Home | Literature | Frederik Rreshpja, i mallkuari me art

Frederik Rreshpja, i mallkuari me art

image
Hëna ikën nëpër mjegulla / si varka e dhëmbjes sime / apo / Vinë dallgët dhe bëhen lotë /. 

 

 

 

 

 

Nga  Dr. Yzedin Hima

 

 

 

Kumtesa e mbajtur në Konferencën e organizuar nga Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Tiranë

 

 

 

“… Vërtetë që kam fituar shumë pak në këtë jetë, 

Por humbjet i kam patur të mëdha.” F. Rreshpa

 

 

 

Në “Letërsinë e penguar” dhe në të gjithë “Letërsinë shqipe” nuk gjen asnjë poet që me aq ashk t’i ketë kënduar humbjes sa poeti Frederik Rreshpa. Ai mund të cilësohet si Kadmi i letërsisë shqipe. Perëndia që i ka qëndruar më pranë unit poetik është Perëndia e Humbjes. Të bën përshtypje fakti që poeti rebel ndaj shoqërisë, rebel ndaj diktaturës, rebel ndaj postdiktaturës, i nënshtrohet Perëndisë së Humbjes, pa protestuar, pa u ankuar. Në tekstin e poezisë “Fat”, poeti i nëmur nuk pranon të ndajë fatin me të tjerë, fatin e tij “budalla”, siç e quan tek kjo poezi. Në këtë tekst dhe në poezinë e tij në përgjithësi nuk e pranon luftën si sfidë a domosdoshmëri, përkundrazi e quan “luftë të kotë”: Unë për fatin tim pikëllohem vetë / S’dua të pikëllohet kush për fatin tim, / Më ndjek pas Perëndia e Humbjes / Me mermerin e thyer në luftra pa kuptim. / Mendoj se poeti Frederik Rreshpa pranon të ndajë me të tjerët, pra me lexuesin vetëm dhimbjen estetike që buron nga tekstet e tij poetike, dhimbje që e fisnikëron shpirtin e njeriut. Ai nuk kërkon bashkëvuajtës, por kërkon bashkëlumturues të përjetimit estetik të artit të tij të pazakontë.

 

Poezia “Zog i vogël” nis me vargjet: Tani ti do të ikësh qiejve. / Por akoma fluturimi yt rrin në duart e mija. / Në tekst ndihet shqetësimi për humbjen, ndonëse ende zogu i vogël gjendet në duart e unit poetik. Bie në sy se vëmëndja e unit poetik nuk është te objekti, zogu i vogël, por te veprimi, fluturimi ( Fluturimi yt rrin në duart e mija). Zogu nuk është me zog, por fluturim dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë kurrsesi në çerdhen e duarve, Në dy vargjet që vijojnë paralajmërohet humbja e moskthimi: Mos i harro duart e mija!/ Në një çerdhe të tillë njerëzore / s’ke për t’u prehur kurrë më . /

 

Frederik Rreshpa nuk e shikon humbjen si fatalitet, por si diçka të zakonshme, të pritshme që do të ndodhë, herë- herë edhe të domosdoshme. Madje ai e grish zogun e vogël të shkojë, i vetdijshëm për humbjen e re në radhën e gjatë të humbjeve: Shko të presin qiejt! / Kam pasur shumë gjëra që i kam lëshuar me duart e mija. / Kam pasur shumë dashuri që ikën një nga një…/ Në këto vargje duket sikur shfaqet ndjenja e mazohizmit, përjetimit të kënaqësisë që vjen nga vuajtja, por si edhe në rastin që përmendëm më lart, te poezia “Fat”, altruizmi është ndjenja mbizotëruese.

 

Frederik Rreshpa është para së gjithash poet. Para se të jetë i burgosur politik, disident, publicist, ai është veçanërisht poet. I vetdijshëm për këtë fakt ai pothuajse nuk e përmend fjalën burg në tekstet e tij. Një njeri që ka kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet në burgjet e diktaturës e ka pështyrë fjalën burg para se të marrë penën: “Unë muret dhe prangat i pështyj” - shkruan ai. Vërehet përkujdesja e tij që të mos përmendë fjalën burg, por në vend të saj të përdorë fjalën muret. Të krijohet ideja se burgu me mizoritë e tij ia bëjnë pis dashurinë e tij të madhe dhe të vetme, poezinë. 

