Të ndërtojmë një « koshere » !
« La Ruche » apo një koshere mjalti në Paris...
Nga Luan Rama
« La Ruche » apo një koshere mjalti në Paris
Një ditë në Paris, mikja ime Feliçeta Jakoel, e cila vinte nga Tel-Aviv, donte që ta shikonte se ku ndodhej «La Ruche» («Kosherja») për të cilën kishte lexuar shumë, pasi atje në gjysmën e parë të shekullit XX kishte patur shumë artistë hebrenj të ardhur nga Europa lindore, ata që krijuan pra atë që quhet në historinë e artit «Ecole de Paris». - Eja, - i thashë, - e kam pranë shtëpisë time, aty pranë kopshtit «Brassens». Dhe ne shkuam në 2, Passage de Dantzig, «Cité d’artistes», të Parisit 15, drejt asaj « koshereje » më shumë se një shekullore e ndërtuar në vitin 1902, ku dikur kishin lënë gjurmë artistët e mëdhenj të pikturës, skulpturës, muzikës, vetë artit. Meqë shpesh në punën e saj u fliste vizitorëve për « Ecole de Paris » dhe gjeneratën e famshme të artistëve të kësaj epoke, dhe kur e pyesnin se ku pikërisht ndodhej ajo në Paris, ajo ngrinte supet pa ditur ç’tu thoshte, ajo nxitonte ta shikonte këtë vend mitik dhe kureshtja e saj ishte e veçantë. Artistët janë ende aty, porta e hekurt, oborri, dhomat në atë ndërtesë të vjetër rrethore, pasi « kosherja » vazhdon të funksionojë, gjeneratë pas gjenerate, ashtu siç kishte dashur dikur Alfred Bucher, krijuesi i saj, i njëjti kompleks, i paprekur, me të njëjtën arkitekturë, mjedise, ku prodhohet «mjaltë» nga bletë që vijnë nga shumë larg.
«La Ruche» në frëngjisht do të thotë pra «Kosherja e bletës». Kur kishte parë strukturën metalike të ndërtuar nga Gustave Eiffel për Ekspozitën Universale të Parisit më 1900, (ku prodhuesit e verës së Bordeaux-së prezantuan verërat e tyre), Boucher mendoi që aty mund të vendoseshin artistët: ato 60 atelierë të vegjël, do të krijonin së bashku një koloni të vërtetë arti, ku mes tyre do të krijonin dhe shumë piktorë nga vendet e Europës së Lindjes, të Spanjës, Rusisë, etj. Atje erdhën dhe piktorët e rinj si Soutine, meksikani Diego Rivera bashkë me gruan e tij, japonezi Fuxhita dhe Van Dongen, kiliani Zarate që gjeti Modilianin e vdekur, skulptori Zadkin, etj. Ishte një qendër e vërtetë kulture, ku ata jepnin shfaqje teatrale, recitale, muzikë folklorike. Aty ishte strehuar një çast dhe Trotski dhe Lenini, që në «Closerie de Lilas» bisedonin për revolucionin që duhej bërë në Rusi.
Kur kujtonte vitet e tij në «La Ruche», Shagall shkruante në kujtimet e tij se «atje midis katër mureve dhe unë u bëra piktor. Në Paris më dukej se po zbuloja gjithçka. Asnjë akademi nuk do më mësonte më shumë se Parisi, pasi shikoja muzeumet dhe vitrinat e tij…» Ndërsa Soutine me atelierin e tij në «La Ruche», kur kujtonte më vonë Modilianin, pohote se «Gjithë gjenia e Italisë ishte te Modiliani!» Pas një eksperience disa vjeçare në Montmartre, ku Modiliani zbarkoi në vitin 1906 dhe punoi në atelietë e «Bateau Lavoir», (ku punonin gjithashtu Picasso e të tjerë), ai u shfaq në “La Ruche”. Atje ai përjetoi kohën e kubizmit dhe të futurizmit, të cilit Modi i qëndroi larg. Aty filloi dehjet e para, duke fituar bukën e gojës me skicat e portretet e tij që shiste në bistrotë e Montmartre-s. Piktori i ri nga Livorno e Italisë, biri i një socialisti italian që do të burgosej për idetë e tij, kishte ardhur të krijonte një art të ri. Por disa vite më pas, artistët pothuaj u shpërngulën pothuaj të gjithë drejt Montparnasse, shumica në «La Ruche», siç e përshkruan dhe Shagall në kujtimet e tij.
