Home | Literature | Rubikon

Rubikon

image
E gjithë Itaka ime një observator sedefi

brenda një avllie të vjetër me jargavanë...

 

 

Nga Artur Baku

 

 

Mapoja e vjetër

 

Mapoja e vjetër, ku dikur im at

më blinte lodra kineze

me bateri të skaduara

e unë, fëmijë i lumturuar,

rrekesha të kurdisja breshkat,

tanket, autobusët, kuajt me bateri të skaduara,

pa e kuptuar se vetë koha

ishte orë loje me bateri të skaduara,

që priste fëmijët e mesnatës për ta kurdisur.

Neonet e mapos së vjetër

vazhdojnë të ndizen e fi ken

nga komandat e roleve

si pulsimet e një fari porti të largët,

që zgjohet nga sirena anijesh

dhe kotet nën hënën endacake.

 

 

 

 Jorgji Kalamitri nr. 101, Shkodër

 

Mes avllive të vjetra observator prej sedefi ,

ku valëzonin kureshtjet e mia për botën,

nga ku kundroja si Galile i vogël zogj dimërakë,

pullaze ku sundonin në heshtje solemne

tymtarë e antena si mbretër që s’njohin abdikim.

Jashtë teje fruta të papjekura

lulëzonin kopshtesh të rrethuar me hajmali

betoni,

çimento e ngrirë mbi hekurishtet e mjekrës së

Karl Marksit.

Kur binte muzgu, ne, si Ruzvelti, Çërçilli e Stalini,

ndanim trofetë e “luftës”,

fruta të papjekura, idhtake si fjalët e një plaku:

“Ikni, more fëmijë hora!”,

idhtake si vetë koha.

E gjithë Itaka ime një observator sedefi

brenda një avllie të vjetër me jargavanë,

ku takohen Galileu dhe Uliksi.

 

 

 

 Rubikon

 

Nëse do isha një Cezar,

beteja ime më e madhe

do të ishte në qytetin e Perëndisë së Ujërave,

aty ku legjionet thyhen pa kaluar

Rubikonin e buzëve të qelqta.

Nëse do isha një Bonapart,

Vaterloja ime do të ishin

mermerët e fytyrës sate

praruar me buzëkuq të zbehtë.

E nëse atëbotë do të isha

ky që jam sot,

prore do dashurohesha

me të njëjtat triumfe e dështime,

do shkruaja poezi të shkurtra,

si kronika triumfesh dhe dështimesh

të paralajmëruara.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0