Home | Literature | * * *

* * *

image
Vjen një çast, që fantazia bëhet copë e çikë dhe, në mos paç tjetër jetë, s'ke nga ia mban...

 

 

 

 

Fyodor Dostojevski

 

 

 

 

 

“- Doni të dini me të vërtetë se kush jam?

- Po, këtë dua të di.

- Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?

- Po. Në kuptimin e mirëfilltë..

- Dijeni, pra: jam tip më vetë!

- Tip më vetë? - thirri vajza dhe kukurisi hareshem, shpenguar, si ata që kanë kohë që nuk kanë qeshur me gjithë shpirt. - Qënkeni i lezetshëm! Ulemi në këtë stolin këtu? Nuk kalon kush në këtë vend, s'na dëgjon njëri. Pa hë, tregoni tani për veten. Se, sado që thoni se nuk keni historira, nuk kam si e besoj, doni të më fshiheni... Po më parë më thoni se ç'do të thotë kjo: tip më vetë?

- Po ja, njeri origjinal, jo si të gjithë, qesharak njeri! - i thashë dhe ia krisa i pari të qeshurit, ashtu si bëri ajo pak më parë. - Punë karakteri është. Po ç'do të thotë ëndërrimtar, e dini?

- Ëndërrimtar? E si s'e ditkam? Unë jam vetë ëndërrimtare. Rri ulur pranë gjyshes dhe ç'nuk më shkon në kokë! Tjerr e tjerr histori në qejfin tim! Deri për martesen me princ kinez... S'është dhe aq keq të ëndërrosh! Ama, edhe këtë si ta marrësh, sepse në ke për ç'të mendosh në të vërtetë, ëndërrimet nuk kanë ç'të duhen, - shtoi mjaft serioze.

- E po, bukur fort! Në paskeni patur në ato ëndërrimet tuaja martese me princ kinez, del që më kuptoni si s'ka më mirë. Dëgjoni, atëherë... Por më parë emrin. Ju si quheni?

U kujtuat, më në fund! Më mirë vonë se kurrë!

- Vërtet! Keni të drejtë! Po ja qe edhe pa të e ndiej vetën aq mirë me ju!...

- Më quajne Nastenjka.

- Vetëm kaq?

- Po pse pak ju duket? S'u kënaqkeni kollaj ju!...

- Jo, s'më duket pak!... Nastenjka, qenkeni shpirt njeriu! Që me takimin e parë më jeni Nastenjka...

- Ashtu, de!”

 

 

"- Më falni! Se si më doli padashje!... Po si mund të jetë që në ca çaste si këta të mos kesh dëshirë...

- Që t'i pëlqesh tjetrit?

- Po! Se, kini mirësinë, merrni mundimin dhe gjykoni vetë kush jam! I mbusha njëzet e gjashtë vjeç, kurrë s'më ka ndodhur të shoqërohem me ndonjë... E si mund të flasësh si duhet? Pale pastaj që të tregohesh i shkathët... Se juve ju volit që unë t'u zbërthehem, se kështu mund të më njihni si duhet... Të më çmoni se ç'markë jam... Duket sheshit që nuk ditkam të hesht, kur më flet zemra! Po, nejse... Ma besoni këtë: nuk kam pas të bëjë kurrë me ndonjë grua! Kurrë! Asnjë të njohur nuk kam! Vetëm ëndërroj çdo ditë të njihem me ndonjë, që të takoj ndonjë... Ju as me mendje s'e merrni dot sa herë kam rënë në dashuri në mënyrë imagjinare!...

- E si kështu? Cilën paskeni dashuruar?

