Vargje mbi gurë varresh
– nga qielli kaltërosh, nga mali shqiptar e nga kjo fushë e bleruar – nis...
Dhimitër Pasko & (Mitrush Kuteli)
Shpesh herë kur ndiej se qyteti më mbyt me zhurmat e gënjeshtrat e kotësirat e tija dhe me revistat me vjersha pa nojmë, pa art, pa vlerë, ngrihem e dal të shëtis vet’ i vetë, nëpër këto kodrat e ëmbla të Tiranës, të veshura rishmë me robet e prenverës. Dyke ditur mirë se lipset të ndahem tani shpejt nga ky vënd, për shumë kohë – e mbase përgjithmonë, – nga qielli kaltërosh, nga mali shqiptar e nga kjo fushë e bleruar – nis edhe los vetë një lodrë foshnjërije që e pata luajtur edhe pranë liqeresh: e heth vështrimnë rreth e rotull sa të thëthijë dalngadal këtë pamje kaq të ëmbël, i mbyll pastaj sytë edhe rrah t’i përfytyroj në terrin e brendshëm, gjithë këto vise ashtu si janë e si do jenë. Kësilloj do desha t’i kem përpara sysh, të syve të kujtimit, kur do jem nër ato mërgime e largime. Po kjo lodra ime është krejt e kotë se nga kaq brithma bukurije që janë jashtë, nga kaq dritë e ngjyrë nuk ryn brenda, në syt e mbyllur, përveç se një pamje e trishtme, ngjyrë-hiri…
Po, të më falë lëçitësit në nisa të los këtë lodrë foshnjërije se unë u pata lidhur të flas këtë herë vetëm për vjersha të shkruara mbi gurë varresh.
Kthehem pra në rrugën e parë.
Në këto shëtitjet e mija jashtë Tiranës, kthehem shpesh herë në qimitire, pranë të vdekurve, dhe iu lëçit emrat, vjetet e fjalët e tyre. Këtu prehet një vashë e ré, aty një plak i shkuar, përtej një foshnjë, – që të gjithë ndën lëndinë që e yshqejnë me trupin e tyre, me jetën e tyre. Përmi ‘ta ullishta e trishtme, simboli i paqës që vetëm në vëndin e gjumit mund të mbretërojë.
Dhe pranë ullishtës, vëllaj i saj i shterpët, shelgu.
Në këto shëtitje përmes qimitiresh kam shënuar në një fletë disa vargje vjershash që i gjeta të shkruara mbi gurë. Ato flasin në emrin e atyre të flenë ndënë dhé e me nostalgji për këtë jetë tokësore, kaq të hidhur e kaq të ëmbël… Nuk di në i kanë shkruar të vdekurit ose të gjallët, po di se mburimi i tyre është dhembja. Këto vargje të shkruara mbi gurë varresh i afrohen fort prodhimit folkloristik të vjershëtorëve anonimë.
Vjershat e varreve myslimanë sjellin ushëtimin e botës arabe në përmbajtje, në trajtë e në fjalor si edhe filozofia e fesë së tyre, përmbi jetë e vdekje, – të vështruara nga çipi i varrit.
Ja se ç’thotë varri i Haxhi Rexhep Vaqarit:
Erdha nga drita,
Ktheva në dritë,
Tue kaluem ç’do errsinë.
Vullneti jem ka qen
Çdo ditë
Besim të plotë mbi perëndinë.
Ai që e pat krijuar këtë vjershë ka, si duket, ndiesinë e artit poetik dhe harmoninë e rithmit. Pa fjalë se për arsye teknike kush e ka shkruar mi gur i ka ndryshuar trajtën strofës po kjo nuk i prish fare bukurinë. Mbase kjo lloj cenzure – të vdekurit nuk mund të flasin, në flasin, përveç se me cezurë – e shton dhembjen. Po Haxhiu vazhdon më tej.
Le t’i dëgjojmë fjalën:
Përpara Zotit tue dhan provim
Pajtova trupin këtu te vorri,
Po pran atij shkon shpirti im.
Dhe si mbyllje:
Më quejn Haxhi Rexhep Vaqari
O vizituës që shkon përanë
Si ta këndosh kët kryshkrim
Fal-ma me zemër ti fatihanë…
Vargjet janë bukur tretur, bukur shkruar. Fjala “kryeshkrim” është fjalë e ré dhe asgjëkund nuk munt të gjejë një vend më të aftë se sa mi një gur varri.
