Home | Literature | Petro Marko: Gjuha dhe Stili

Petro Marko: Gjuha dhe Stili

image
Petro Marko ishte një krijues i palodhur që i la trashëgimisë letrare shqiptare vepra origjinale, autentike, të bukura dhe frymëzuese.

 

  

 Nga Antela Spaho

 

 

Stili është mënyra vetjake e një shkrimtari, stili është vetë shkrimtari. Stili rregullon organizimin e ideve, planin e veprës, por, në përgjithësi, koncepti më i ngushtë i stilit është përdorimi i gjuhës. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se çdo shkrimtar ka stilin e vet. Për sa i përket stilit të shkrimtarit Petro Marko, disa studiues kanë bërë përpjekje për ta klasifikuar si të gjerë dhe energjik. Duke qenë se gjuha është në vetvete një krijesë e autorit, ajo shpreh edhe trashëgiminë kulturore të tij. Petro Marko imiton të folurit e zakonshëm, duke futur e duke bërë të vetat, me një siguri të përsosur, spërdredhjet, karakteristikat dhe frazat e gjuhës së folur. Gjuha e përdorur në rrëfim është kryesisht gjuha e popullit. Në romanin “Një emër në katër rrugë” autori përdor gjuhën e folur të fshatit Dhërmi, por edhe shprehje të gjuhës letrare, duke krijuar fjalë dhe shprehje me zgjuarsi dhe finesë. Në romanin e luftës, “Hasta la vista” dhe në “Qyteti i fundit” ai përdor gjerësisht edhe fjalë të gjuhës spanjolle, italiane apo edhe të gjuhëve të tjera, duke i dhënë rrëfimit një forcë të madhe shprehjeje dhe origjinaliteti, dhe njëkohësisht duke e afruar lexuesin edhe më shumë me personazhin apo ngjarjen për të cilën rrëfehet.

Besueshmëria e një historie nuk varet vetëm nga koherenca e stilit në të cilin tregohet, por edhe roli i teknikës së rrëfimit është shumë i rëndësishëm. Stili i një shkrimtari mund të jetë i pakëndshëm, e megjithatë, në saje të koherencës, arrin të bëhet i efektshëm. Historia që mund të tregojë një roman mund të jetë inkoherente, por gjuha që e formëson atë duhet të jetë koherente, në rast se kërkon të krijojë një inkoherencë reale dhe bindëse. Një shembull për këtë është monologu i Ana-Maria Montit në librin “Qyteti i fundit”: një vërshim kujtimesh, ndjenjash dhe mendimesh. Forca e tij magjepsëse rrjedh nga një prozë që, në dukje e thepisur dhe e copëzuar, nën sipërfaqen e pabindur dhe anarkike, ruan një koherencë të madhe, një vijueshmëri strukturore, që ndjek një model apo një sistem origjinal rregullash dhe parimesh, të cilit nuk i shmanget për asnjë çast. A është monologu një përshkrim i saktë i ndërgjegjes në lëvizje? Jo. Ai është një krijim letrar kaq bindës, saqë lexuesit i duket se po ndjek ecejaket e ngatërruara të ndërgjegjes së Ana-Marias, kur në të vërtetë gjithçka nuk është veçse një sajesë.

Dialogët e shpeshtë telegrafikë, si forma të dialogimit teatral, janë karakteristikë e stilit të Petro Markos. Letrat që personazhet e rrëfimeve të tij marrin nga të afërmit e tyre, janë gjithashtu një veçori e stilit të këtij shkrimtari. Me anë të këtyre letrave narratori shpalos botën e brendshme të personazheve, ndjesitë e tyre, dashurinë, frikën, urrejtjen, mallin për miqtë, shokët, vendlindjen e tyre.

Kur lexojmë prozën e Petro Markos, disa herë na krijohet përshtypja se ai e ka shkruar atë nxitimthi, apo sikur ai nuk është kujdesur fare për ta rishikuar dhe përpunuar tekstin. Por, me sa duket, me këtë lloj rrëfimi, në dukje të shkujdesur e të nxituar, ai ka dashur që të sfidojë format klasike të shprehjes, ka dashur të sfidojë gjuhën, duke i imponuar ritmin rrjedhjes së saj normale, në mënyrë që të mund të shprehte në një formë më bindëse karakteret apo ndodhitë. Mënyra se si shkrimtari e zgjedh dhe e urdhëron gjuhën, përcakton në një masë të madhe nëse tregimet e tij kanë ose jo forcë bindëse. Sigurisht, gjuha e një romani nuk mund të shkëputet nga gjithçka që ai rrëfen: fjalët formësojnë temën. E vetmja mënyrë për të mësuar nëse një romancier ka pasur sukses apo ka dështuar në ndërmarrjen rrëfimtare është të shohësh nëse, me anë të shkrimit të tij, letërsia jeton, çlirohet prej krijuesit dhe jetës së vërtetë, dhe nëse hedh rrënjë tek lexuesi si një realitet i pavarur.