- As dhe një! Konkretisht asnjë kam dashuruar. Jam dashuruar me idealin... Me atë që e kam parë në ëndërr... Dhe ëndërrimet e mia shkojnë deri aty, sa sajoj romane të tërë!... Ju s'keni si e merrni dot me mendje se ç'ndodh me mua! Se edhe fare pa gjë nuk është se kam qenë, kam patur të bëj me nja dy a tri gra, por u thënçin! Nënole, shtëpike kanë qenë... Ndoshta dhe do qeshni po t'ju them, se disa herë kam dashur t'i drejtohem, ja, kështu thjesht, ndonjë aristokrateje. T'i zë pusi në rrugë, t'i afrohem, kuptohet, kur është vetëm, t'i hap muhabet, domosdo, me ndrojtje e respekt, me përkorje e delikatesë, por edhe me pasion e ashk, ta lus të mos t'më përbuzë, të mos më flakë tej, se ja që nuk jam i zoti t'u afrohem grave për të qenë, por edhe t'ia kujtoj që është në detyrën e femrës të mos tregohet zemërgur e para lutjeve dhe përgjërimit të një fatkeqi si unë!... Se, fundja më në fund, ç'jam duke kërkuar? Të më thotë dy fjalë që të ma ngrohë zemrën, fjalë vëllazërore, të marrë pjesë në gjendjen time të mjeranit dhe të mos më largojë me përbuzje e përçmim; të ma besojë fjalën e nderit, ta peshojë e ta vlerësojë si duhet atë që po i them, në dashtë le të më qeshë, por pa shpresë të mos më lërë, të më thotë qoftë edhe dy fjalë, vetëm dy, e pastaj le të dalë ku të dalë... Në s'ia ka ënda, le të mos më takoje më!... Po e shoh që po qeshni!... Më mirë s'ka si bëhet, ndaj dhe ju fola fola kështu...

- Mos ma merrni për keq! Po qesh, ngaqë po shoh se qenkeni armiku i vetes. Në e provofshi këtë që thoni, qoftë edhe ashtu thjesht, në rrugë, ndoshta dhe do arrini diçka, se sa më e çlirtë dhe e sinqertë biseda, aq më mirë... Asnjë grua me zemër, në mos qoftë e mërzitur nga jeta, nuk do ju sikterisë, do jua shqiptojë ato dy fjalë të ngrohta që po i kërkoni me aq përulësi e përgjërim... Po ç'them kështu? Do t'ju merrte për të lojtur!... Ja, të kisha qenë unë, kështu do ju merrja! Se kam parë e ç'nuk kam parë në këtë fare botë unë!...

- Ju faleminderit! - thirra. - Ju as që mund ta merrni me mendje sa shumë jeni duke bërë për mua që po flisni kështu!

- Mirë, mirë! Tani më thoni, nga e kuptuat që qenkam një nga ato... që ju vetë sapo i quajtët të denja që t'u kushtojnë vëmendje dhe t'u dhurojnë miqësi... dhe nuk qenkam nga ato "nënolet shtëpiake", për të cilat sapo folët? E pse ju mbush mendja të më afroheni?

- Pse? Po sepse ishit vetëm, zotëria i panjohur po ju ndiqte, është natë... Dhe vetë e kuptoni, është detyrë e secilit...

- Jo, jo! S'e kisha këtu fjalën. Ju deshët të më afroheshit përpara kësaj, që atje, te parmakët e kanalit.

- Atje? Te parmakët? Nuk di ç't'ju them. Kam frikë mos... E dini çfarë? Sot e kam ndjere veten të lumtur!"

 

 