«La Ruche, kështu quheshin rreth njëqind atelierë me një kopësht të vogël, pranë therrtoreve të Vaugirard. Ato atelierë banoheshin nga artistë bohemë të ardhur nga e gjithë bota. Ndërkohë që në atelierët rusë ndonjë modele e fyer qante, kur tek italianët dëgjohej kënga dhe tingujt e kitarrës dhe te hebrejtë debatet e tyre, unë isha vetëm në atelierin tim para llampës së vajgurit. Përreth kisha plot tablo, telajo apo më mirë dhe çarçafë apo këmisha copë-copë. Në orën dy-tre të mëngjezit, qielli ishte blu. Pastaj agimi shfaqej. Tutje, më larg, thërrisnin bagëtitë, lopët pëllisnin dhe unë pikturoja. Kështu e gdhija gjithë natën, netë me rradhë. Prej një jave atelieri im nuk ishte pastruar. Pjesë shasish, lëvozhga vezësh, kuti të hapura mishi që dergjeshin atje… Llampa ime digjej dhe unë bashkë me të. Digjesha gjer në blunë e mëngjesit. Pikërisht atëherë shkoja të flija në masandër. Në fakt do duhej të dilja në rrugë për të blerë me kredi një «croissante» të ngrohtë, por ç’e do, bija të flija. Pak më vonë vinte gruaja e pastrimit. Nuk e dija nëse vinte për të vënë rregull apo kishte dëshirë të ngjitej tek unë. Në telajot pranë, qëndronin dhe riprodhime që kisha bërë nga El Greco, Cezanne, mbi të cilat vija peshqit që blija, ku në fillim haja pjesën e sipërme dhe pastaj gjysmën tjetër. Mendoja se ndoshta vinte Cendras për të ngrënë drekën me të. Por para se të vinte ai qëndronte pak kohë jashtë gjersa të vishesha, sepse unë kur punoja, rrija i xhveshur meqë nuk i duroja rrobat në trup, madje nuk më pëlqente fare të vishesha apo të mendoja për veshjen time. Askush nuk më bleu atëherë një tablo, vetëm një herë Zoti Malpel më ofroi 25 franga për një tablo që e kisha prezantuar në Sallonin e Pikturës dhe që nëse nuk e shisja, t’ia jepja atij për aq para. Sigurisht, përse duhej të prisja!... Unë isha një tip i veçantë. Për të më ngacmuar, shokët më hidhnin këpucë në dritaren time të ndriçuar, meqë punoja natën, kur të tjerët bënin festë e dashuri…”
Ja pra, kjo ishte «kosherja» e Parisit, atje ku u mblodhën impresionistët, kubistët, anarkistët, anglezë, rusë, skandinavë, japonezë, amerikanë… «kosherja» ku vinte doktor Barnes, koleksionisti amerikan që i blente këto vepra për pak para duke krijuar një nga koleksionet më të vyera të botës; atje ku këta artistë nuk e bënë artin e tyre për tu pasuruar por si një nevojë për të jetuar, një nevojë shpirti dhe ekzistence; atje ku ishte simbioza e artit, piktura, skulptura, muzika, poezia e një Cendras, Apollinaire dhe e dashura e tij piktorja Marie Laurencin, apo poeti Max Jacob, teatri e arkitektura; atje ku modelet pozonin gratis për këta vafanjakë bujarë, bohemë të lirisë artistike dhe të një arti të madh.
Dhe unë pyes veten: po në Tiranë, a do ta kemi një ditë një “koshere” për një gjeneratë të re artistësh, një kompleks me atelierë të vegjël, sa për të krijuar e jetuar thjeshtësisht, me një qera të vogël si dikur Modiliani, Shagall, Kisling… A do ta prekë kjo thirrje një institucion të kulturës? A do ta prekë një biznesmen që në vend që të vazhdojë me shumfishimin e milionave të tij, të bëjë dhe një vepër bujare, një kompleks atelieresh me hekur, dru, xham… të ndërtojë një “koshere” siç bëri Bucher, i cili me atë akt ndërtues mbeti në histori. Milionerët e dikurshëm janë harruar, por Bucher mbijetoi me veprën bujare të tij. 30-40 atelierë nuk janë shumë për të hyrë në një histori arti, për të patur nesër një ”koshere” për artistët tanë. Vallë a mund t’i ndihmojmë ata që një koshere atelierësh të arrijë t’i mbledhë «bletët» puntore për të na dhënë një «mjalt» të rrallë, atë të një arti spikatës, e që artisti të mos vuajë dhe aq për kushtet e krijimit, por për vlerën e artit. A do ta kemi fatin të shohim këtë aventurë të bukur njerëzore? Thjesht, një “koshere”!...
Comments (0 posted)
Post your comment