Lajmthirrje (versioni i fundit)
Me pritës zëlargu në vesh, Oshëtima e murlanit në tela të vinte: A më dëgjon? Si më dëgjon? Po më dëgjon? Aloooo…
Nga Shkëlqim Çela
.
Të zhdukeshin celularët,
Njëqelizorët
Në pellgjet e veshëve tanë gjithë paramecë,
Ameba, flagjelë, euglena të gjelbra,
Në pjata Petri ku bëjnë koloni
Kqyrur mbi lamela nga lente kureshtjesh të vogla,
Minutëse,
Mik-roskop-ike,
Të vinin prapë dinosaurët e mëdhenj,
Nga pyjet fshehës prapa shtëpive, livadhet
Me emra të harruar, lirishtë e ograja,
Të vinin me bulurimë
Fjalët e mëdha një napolon,
Mexhite në duar shpërblyese mbretërish veqilë,
Zhage verdhushkash në gji,
Fjalë e flori,
Pranë zemrës në jelekët razi
Për xhamadanë fodullë,
Dëshira mustaqesh nën hundë
Ku shkojnë të trembur minjtë
E përditës.
Kjo vjeshtë serioze gjithë pah saharoze
Në veshët e vreshtës shkumbi,
Ku rrushi dhe kumti kërkuan behar që të piqen,
Në lastarët e fjalës dhe këngës prerë shkurt
Shkurtit që shkurton urët,
Një fjalë që shpirtin këput
E bën nyje,
Muline në kryqin e fundit
Të botës që sillet rreth e rreth gjergjefit.
Alkool bërsishë nga një hektar vreshtë,
Në burg kadesh, si dy shenjtorët,
Mbyllur në shishe si djall e demon,
Mesazh e raki,
Flakë e fjali
Flakur në det
Si e mira,
Fjalë e alkool me flakë blu
Në gojë e në gotë,
Në Gojgotë…
Me pritës zëlargu në vesh,
Oshëtima e murlanit në tela të vinte:
A më dëgjon? Si më dëgjon? Po më dëgjon? Aloooo…
Fjala – një fetus, kërthi
Të nxirrte kokën nga goja, zëlargu,
Mes veshit e trurit një qarje, mami,
Mugull i kumtit, një syrëz, një syth
Varësisht nga gjinia e Lajmit,
(Topat gjëmojnë në qoftë vajzë).
Të vinin edhe një herë
Kthinat e lajmthirrjeve,
Kabinat e rënda orakull,
Lajmi,
(Ra Berlini, Saigoni, u ble Luiziana, u dogj Lusitania, u mbyt Titaniku… të dua… të dua mirë…)
Gërma të ish një kokërr perle
Rritur ngadalë në kapakët e gojëve,
Gjerdan i fjalisë të farfurinte
Për qafa që çmerisin giljotinat e Fatit,
Telefonat me turbinë,
Shkulma ujërash, Niagara stërpikëse,
Çentralistja me fisha
Tek ngulte destinin tënd në një vrimë të zezë
Në mes galaktikash.
T’më vinte edhe një herë sak një lajmthirrje!
Comments (0 posted)
Post your comment