"- Oh, Nastenjka, Nastenjka! Ju as që mund ta merrni me mend sa shumë po më ngazëlleni! Po më pajtoni me vetveten! Nuk kam për të menduar kurrë keq për veten, siç më ka ndodhur rëndomë më parë! Se ku i dihet, mua dhe brenga sfilitëse, që jam treguar armik i vetes, ndoshta do më daravitet! Se jo një herë ia kam nxitur vetes mendimin që jeta e jetuar ka qenë mëkatare dhe deri kriminale. Dhe mos pandehni që po i zmadhoj gjërat. Kam kaluar e jo pak çaste trishtimi të pangushëllueshëm!... Më ka rënduar si plumb në zemër vetëdija e pazotësisë për të jetuar me të tashmen, me realen; e kam katandisur veten deri në atë farë feje, sa e kam mallkuar fatin tim, e kam sikterisur veten... Se mua, Nastenjka, ja se ç'më ka ndodhur pas netëve të kaluar me fantazime: jam kthyer në realitet, ku gjërat shihen esëll. Gjendje e padurueshme! Sheh tollovinë njerëzore, sheh dhe dëgjon si pulson jeta, vë re që dhe jeta e të tjerëve nuk është e përsosur, e jetojnë ashtu si u vjen, kapen fort pas çdo të mire që kjo u ofron, e përballojnë, kur ju shtie me shkelma, vë re që përtërihen e mëkëmben pas fatkeqsive, deri dhe rilinden; habitesh që asnjë minutë e jetës nuk ngjason me të mëparshmet, ndërkohë që fantazimet janë mërzindjellëse në monotoninë e tyre, janë frikamane para pengesave, skllave të vegimeve dhe të hijeve, të ideve dhe të hamendjeve të nxehta, ato janë skllave të resë, që e mbulon befas diellin dhe e mbush me pikëllim zemrën e vërtetë petërburgase, e cila, ngaqë e çmon aq shumë ndaj dhe drithërohet po aq shumë, kur e sheh t'i fshihet. Se fantazia në pikëllim ngjizet e harbon! Mirëpo vjen një çast që e ndien si venitet, si kapitet e deri vdiret në tendosjen e saj të pandërprerë, pa të cilën s'ka si bën, e sheh këtë dhe bindesh që fantazimet nuk janë të pashtershme, pale që edhe vetë ti zë e burrërohesh, i braktis ëndërrimet dhe përsiatjet e dikurshme... Vjen një çast, që fantazia bëhet copë e çikë dhe, në mos paç tjetër jetë, s'ke nga ia mban, do s'do detyrohesh dhe sajon nga rrënojat, bashkon mbeturinat e së parës. E pra, shpirti të do një të re! Ëndërrimtari i gjorë më kot zë e rrëmon në hirin e fantazisë së shkrumuar, për të gjetur aty ndonjë kongjill të ndezur, që t'i fryjë e t'i fryjë, me shpresën mos ndizet zjarri i ri, ku të ngrohë zemrën e kallkanosur, dhe të rimëkëmbë atë që dikur ishte aq hamngjitëse dhe joshëse, që ia rrëmbente shpirtin dhe ia vlonte gjakun, ia rrëmbushte sytë, duke e mashtruar me aq marifet! Dhe e dini, Nastenjka, sa keq u katandisa? S'më mbeti tjetër veç të festoja përvjetorin e ndijimeve të para fantastike, të atyre që pandehja se i pata përjetuar, kurse në vërtetë nuk i pata përjetuar, sepse edhe vetë përvjetori si i tillë imagjinar ishte, pjellë fantazie qe. Iu drejtova përkujtimit, ngaqë më mungonin fantazi të reja, nuk kisha nga i shtrydhja! Se ëndërrimet shtrydhen, Nastenjka! Ma kishte fort ënda të vizitoja ato vende, që lidheshin me lumturinë time të dikurshme, ta përshtasja të tashmen në përputhje me të atëhershmen. U ënda në ato rrugë të zymta pa ndonjë synim apo qëllim real, të përcaktuar, u sorollata sa desha nëpër Petërburgun aspak gazmor dhe kujtova e kujtova sa u enjta të përjetuarat asohere. Shihja me sytë e mendjes si ecja i vetmuar në po atë trotuar, si më mbyste pikëllimi dhe angështia, i rënduar nga ato fantazime aq të lemerishme. Nuk them se atëherë isha në gjendje më të mirë shpirterore, ama më i qetë se tani isha. Atëherë jetohej më këndshëm, s'i kisha tërë ato mendime të zeza për të cilët sapo ju fola, por as këtë vrasje ndërgjegje që po provoj tani. Endesha në atë përvjetor dhe thosha me vete: "Sa shpejt që fluturojnë vitet!" dhe pas gjithë kësaj, përsëri ajo pyetja brengë: "Po ti ç'je duke bërë, ndërkohe që vitet fluturojnë? A po e jeton jetën? Se vitet ikin e shkojnë dhe të troket pleqëria, bashkë me të dhe pafuqia, po edhe lloj-lloj mënxyrash! Se bota e fantazisë një ditë prej ditësh do të vdiret, ëndërrimet do shuhen e fashiten, do bien në tokë si gjethet në vjeshtë!..." O Nastenjka! Sa e trishtueshme është të mbetesh vetëm, fillikat dhe të mos kesh për çfarë të të vijë keq, asgjë të mos kesh!... Se ato që ikën e vanë nuk qenë ndonjë gjë, flluska sapuni ishin, gjëra pa bereqet!"

 

"O Zot! Të provosh qoftë edhe vetëm një minutë lumturie të madhe, të vërtetë, pse pak qënka kjo për një jetë njeriu?..."

 

 

 "Net të bardha" 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00