 

Frederik Rreshpa e dënon fjalën burg, e dëbon atë nga tekstet e tij, duke mos e shqiptuar dhe duke mos e shkruar kurrë në krijimet e tij. Fjala burg, mbart për të atë kujtim të tmerrit, atë punishte të çnjerëzimit, ndaj ai e refuzon me mospërfillje. Dy janë fjalët që është e pamundur t’i takosh në tekstet poetikë të Frederik Rreshpes, fjala diell dhe fjala burg, ndonëse, poeti Frederik Rreshpa nuk doli nga burgu kurrë. Edhe postdiktaturën e pa si zgjatim të diktaturës në kushte të reja. Nëse te tekstet e tij poetikë miti i humbjes është miti dominues, miti i metamorfozës ndeshet më rrallë. Subjekti mendues në diskursin poetik të Frederik Rreshpes ndihet më komod i prangosur nga zinxhiri i humbjeve se sa nga komforti që vjen si rrjedhojë e procesit të shndërrimeve dhe konvertimeve, ndaj kur ndjen se duhet të shndërrohet, ai zgjedh shndërrimin në vjeshtë a dimër dhe në pamundësi zgjedh vdekjen, si shndërrim sublim.

 

Në tekstin poetik “…Është një zog” fati i unit poetik është i parathënë nga një zog i vogël që vajton natë e ditë. Është fati a fataliteti i tij: 

 

/U shuan yjet në pëllëmbët e mija / Dhe sytë e tu u bënë dimër. / E kam ditur ç’braktisje më pret,/ Moti ky zog ma ka thënë. / 

 

Më poshtë poeti pohon metamorfozën e tij në vjeshtë, si akt vetflijimi, jo si mundësi shpëtimi. Kur e gjen shtëpinë e gjetheve të kyçur me hënë, poeti ndihet edhe më fatkeq, sepse nuk ka as ku të vdesë: Do të bëhem vjeshtë dhe do të shkoj / Të vdes te shtëpia e gjetheve. / Shtëpia e gjetheve kyçur me hënë. / O Zot! Nuk kam as ku të vdes…/ Kjo britmë ekzistenciale tregon për shqetësimin e përhershëm, pamundësinë e gjetjes prehje si njeri dhe dëshirën e përhershme për t’u shndërruar si mundësi shpëtimi.

 

Trishtimi është shenjë semantike në tërë diskursin poetik të Frederik Rreshpes. Pohimi “Unë kam qënë trishtimi i botës” e vesh këtë dukuri të poezisë së tij me petka kozmike. Metamorfozat në të gjithë tekstet e Frederik Rreshpes janë metamorfoza formale, që kalojnë nga një formë në një tjetër me synime thellësisht estetike. Te Frederik Rreshpa miti i metamorfozës përdoret pothuajse në të gjitha rastet në funksion të rrafshit estetik të tekstit. Në tekstin e poezise “Dhembje”, malli ngjitet nëpër rrënjë dhe shndërrohet në lule. Qershia, që e mbolli nëna e unit poetik shndërrohet në motër të tij. Era e përkund pikëllimin e luleve dhe ato shndërrohen në duart e nënës vizatuar në erë. 

 

Në një tekst tjetër poetik e dashura ekziston si e mira ime prej lotësh, pra si dhimbje, e parealizuar, vetëm si ekzistencë estetike, në një tjetër tekst drurët janë shndërruar në antena që nuk përcjellin asnjë lajm: Drurët, si antena ku zërat kanë vdekur, pikëllimi i unit poetik shndërrohet në një kalë të zi te poezia “Dashuri e humbur”: Kali i Zi i Pikëllimit ç’më rrëzoi / dhe rashë si në balada. /, vetmia në poezinë me titull “Oremus” shndërrohet në dru: Vetmia mbi supin tim / Rëndon e bëhet dru. /

 

Në tekstin e poezisë “Det”, hëna shndërrohet në varkë të dhimbjes, ndërsa dallgët sipas një logjike të brendshme në lotë: Hëna ikën nëpër mjegulla / si varka e dhëmbjes sime / apo / Vinë dallgët dhe bëhen lotë /. 

