Jetë gri
Të hirtën qenies për veten Të verdhën ziliqare... Të kaltrën...
Nga Sibel Halimi
Jetë gri
Jeta është ndërrim rrobash
Palë në komodinën e së tashmes
Më lë të vesh njërën
Të bardhën
ngjitur në përvjetorin e çmendurisë
të atyre që turren pas lirisë
Më lerë ta vesh të kuqërremtën bluzë
Të dashurisë e të besimit në diell
Të hirtën
qenies për veten
Të verdhën ziliqare
Ta shkundë emrin e pluhurosur
Të kaltrën
ta vë si fjongo në flokët e pafundësisë
Të zezën
ta kujtoj jetën e pa jetueme
Të bardhën
vetëdije…
Hijet zhduken me lindjen e diellit
Kur ju u përkulet për të marrë një gurë
e hedhur mbi mua
Kujtojeni veten
Kujtojeni të kaluarën tuaj
E mbase edhe tashmen
Kujtojeni se guri që do të vijë
Do të trasoj një rrugë
Do të ndërtoj një shkallë
për tek vetja
Do të vuaj me dhembjen e shkaktuar nga vet
E ju do të rënkoni nga kushedi
Kujtojeni që unë po e shoh diellin
I kam shporrur hijet …
E gurin po e mbaj në sirtarë
Do të kujtoj ty
Bashkë me të edhe buzëqeshjen tënde
të ngrirë - të shndërruar në kristal
si rruaza stralli do t`i mbaj në qafë …
hijet tuaja t`i nxjerrë zvarrë
ja ku është dielli, ja ku je ti...
Përvjetor i betont
Lufta mbijeton edhe në kohë paqeje
lecka uniformash të harruar në degët e historisë
nana të lodhuna nga rrugëtimi i çdoditshëm drejt lapidarëve
për një kujtesë fytyre a prekje të akullt
Gra me trupa të veshur me hije dhembje
Me shikim të mbyllur e sy poshtë
Një buqetë lule përkujton dasmën e saj
Në çdo përvjetorin e betont
Rrugë, teatro e shkollash
Mbajnë emrin tënd
Nën pullaz kanë absurdin e trishtimit
Ecje e ngarendje pas sinjaleve të dashurisë
Çanta fëmijësh të mbushura me mjerimin e trashëguar
Role e hije personazhesh në dërrasa talias pa aktor
e duartrokitje politikanësh
Tani kollare të zeza
Të varura në këmishën e ëndrrës së pajetuar
Një luftë tjetër nuk ekziston...
Një paqe tjetër nuk ekziston...
Zhurma e heshtjes gllabëron të djeshmen, të tashmen
E ardhmja ka fytyrë bebeje ...
Comments (0 posted)
Post your comment