Mërkura e Përhimtë
Na mëso të kujdesemi dhe të mos kujdesemi Na mëso të qëndrojmë në heshtje.
Tek Kopshti i Shelgjeve
- W.B. Yeats
Aty tek kopshti i shelgjeve unë dashurinë e takova
Ajo po kalonte kopshtin e shelgjeve me këmbët e saj të vogla e të bardha si bora
Ajo më këshilloi që ta marr dashurinë lehtë, si gjethet që çelin tek pema
Por unë, isha i ri dhe i krisur, dhe atë nuk e pranoja.
Në një fushë buzë lumit bashkë me dashurinë qëndrova
mbi supin tim të përkulur ajo shtriu dorën e bardhë si bora.
Ajo më këshilloi që ta marr jetën lehtë, si bari që mbin mbi digat;
Por unë isha i ri dhe i krisur, dhe tani jam i mbushur me lot.
Ardhja e Dytë
- W.B. Yeats
Duke u rrutulluar dhe rrutulluar në vërtitjen që zgjerohet
skifteri s'e dëgjon më të zotin;
Gjërat prishen; qëndra nuk mbahet dot më;
Vetëm rrëmuja shthurret nëpër botë,
Batica e përgjakur ndërkrehet, dhe gjithkund
Kremtimi i pafajsisë është mbytur;
Më të mirët s'besojnë asgjë, ndërsa më kotët
Janë plot me vullnet të zjarrtë.
Padyshim që një vegim po afron;
Padyshim që Ardhja e Dytë po afron.
Ardhja e Dytë! Ende pa dalë këto fjalë
Kur një përfytyrim nga Fryma e Botës
Më shqetëson pamjen: shterpësia e shkretëtirës;
Një trajtë me trup luani dhe krye njeriu,
Një vështrim i zbrazët dhe i pamëshirë si dielli,
Lëviz kofshët e ngadaltë, ndërkohë që rreth e rrotull tij
Gjarpërojnë hije të zogjve të zëmëruar të shkretëtirës.
Errësira vjen sërish; por tani e di
Që njëzet shekujt prej gjumi të gurtë
U pezmatuan nga përkundja e djepit në ankth,
Dhe ç'përbindshi i egërr, që ora i erdhi tashmë,
Kërruset në drejtim të Bethlehemit për të lindur?
Sirena
- W.B. Yeats
Një siren gjeti një djalë duke notuar,
atë e zgjodhi për vetvete,
ngjiti trupin e saj me trupin e tij,
qeshi; dhe duke u zhytur poshtë
harroi nën lumturinë e egërr
se edhe të dashuruarit mbyten.
Mërkura e Përhimtë
Pjesa I - T.S. Eliot
I
Sepse unë nuk shpresoj të kthehem më
Sepse unë nuk shpresoj
Sepse unë nuk shpresoj të kthehem
Të kem dhuntitë e këtij dhe mundësitë e atij
Unë nuk përpiqem të arrij më gjëra të tilla
(Pse duhet ti shtrij krahët një shqiponjë e plakur?)
Pse duhet të vajtoj
Pushtetin e zhdukur të sundimit të zakonshëm?
Sepse unë nuk shpresoj më të di
Atë shkëlqimin regëtues të një ore pohimi
Sepse unë nuk mendoj
Sepse unë e di që nuk do mund ta di
Atë fuqin e padyshimtë që përherë ndryshon
Sepse unë nuk mund të pij
Aty, ku lulëzojnë pemët, dhe rrjedhin gurrat, se nuk ka asnjëgjë sërish
Sepse unë e di që koha është gjithmonë vetëm kohë
Dhe një vend është përherë vetëm një vend
Dhe çfarë është e pranishme është aty vetëm për një çast
Dhe vetëm për një vend
Unë ngazëllehem që gjërat janë ashtu siç janë
Braktis fytyrën e bekuar
Braktis zërin
Sepse unë nuk mund të shpresoj të kthehem sërish
Prandaj unë ngazëllehem, se kam diçka për të ndërtuar
Diçka me të cilën mund të gëzohem
Dhe i lutem Zotit që të ketë mëshirë për ne
Dhe unë lutem që t'i harroj
këto gjëra që unë i bisedoj me veten më tepër seç duhet
i shtjelloj më tepër seç duhet
Sepse unë nuk shpresoj të kthehem më
Lëri këto fjalë të përgjigjen
Se çfarë është kryer, le të mos kryhet përsëri
Le të jetë gjykimi jo dhe aq i rëndë mbi ne
Sepse këto krahë nuk janë më krahë për të fluturuar
por vetëm flatra për të rrahur ajrin
ajrin që tani është shumë i vogël dhe i thatë
më i vogël dhe i thatë se vullneti
Na mëso të kujdesemi dhe të mos kujdesemi
Na mëso të qëndrojmë në heshtje.
Lutu për ne mëkatarët tani dhe në orën tonë të vdekjes
Lutu për ne tani dhe në orën tonë të vdekjes.
Përkthyer nga Erlind Sulko
Comments (0 posted)
Post your comment