Cikël poetik nga Ahmet Selmani
Pushtetari me kravatë lëkure e mban premtimin e dhënë...
Nga Ahmet Selmani
Udha e Dëshpërimit
(ose gjetja e një shprese)
Udhës së dëshpërimit
i futa duart në një gërmadhë të frikshme
dhe gjeta veç një shpresë.
Premtimi i realizuar
(ose kanalizimi i popullit)
Pushtetari
me kravatë lëkure
e mban premtimin e dhënë
dhe popullit ia rregullon kanalizimin
për ta zbrazur lirshëm jashtëqitjen e vet
nga ëndrrat e thata që ka ngrënë çdo natë.
Piktura e përkohshme
(ose poezia për vjeshtën)
Një gjeth vjeshtak
është pikturë e përkohshme
që e di se do të kalbet nga shiu
dhe do të mbetet send i shëmtuar
ndaj shpejt struket në kujtesën time
që të jetojë gjatë me bukurinë e vet
të mburret edhe me mbijetesën
madje edhe të shndërrohet
në poezi për vjeshtën.
Urrejtja e Lumenjve
(ose shikimi pa u prekur)
Sonte i urrej
të gjithë lumenjtë
që na hyjnë në mes si thikë
dhe na bëjnë të dukemi si dy brigje
që e shohin njëri-tjetrin nga larg pa u prekur.
Comments (0 posted)
Post your comment