Manekin Arbëresh
Vëloni si sytë e kujtoni përmón këto fjalë: “Besë, Gjirì, Gjitonì, Ynzot, Fjalë, …”.
Nga Mario Bellizi
Bujarët e të gjashtëve gjitoni e ndiejnë
se një ditë të huajt armiq
do të sillnin dhunë e dhimbje në katund!
Ashtu shlluan bondin
e te shesh’i katundit bënë e u mbjodhën
gjithë Dyert, edhe Bilashata, Bregu, …
të gjithë përpara sheshit e Qishës.
Ish hënza e mirë atë mbrëma
Bujarët me zërin pjotë zunë fill e kështù fol(t)ën:
“Ruani argalitë, ruani ngjyrat të përgatitur me bar, rrënjë, spartat të sfitilosur, … njetër aq ruani edhe kukulet,
magj’jat me brumë, gaçat, toprat, …
Kurrë mos harroni si pagëzohet,
mos bëni të biren racjunat 1 dhe uratat, …
Vëloni si sytë e kujtoni përmón këto fjalë:
“Besë, Gjirì, Gjitonì, Ynzot, Fjalë, …”.
Psana 2, bujarët fol(t)ën si mund t’i bëjnë ballë armikut.
Qëndruan se ndër katër anët e katundit
të vëhëshin kukarronra 3 të mbushur me kashtë
të veshur me kamizolla 4 grash
sa të ruajnë shpitë pa gjindë
e ata të mbuluar nga ferra e fiq të zeza të egërsúar.
Këtú e këtjè ndiheshin rënkime argalìa
çë tingëllonin si do (të) frynte era.
Bujarët ishin të bindura se Armiku
do të kish(te) pasur trëmbësi
kur ndër atà katoqe të errëta gjegjëshi(j)n
kushedì sa argalesha çë yejnin trëmba pëlhurje
dhe kujtim i zonjës Pen-e-lyp
dhelpëria Udhisit dhe Burrnesheve(t)
do t’ja kishin bënë xhobën 5.
Si mbaruan atà matafra 6
Bujarët u rrëzuar e vanë dreq udhës çë qellën te Honi
U gramisin atje e vdiqën?
Kush t’e thotë … ç’ahirna u humbën, i piu bota!
(…) Sot si sot, qëndroj vetëm një kukarron
domethënë një mannequin çë e kumbis(t)ën tek një muze
i veshur me petka ngjyrë xhapìu
duart te mesi
dreq si bëjnë grat tona
kur duan të hanë jetën!
dhe ruajnë shtrëmbur akëcilin.
………………………………………..
Si do të jetë, kopicija grisi argalin
drunjezit, shulet 7, follostenin 8,
shtilazit 9, ergjezit 10, krahët e anemit, …
psan shkoj te ikonostasi
mbi kartën e Kapitujvet të Peshkopëve
ka druri i dyervet, i sënduqevet me grurë, …
Ferrat e fiqt t’egra mbuluan shpitë
qetësimi shuajti fjalët
Besa, Gjirì, Gjitonì, Fjala, Ynzot.
……………………………………
Një ditë m’erdhi nxea të shihja atë ngjyrë
u prora në muze e ruajta mannequin-in.
Ajo bushtra e dini çë bëri?
më luajti syrin dreq sikur të ishte e gjallë!
- “Morè, guxim, nani jemi dy çë luftojmë!” -
më pëshpëriti te veshi.
1 lutjet të shkurta; 2 pastaj; 3 dordoleca; 4 veshje grash e poshtëm; 5 shprehje popullore: do t’e kishin vrar; 6 mashtrime; 7 shul i vegjës; 8 batan; 9 purtekë; 10 çengela të vogla ka ana pëlhurës në avlëmend.
Nga libri PASIQYRI E HJEA, 2018 ed. Prometeo
ph: Civita- Calabria: museo etnografico italo-albanese
Comments (0 posted)
Post your comment