Lirikë në PragDimër
Stinë vitesh ikën pambarim Lamë pas Lumenj, Kaluam dete...
Nga Vllasova Musta
Lirikë në PragDimër
Në këtë pragdimër
Ç'erë fryu,
Që tek unë të solli
Në fundvjeshtë?
Sapo nisim
Themi dy tri fjalë
Dhe pastaj,
Secili
Vetëm hesht.
Stinë vitesh ikën pambarim
Lamë pas
Lumenj,
Kaluam dete
Dhe një ditë
U ndodhëm rastësisht,
Si anije
Nga të tjerë planete.
S'kemi pasagjerë,
As sirena
Kapiten secili në anije!
Ngremë sytë
Diellin kërkojmë,
Sikur mbledhim rrezet
Fije, fije.
Flasim,
Heshtim
Qetësisht tregojmë...
Asnjë gjë pa thënë
Të mos mbetet!
Ç'ishte kjo puhizë si shkëndijë?!
Në fundvjeshtë
I përflaku detet.
Miqve të mij
Nëse ju them,
Më mori malli,
Besojeni, atë që them
Malli,
Frymon si pjergull
Shtrin lastarët
Vjen e ju gjen.
Nëse drithërohem
Në mijëra shkëndija
Prania juaj
Tek unë sjell dritë
Dijeni,
Kjo i përket
Veç dashurisë.
E nëse
S´kam mall
S´kam drithërimë
Dhe as shkëndijë,
Dhe harroj të them:
O njerëz, ju dua!
Merrni një qiri,
Dhe...
Ndizeni për mua!
Ora
Sot,
Gjithë ditën dola me nënën
U shndërrova në erë
Pa shkop magjik,
Pa fantashkencë
U buzëqeshja gjithë njerëzve
Pastaj,
Fare natyrshëm
Prekja dhe retë.
Isha me nënën sot,
Kur gjethet e vjeshtës
U përhapën në qiell
Sikur të ishin thërrmia dielli
Tek pija kafen me të
Pyesja veten:
Si mundi
Që erdhi?!
Me nënën isha
Edhe pse
Prej vitesh ka shkuar
E s'është më!
Gjithë dritaret
Qielli i hapi
Mua,
M'u duk,
Sikur erdhi nëna
Dhe krahët m'i zgjati.
Kur mbrëmja mbuloi gjithçka
Nëna,
Ish larguar
Dhe hëna dremiste
Mbi një majëmali.
...Kisha vënë në dorë
Orën e saj,
Më kish marrë malli...
Comments (0 posted)
Post your comment