Home | Literature | * * *

* * *

image
Liria është para së gjithash kërkimi i lirisë. Ne s’do ta arrijmë kurrë plotësisht. Vdekja do të na tregojë caqet e çdo lirie personale.

 

 

* * *

 

« Praga, e fejuara e vdekur e Ultavës. Qyteti i braktisur nga shkrimtarët e vet : Rilke, Werfel, Kundera, të mërguarit e ikur për ta thyer « mallkimin e Pragës ». Qyteti i getove, murajave të shpirtit, territoreve të ndaluara ; qyteti i dokumenteve pavetorë, ku gjuha e vërtetë është ajo e pasaportës, e kartës së identitetit, e shkresave burokratike që vendosin se kush është një person, e kush nuk është.

 

Po flas për qytetin që e kam vizituar gjatë dimrit të 1968-ës, bashkë me Julio Cortazar dhe Gabriel Garcia Marquez, për të mbështetur mikun tonë Milan Kundera dhe betejën e pamundshme për Pranverën e Pragës. Mbase nuk ka qytet më të admirueshëm e më të trishtë në qendër të Europës. Vendi më melankolik është varreza e vjetër çifute, një terren i ngushtë, i mbledhur, i rrethuar nga disa ndërtesa të vjetra të nxira. Në vend që të shtrihet, kjo varrezë ngrihet : shtresë mbi shtresë arkivolesh, dhé mbi dhé i hedhur. Një spektër gjeologjik i botës hebre të Bohemisë. Gjethe të kalbura, dhé i zi, varre të zymtë pa rregull. Varret e Pragës janë si një totem. Do të duhej gërmuar si një urith për të gjetur të varrosurin e fundit. Quhet Gregor Samsa. I varur mbi gropën e varrit të tij që është një humnerë urbane, këmbë e duar i lidhur mbi zbrazëtinë e Pragës, nënës së vogël me kthetra, siç thoshte Kafka.

Por, a ekziston një hapësirë tjetër urbane që, me një madhështi dhe harmoni të tillë, ruan në tërë pastërtinë e vet fizionominë e artit, ndryshuese dhe unike, që shkon nga Mesjeta e hershme tek baroku ?... »

 

* * *

 

« ... Sido që ta shohim lirinë, si një vullnet të lirë absolut, apo të kufizuar nga trashëgimia, natyra, fataliteti apo rastësia, thjesht fakti i shqiptimit të emrit të saj është tashmë një akt shprese. Ata që nuk e kanë këtë liri, dinë ta vlerësojnë më mirë se kushdo tjetër. Ata që e mbajnë si diçka të fituar tashmë, rrezikojnë ta humbasin. Ata që luftojnë për të, duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që vetë ky luftim përfaqëson për lirinë ...

Zgjedhje, dorëheqje, impeachments, gjykime administrative, ndarje pushtetesh, peshë dhe kundërpeshë, kontroll i ekzekutivit… Sistemet demokratike kanë shpikur plot mënyra të ndryshme për ta përmirësuar formulën e Madisonit, me qëllim që të jenë vetë qytetarët dhe institucionet ata që ta detyrojnë qeveritë për ta kontrolluar veten, që kështu, këto të fundit, të mos e humbasin kontrollin e popullsisë...

Si ta masim lirinë ? Me sasinë e vullnetit të lirë që institucionet i lënë secilit ? Apo, anasjelltas, me hapësirën që çdonjëri prej nesh i lë autoritetit të institucioneve ? Sidoqoftë, liria qëndron në besimin tek ajo, në luftimin për të. Liria është para së gjithash kërkimi i lirisë. Ne s’do ta arrijmë kurrë plotësisht. Vdekja do të na tregojë caqet e çdo lirie personale. 

Dhe historia do të na tregojë sesi zhduken dhe shndërrohen institucionet që, në kohën e tyre, e kanë përkufizuar lirinë. Por ndërmjet lirisë dhe vdekjes, ndërmjet shkëlqimit dhe tmerrit të botës, në çfarëdo rrethane, kërkimi i lirisë do të na bëjë të lirë... »

 

 

* * *

 

« ... Globalizimi do të gjykohet një ditë. Dhe ky gjykim do ta dënojë nëse ai bëhet sinonim i papunësisë në rritje, shërbime publike në rrëgjim, humbjes së sovranitetit, shpërbërjes së të drejtës ndërkombëtare. Shkurt, nëse globalizimi bëhet vegël e një cinizmi politik falë të cilit, me t’u zhdukur flamujt demokratikë të tundur kundër komunizmit gjatë luftës së ftohtë nga e ashtuquajtura bota e lirë, kjo e fundit t’i fërkojë duart përpara zhdukjes së burokracive totalitare dhe lindjes së kapitalizmave autoritarë, pragmatikë, si në Kinë, megjithëse më e pëlqyeshme – në logjikën globale të pranishme – se neoliberalizmi i dështuar alla rus.

Globalizimi mund të nënkuptojë një botë të padëshirueshme, të sunduar nga logjika spekulative, harrimin e personit konkret, përçmimin e kapitalit shoqëror, përqeshjen përpara mbeturinave të sovraniteteve kombëtare tashmë thellësisht të lënduara, rrëzimin e rendit ndërkombëtar dhe shenjtërimin e kapitalizmit autoritar si formë të shpejtë sigurie, pa asnjë shpjegim tjetër.

Por sfida është aty : Everesti nuk do të lëvizë. Si t’i ngjitemi ? Si t’i shndërrojmë prirjet negative në procese pozitive ? ...

A mund të përfitojmë nga rastet e ofruara nga globalizimi për të siguruar rritjen ekonomike, begatinë, drejtësinë ? E shtroj këtë pyetje sepse, fakti që globalizimi është i pashmangshëm, nuk do të thotë se ai është fatal. Ai duhet të jetë i kontrolluar, i gjykuar në varësi të pasojave të tij shoqërore.

Por a është e mundur të shoqërizohet ekonomia globale ? ... »

 

 

 

 

© Dea J Klosi, në Shqip

 

© Carlos Fuentes

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00