 

Poeti Frederik Rreshpa nuk i beson Itakës në botën e trillimit artistik, sikurse poeti Frederik Rreshpa nuk i beson Itakës në botën e njëmëndësisë. Itaka për unin poetik është sajim, ajo nuk ekziston. Në poezinë e tij ka një odise të vetme, odiseja estetike. Uni poetik udhëton në gjuhë. Të gjitha peripecitë i ndesh aty. “Çirçja” në odesenë e tij estetike është pikërisht gjuha. Për shkak të magjepsjes së saj uni potik pëson ata metamorfoza që përmendëm më lart. Në librin e tij poetik “Erdhi ora të vdes përsëri”, cikli i parë titullohet “Nuk jam një Odise i shpikur”. Përdorimi i fjalës ishull në vargun se kam nevojë për ishuj do të thotë se uni poetik kërkon ishullin si veçim, si vetmi: Zot, jam tmerrësisht i vonuar! / Tani duhet të isha diku përtej shiut. /… Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është, / Por nuk jam një Odise i shpikur. / Eh, Itakën time e kam shpikur vetë, / Se kam nevojë për ishuj. / 

 

Destruksioni i mitit të Itakës në tekstet e poezisë së Frederik Rreshpes, mendoj, është rrjedhojë e koncepteve që ka poeti për botën, individin dhe fatin e tij. Rikthimin ai e sheh si ndryshim të rrjedhës së fatit me dhunë, gjë që ai nuk e beson dhe nuk i pëlqen të ndodhë. Rrjedha e fatit për të është një proces i pandryshueshëm, i paracaktuar dhe i pakorrigjueshëm ( ose i padhunueshëm).

 

Që nga fëmijëria, rinia, e deri në fund uni poetik ka qënë i mallkuar me art, që do të thotë se kishte një perceptim krejt origjinal për botën, një perceptim thellësisht estetik të saj, gjë që e pengonte të jetonte normalisht mizerjen si të gjithë njerëzit e tjerë. Mallkimi me art është për unin poetik, me sa kuptojmë, mungesa e pragmatizmit, gjë që në këtë shoqëri shihet si anormalitet. Në tekst pohohet se kjo natyrë e unit poetik gjatë udhës së tij mbeti e pandryshueshme, e pamodifikueshme: Që fëmijë e kam kuptura se kasha lindur / I mallkuar me art. / Gjërat i shihja ndryshe: / Nëpër shirat e vdekur /Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet. / Në vend të borës binin zogj në çdo dru. / Era si ketër brente degët. /

 

Frederik Rreshpa e përbuzi realitetin ku jetoi dhe u fsheh në një realitet artistik, të cilën e krijoi me artin e tij të pazakontë. Po mu në mes të shtegëtimit të tij estetik, ndalet dhe çmitizon edhe profetët e rremë, edhe të kryqëzuarit, edhe biblikët: / Dhe kemi qenë tmerrësisht të persekutuar./ Dhe jemi biblikë me biografi të mirë./ Mjerë ju po i besuat çdo të kryqëzuari!... Vargu “Mjerë ju po i besuat çdo të kryqëzuari” është varg tronditës.

 

Poeti Frederik Rreshpa qe arratisur në gjuhë shumë më herët se sa çasti kur i trokitën te porta dhe fizikisht e prangosën për ta çuar në burg. Edhe pas vitit ’90, në postdiktaturë, poeti Frederik Rreshpa e refuzoi atdheun real, nuk u kthye kurrë shpirtërisht në të. I mbeti besnik atdheut a botës prej gjuhe të krijuar që në rininë e tij, deri ditën kur ndërroi jetë. Madje poeti Frederik Rreshpa qenien në këtë jetë e quan si një robëri pa fund, ku njeriu është i destinuar të jetojë me prangat dhe vetëm vdekja është lirim nga ato pranga, pra lirim nga robëria për t’u kthyer i rilindur në gjuhë: E fundit erdhi vdekja dhe m’i hoqi prangat / Tani, o njeri, je i lirë…

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00