Le të shkelëm më tej. Na presën të tjera varre. Shumica nuk kanë vjersha po vetëm emra dhe mosha. E kujt nuk i dhemb mosha prej 18 vjet e një vashe, prej 20 vjet e një trimi?
Këtu një pemë del nga mezi i varrit e trupi që brenda bëhet jashtë lule e fletë; aty ka mbirë një bar i hollë që gëzohet se dolli në dritë.
Unji e lëçitni:
Nuk ka vleftë
Për mas vdekje
As fisnikija,
As pasunija;
Atje po vetëm
Me thjeshtësina
Kush paraqitet
Te perëndija
Gëzon pa masë
Ai lumnina.
Një tjatër:
Andërr qenka dhe kjo jetë
Nuk më qeshi buz’ e shkretë.
Edhe një:
Vizituës i gjallë prit e mos kalo
Se kam nja dy fjalë me t’i than: ndigjo
Edhe unë i gjallë kam qënë por si ti
Me nji çik mallë, me fis e me gjini,
Çdo send në kët botë si pare si nam
Qënka pun e kotë, të gjitha jallan.
Më shpje mendja në fjala e Eklisiastiut që tani e mijëra vjet përpara: kotësira e kotësirave të gjitha janë kotësira. Kjo është filozofija që mburon nga vargjet e vjershëtorit anonim.
Por tani për tani ne jemi të gjallë, pra të ecim se kemi edhe shumë varre për të parë e vjersha për të lëçitur.
Ja këtu një që na lutet:
O vizituës që po kalon;
Vorrin t’im mos harroni
Lutje bani sot për mue,
Nesër bajn tjerë për jue.
Edhe një tjetër:
Ju udhëtarë qi kaloni
Nji fatiha më këndoni
Të shumtë janë varret që përmbajnë të tilla vargje. Po vetëm një është që përmban një strofë prej të Naimit: Varri i Esadit, i biri i Kadri Zaimit:
Kur më shihni se jam tretur
Mos pandehni se kam vdekur,
Jam i gjallë e jam ndë jetë,
jam në dritë të vërtetë…
Më ngjitet një ngashërim nga zemra. Nuk di cili është shkaku; fjalët e këtyre vëllezërve që ndënë dhé, filli i barit kaq i njomë i kësaj parvere ose vesa e lehtë që shoshit reja udhëtare që sbriti nga Dajti. Po të mos kish ardhur vesa e loti do shkruanja më. Kësilloj ngrihem e ik. Ik e më vjen se nuk mund të lëçit kryeshkrimet e tjera të varreve. Po më shumë keq më vjen se nuk di të lëçit mishkrimet më elegante shkronja arabe të varreve të vjetër. Më kujtohet tani një tjatër qimitir: ai i Fierit. Ka qënë vjeshtë. Ishin skuqur rrapet e rrugës dhe kish filluar një shi vjeshtak. Nuk munda të hy përveç se në çipin e qimitirit, pranë një varri të naltë, varri i Sanijes, e bija e Osmanit (1913-1939).
Lëçita:
Qeshë gonxhë e sa fillova
Këtë botë me shijue, u gabova
Në të kotë,
Se kurrkush s’e ka gëzue
M’erdhi ëngjëlli më tha në vesh:
Urdhro Zonjë më tha tue qeshë
Të thjeshta, pa teknikë, janë vargjet, po sa turbullonjës! I afrohen fort rithmikës së Korbit në përkthimin e Fan Nolit, me atë turbullonjësen e tij, kurrë më. Në mbarim përsëritet lutja tipike e varrevet:
Kur të bini këndej nga vorri
Ndaluni pak e më kujtoni
Nga një fatiha më këndoni.
Po, motrë e panjohur, për fjalët e bukura që mban ky varri i yt, ku u tret të rit e tu, një udhëtar i brengosur, fort, si ky që shkruan këto radhë, në një ditë vjeshte, iu lut Perëndisë t’ënt e Perëndisë së tij, që është një e një e i pandarë përveç se në mëndjen t’onë , iu lut për prehjen e shpirtit t’ënt, përgjithmonë në qetësi e dritë…
Erdha nga drita
…………
Ktheva në dritë
Tue kaluem çdo errsinë.”
Prill, 1943, Tiranë
Comments (0 posted)
Post your comment