Home | Literature | Uliksi në botën me boshtin zero

Uliksi në botën me boshtin zero

image
Puqja e akrepave krijon botën, vret të sotmen, lind të nesërmen. Na vret neve. Lind ata.

 

  Nga  Nurie Emrullai

 

Ora shënoi mesnatën! U formuan katër zerot, 00:00, që japin asgjënë, vetëm kthejnë botën nga e para. 

U mundëson dashnorëve të vjetër takimin e tyre historik!

Nga puqja e tyre do nisin avazin e njëjtë, do të lindin ditën e re, javën, muajin apo vitin.

Puqja e akrepave krijon botën, vret të sotmen, lind të nesërmen. Na vret neve. Lind ata.

Zeroja na lind dhe na vret. Fillimi dhe infiniti i krijimit.

Miti thotë, që nga Kutia e Pandorës dolën krimet, urrejtjet, sëmundjet, hidhërimet. Por jo, jo!

Aspak nuk ka qenë kështu! Nuk ka pasur diçka të atillë! 

Ju tregoj unë ç'kish brenda! Aty ishte numri, zeroja!

Krijimi i rendit dhe absurditetit të botës. Ky numër lakuriq me lëkurë të zgjebosur.

Kjo pastaj krijoi numrat e tjerë vetëm të turbullojë kokën tonë.

 

 *00:00, katër zerot! Krijimi dhe fundi i gjithçkaje

 *00:30 - Uliksi dhe largimi i shpirtit(hijes)

 *06:00- Uliksi dhe hija e tij, lindja, mëngjesi

 *09:15- krahët që shtrihen për të dhënë(pritur) një përqafim.

 

Akrepat e orës:

1. Akrepi i orës- njeriu;

2. Akrepi i minutave- hija që nuk i shqitet, dikund qëndron para, dikund pas, gjysma!

3. Akrepi i sekondave- shpirti(ëndrrat, dëshirat), gjithmonë i pavërejtur, i brisht, por mos ishin sekondat a do kishim numra? 

4. Boshti i akrepave-mesi i asgjësë që njeriu dashur pa dashur e ka patjetër të rrotullohet rreth atij boshti, duke krijuar kështu një zero.

5. Numrat e renditur në mënyrë rrethore- njerëzit që i takojmë çdo ditë. E kaluara dhe e ardhmja që ndeshen dhe ndahen në mesin e asgjësë.

6. Tik-takët e pandalur të orës janë identik me tik-takët e zemrës.

 

Është rastësi e gjitha? S'mund të pajtohem.

Ne rrotullohemi rreth boshtit të zeros.

Megjithatë tik-takët e zemrës koordinohen me ato të orës duam apo s'duam ne, e cila rri e varur në mur, është e thyer, s'ka xham, s'ka fytyrë! Presim mesnatën!

Në heshtje të kobshme, për të pritur ëndrrat. Për t'i vënë në jetë shpirtrat, për të zgjuar ndjenjat, për tu zgjuar nga ëndrra dhe të ëndërrojmë përsëri, pa pasur rëndësi koha, viti, veshja, trupi. Veç shpirti im dhe ai i botës.

Ora e thyer përplasi akrepat mbi njëri-tjetrin për t'i uruar mirëseardhje mesnatës, mesit të ëndrrës dhe realitetit. Trupave që bëjnë dashuri apo shpirtrave që mezi presin të bien nga ëndrra në ëndërr e të takohen. Mezi presin puqjen e tyre në tokë a qiell.

Mesnata ngadalë vazhdon të shtrijë krahët rreth botës si një vajzë e lazdruar, që zgjohet me përtesë dhe ngrihet ngadalë e ulet në fund shtartit, me sytë mbyllur duke hapur krahët që të shtendosë trupin e t'i dalë gjumi.

Por ne duhet të flejmë, është mesnatë. Kur ajo ngrihet ne duhet të biem.

S'mund ta përballojmë njëra-tjetrën!

Mesnata shtrin krahët e gjërë dhe futet në çdo cep të botës, aty ku drita s'mund të depërtojë.

Ajo ndan dhe bashkon akrepat, i ngjan një fëmije lazdran që merr dhe hedh lojrat e tij pa ndonjë shkak, fiks për t'i bashkuar përsëri pas një ore e pesë minutash. I heq zvarrë si me litar rreth atij boshti, e ato që tërheqin pas një peshë të rëndë duke bartur mbi shpinë dritën, pastaj diellin, e pastaj terrin e hënën, një punë e palodhshme, e përditshme, e pakuptimtë. Sizifi!

Akrepat ecin pandal sepse e dinë, janë të sigurt që do puqen fiks pas një ore e pesë minutash. Por ne? Ne jo! Prandaj tik taku jonë ndonjëherë rëndohet, ngushtohet, shpejtohet, i ngatrrohet ritmi. Ne presim të nesërmen, rrotullohemi rreth diçkaje që mund të jetë e besueshme por jo e vërtetë ose mund të jetë e dëshirueshme por një gënjeshtër.

Vërtet e lidha jetën me orën, por mos gënjej dhe veten edhe juve, mos bëhemi kaq naivë duke qenë mjaftueshëm të djallëzuar. 

Ne nuk kemi kthim pas, nuk kemi përsëritje, nuk kemi takime dy herë identike, kurrë s'do jemi si ato. Ne nuk jemi brenda korrnizash, jemi të lirë, të lirë të endemi, duke mos pritur si akrepat që presin gjithmonë njëri-tjetrin, të sigurt për takimin e tyre, besnikë për njëri-tjetrin.

Dhe sa mirë që s'jemi. Ç'jemi lehtësuar. 

Edhe botën e zbuluam që nuk është rreth, se po të ishte!?

Por, duhet të jetoj përgjithmonë me një peng, fytyra ime, fytyra ma ka formën e numrit zero. 

Ah, c'trishtim! Përse?

 

 

 

   © Nurie Emrullai

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0