Home | Literature | Frika si koncept poetik

Frika si koncept poetik

image
Poezia antologjike "Macja e zezë" është një dëshmi...

 

Nga Shaip EMËRLLAHU*

 

Ali Podrimja është krijues i racës së të frymëzuarëve nga çerdhja e etnisë dhe njëri nga prurësit më të mëdhenj të poetikës shqiptare. Ai, së bashku me Poradecin, Camajn, Shkrelin, Arapin, ... me të drejtë ka ulëse në panteonin shqiptar të artit poetik. Vlerësime të këtij toni për te janë dhënë nga kritika jonë, por dhe nga ajo e huaj.

Poezia antologjike "Macja e zezë" është një dëshmi.

Sapo ta kemi lexuar këtë model artistik që objektivon të A. Podrimjes prekim efektin e parë, pra, ndiejmë një shqetësim... Në gjithë strukturën e kësaj lirike meditative preket letrarja. Mjetet shprehëse janë të shumta, ndërsa ligjërimi i përpunuar i saj na jep një parakalim kuptimësish të mbishtresuara. Pra, çdo lexim i vëmendshëm ta jep një ndjesi të një krijimi të ri. Gjuha poetike e kësaj lirike dominohet nga metafora, personifikimi, inversioni, polisidenti, epifora,...

Lirika "Macja e zezë" hapet me inversionin

 

në udhëtimin tim

një mace e zezë më ndjek

 

dhe mbyllet me kthimin e këtyre fjalëve në sistemin normal të pjesëve në fjali. Çelësi i interpretimit është sentenca “orën e fatit ajo dikton”.

Në shtatë dystike dhe në dy vargje teke folësi lirik paraqet reflekset që ia provokon udhëtimi. Macja e zezë nuk i ndahet. Ajo e përcjellë në çdo hap dhe ia sulmon ecjen. Ia shtang çdo shpresë që i lind. Diktimi i orëve të fatit se "në gjysmë të rrugës ke për të mbetur", "kurrë s'do t'më këndosh me zë", "i verbëri i verbër ka mbetur" dhe "më kërko në zhgjëndër" që i vijnë nga ravijëzimet që ia formulojnë portretin e fisit janë tregues të një vrojtimi të asaj maceje që ia ka qitur udhëkryqin para hunde. Një udhëkryq, që si le asnjë shteg për të saktësuar "atë fjalë" të dilemës "kur s'di kë dashuron apo urren". Frika nga "macja e zezë" që është çdokund, si hija, ia ka bërë rrugëtimin të pasigurtë. Nuk i beson më askujt. E as fytyrës së vet në pasqyrë.

Ndeshja e vazhdueshme me të keqen, e cila ia dikton orën e fatit të kolektivitetit ka bërë që simbolet e galerisë poetike të Podrimjes të kenë emra që pagëzojnë të shëmtuarën, dëmtuesin, armikun si psh. ujk, erëra vdektare, korb etj., pastaj ato që kanë epitetin "i(e) zi", si macja e zezë, engjëlli i zi, dora e zezë, re e zezë etj. Mbiemri "i zi" që simbolizon kundërshtarin e etnisë së heroit lirik haset dendur në krijimtarinë poetike të A. Podrimes. Ky dyluftim i udhës së gjatë kap një shekull dhe është paraqitur me imazhe nga më të ndryshmet. Ai nëpër etapa merr pamje edhe të konfuzitetit.

Orët e shpirtit, e këngës dhe të ëndrrës ia presin leqet e këmbëve lirikut. Ia demotivojnë udhëtimin që duhet ta vazhdojë se s'bën.

Cila është ajo "fjalë" që duhet thënë? I cilit profil është? Pse është kaq vështirë për t'u definuar? Përse nuk mundet të thuhet?

Kjo poezi e shkruar në kohën trandjeve të mëdha të etnisë së autorit, edhe tani tingëllon me ate fuqinë që kishte në çastin e frymëzimit. Në kapërcyllin e mijëvjeçarit që po lëmë pas, ecja jonë ka po atë vertikale të ecjes mbi tehun e spatës. Gjeografia shqiptare që është grirë aq keq kërkon dinjitetin... Sot, edhe përkundër mjaft rrjedhave që nuk kanë marrë definimin e duhur ajo është në prag të shkundjes së ndjekjes, shfarosjes, nëpërkëmbjes, përbuzjes... 

Thënia e asaj "fjale" sa vjen e krijon hapsirë për t'u thënë.

    

Ali PODRIMJA

 

MACA E ZEZË

 

në udhëtimin tim

një mace e zezë më ndjek

 

e shpirti më thotë

në gjysmë rruge ke për të mbetur

 

e kënga më thotë

i verbëri i verbër ka mbetur

 

e ëndrra më thotë

më kërko në zhgjëndërr

 

po eja e thuaje atë fjalë

kur s'di kë dashuron apo urren

 

eja e besoj fytyrës në pasqyrë

 

një mace e zezë më ndjek

në udhëtimin tim

 

orën e fatit ajo dikton

 

  * Kritikë mbi poezinë "Macja e zezë" e poetit Ali Podrimja

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00