë

Isha, dhe zyrat e shtetit abrash,

Në mbrëmje tek ktheja shaja shtëpinë,

Ama s’flija nën yje dhe pyje përjashtë.

 

Për këmbët e lagura doja mangall,

Për gjumin qafir ndonjë rrëfenjë të avashtë,

Një herë zëmekur e një herë kuitëse,

Bijë thashethemi, bir-llafe-grashë.

 

Bir në zarin pa fat nëpër tavlla

Duhani lektisur për kollën e vrazhdë,

Parathënie veremi e ankimi për fatin

Ripërtypës të qarash mbi kashtë e nën grazhd.

 

Dhe s’kisha lidhëse të shtëngoja këpucë,

Çizme marshimi e rripa të trashë,

Një sprovë të ndershme që ti në qofsh burrë

Përshkoje i vetëm Shtegun Apalash.

 

Se trim unë doja, por dhe shokë shumë,

Se nata të frik e pylli të ntrash

Me heshtje dhe bosh dhe sikter-vetminë,

Siç bën mijëra milje Shtegut Apalash.

 

U mburra se vija nga vendi me forë

Ku ferrit i bien, siç thonë, pash më pash,

Ku veç mbijetohet, por kund s’mbërrin kurrë,

Si burrat e bërë Shtegut Apalash.

 

Doja të lidhja fort kapistallët,

Çantën e shpinës, udha-mbarë e mirë-ardhsh,

Veten ta masja me vlerë lëkure,

E tëmthi e zemre Shtegut Apalash.

 

Më mbajti një fre, një thinjë e surdinë,

Një zgjedhë e vjetër prej kau balash,

Një pendë qe që tërheqin një këmbëz,

Dyfeku i plasur, patickë a kallash.

 

Në Blue Ridge Mountains, ku nisin malet,

Veten që dot s’u bëra unë pashë,

Po nisej për rrugën me muaj të gjatë,

Po nisej Shtegut pa fund Apalash.

 

 

* Shkëlqim Çela është fitues i edicionit të dytë të Çmimit “Kadare 2016”.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00