Përshkrimet, meditimet, soditjet e natyrës por edhe të botës së personazheve, në shumicën e rasteve bëhen me një stil të shpejtë, telegrafik:

 

“Mendimet iu prenë. Plasi. Deshi të bisedonte. U ngrit më këmbë. Shokët e tij as që e lëvizën qafën. U shkund një herë sikur të donte të lehtësohej, si ai që shkund dëborën nga trupi. Ta detin që bënte ura të arta gjer në vapor, ku gazi e kënga valonte. Dhe ai as nuk e kuptoi se si shikimi e ndali te shkëmbi i Ana-Marisë. Shumë herë ishte matur të shkonte tek ajo. Ta shoqëronte. Të shkëmbente disa fjalë me të. “Se, kur flet me ndonjë vajzë, gjuha detyrohet të lyhet me mjaltin e gënjeshtrës”. Dhe, po ta kishte parë aty tani, patjetër që do të shkonte. “Sa keq. As ajo s’është atje sonte!” (“Qyteti i fundit”, f. 161)

 

Stili i Petro Markos ngërthen një forcë të tillë bindëse që e bën lexuesin të besojë se kjo është e vetmja mënyrë e rrëfimit të kësaj ndodhie, pikërisht me fjalët dhe frazat që ai ka përzgjedhur dhe atë ritëm. Stili i tij na mban afër asaj që po lexojmë, dhe nuk na pengon të përjetojmë historinë dhe të marrim pjesë në të së bashku me personazhet. Kjo gjë kuptohet kur lexuesi ndien një plotësi, që cilin romancieri arrin ta mbushë me historinë që ka shkruar, një plotësi midis asaj që po tregohet dhe gjuhës me të cilën po tregohet. Ky afrim midis gjuhës së një tregimi dhe historisë që rrëfen ai, krijon forcën bindëse të rrëfenjës. Lexuesi e beson atë që po i tregojnë, sepse shkathtësia dhe përshtatshmëria e stilit bëjnë që ai ta ndiejë se midis fjalës dhe veprës ka një afrimitet shumë të madh, që nxjerr në pah të gjithë sajesën dhe arbitraritetin mbi të cilin mbështetet letërsia dhe që vetëm letërsia e suksesshme ia del mbanë realizojë. Një stil i tillë është i suksesshëm, sepse na duket se është i stili i duhur, kur lexojmë dhe kuptojmë se, po të tregohej ndryshe, pra me fjalë të tjera, e njëjta histori nuk do të na pëlqente.

Në asnjë çast nuk ndiejmë ndonjë ndarje në gjuhë apo në brendi kur lexojmë romanet e Petro Markos. Stili i këtij autori na bind, sepse në të fjalët, personazhet dhe sendet përbëjnë një tërësi të pazgjidhshme. Në veprën e tij ka një shkrirje të përsosur mes stilit dhe brendisë. Stili i tij i përshtatet subjektit dhe shkrihet me të, duke e bërë lexuesin të ndiejë që në fjalitë e para të romaneve se këto vepra kanë tiparet letrare dhe mëvetësinë e letërsisë së vërtetë, dhe se vetëm kështu mund të rrëfeheshin, me këtë gjuhë të thjeshtë, herë-herë ironike, duke u dhënë përparësi ndijimit dhe emocionit. Ngjyra dhe hijeshia e stilit të Petro Markos qëndron, pikësëpari, në përdorimin e metaforave të papritura, mbiemrat dhe ndajfoljet e të cilit trupëzojnë idetë apo përforcojnë një tipar fizik ose psikologjik, ose krijojnë një atmosfere të caktuar.

 

Petro Marko ishte një krijues i palodhur që i la trashëgimisë letrare shqiptare vepra origjinale, autentike, të bukura dhe frymëzuese. Qartësia e stilit të tij nxjerr në pah vlerat dhe origjinalitetin e tij krijues. Ai nuk është i ngurtë apo i vjetruar, por është i gatshëm të thithë thënie dhe shprehje popullore, neologjizma dhe fjalë të huaja, mbrujtur me muzikalitet dhe pastërti konceptesh, pa komplikime apo lojëra fjalësh intelektuale. Nxehtësia, shijet, muzika, të gjitha nuancat e perceptimit dhe orekset e trupit shprehen natyrshëm dhe pa bujë, por edhe fantazia merr frymë me të njëjtën liri, duke u hedhur drejt së jashtëzakonshmes.

Kur lexojmë romanet e tij, jemi të sigurt se vetëm me këto fjalë, me këto nuanca dhe me këtë ritëm, këto rrëfime mund të bëheshin të besueshme, bindëse, të mahnitshme, prekëse, dhe se, pa këto fjalë, romanet e tij nuk do të kishin mundur të na magjepsnin ashtu siç na kanë magjepsur: rrëfimet e tij janë vetë fjalët përmes të cilave ato tregohen.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00