Bardhësia anake
Bardhësia anake, boshësía ndërmjet, qetësia e pamatë, harresa...
Nga Shazim Mehmeti
Bardhësia anake,
boshësía ndërmjet,
qetësia e pamatë,
harresa,
dhe kaq.
As lëvizje,
as ajër ka,
as mendim.
Është
veç skllaveja e mirë
e dritës -
hija n’mur...
* * *
Oh natë,
pasqyrë e ftohtë,
ujërash të largëta!...
Je zog i ujtë
i heshtjes grykëzënë,
paqësi e hollë,
çast ngazëllimi,
këngë pa zë,
heshtje, durim.
E vjedhur, dhe vjedhëse -
grua me sy zjarresh je,
natë, o natë,
ti ftilluese e mirë,
mishin tënd e ftillon, e ha,
gjysmën e ëndrrës,
gjysmën e vetes,
e vjell e mbjell,
te hark’ i agimit,
te lak’ i dritës...
MEDITIM, A S’DI Ç’QE...
Meditim, a s’di ç’qe.
O qe ëndërr,
o qe ëndërr n’ëndërr.
Qe ç’qe,
brenda teje u gjeta
çikurisht.
Një gërshet ne bënim,
prej dy palë këmbësh.
Njomake siç janë,
dridheshin e fryheshin,
buzët e tua.
Buzët e mia
përthithjen gjakonin,
e nuk jepeshin me të tërë.
Por, çikja,
çikjen çikte,
çikurisht.
Nga zjarri i syve tu,
kurajoja e vazhdimit më vinte.
Përtej e më përtej,
e shtynim tundimin.
Pa pra, shpërbëheshin
ca flakë kuqlore mbi faqet e tua.
Mbi tëmtha të gjelbronte,
një jeshile e çelë flakësh.
Krahët e tu, duart e tua,
pa pramje, i latonin kodrinat
mbi shpinën time.
Bark për bark
derdhej ujimi.
Oj,
në harénë e rizbulimit ishim ne,
kur gjuhë e buzë
e mundën durimin.
Dehja e risajimit, trupash na derdhej.
Aromë ëndrre, kishte trupi yt.
Trupi im, tretej e tretej,
n’ëndrrën e ëndërrt.
Qe gati në prishje Aurora e Lulimit,
kur ti më shtyve me duar
e më hodhe në dysheme.
Jo tani! - më the - jo tani! - më the -
tutje do ta shpiejmë
shpërbërjen!...
O sy!
Si kordinë flakësh,
e tëra ti,
sipër meje u hodhe,
e prej trupit tim mal
bëre ujanë,
me sërishjet pa fund...
(nga cikli "LARGAS KËNDONTE NATA")
Comments (0 posted)
Post your comment