Cikël poetik nga Bardhyl Zaimi
namë e brezave shpërndahet si gjamë as farë mbillet, kudo shkretnim...
Nga Bardhyl Zaimi
Brymsi zbret ndër zabele
Brymsi po zbret zabeleve
me duar të enjtura ftohtësish të përtejme
Këmbët i ka të akullta si shikimin
që e hedh ndër shtëpitë e vetmuara
me nga një elektrik mbijtese
Me zhele mbërthyer me trishtim
njerëzve përvijohet
trup më trup si dashnorë të mërdhirë
që ngrohtësi kërkojnë te njëri-tjetri
Shpërndanë hukama të ftohta
si ndarjet, si pranitë e mungesave
Brymsi zbret rrugicave të shkreta të fshatit
ngjitet pullazeve, tjegullave të zeza
mureve me baltë indiference
prek macen leshbutë që gërhet te pragu
muzikën e vetmisë
Mbi lulet e zhveshura fërkon duart
për t'ua marrë shpirtin e pakët që e ruajnë në ëndrra sythesh të padala
Brymsi kërkon shtrat të ngrohtë
njerëzish zemërmirë
që koten në gjysëm ëndrrën e tyre
kërkon kashtë bagëtish të përgjumura
që përtypin kohën e akullt
Brymsi është qenie e hutuar
as e mirë e as e keqe
shpërndanë ftohtësi gjersa kërkon zjarre nga zemra njerëzish
Për t'i dhënë kuptim kohës së përtejme
që e sjellë me kaq rrëmbim.
Bota zgjohet me nge
Këndezi u jep fund ëndrrave
Bota zgjohet me nge
Dita dhe nata preken lehtë
Me sy gjysmë të mbyllur
si në një ekstazë trupash të tulatur
Nën qershinë e moçme përtypet pritja
me sytë e mbushur me dritë
Avulli i ngrohtë i gjësë
e këndell agun që bie i alltë
mbi barin me vesë
Të kapur për telat e elektrikut
zogjtë trandin qetësinë e natës
Qetë qetë gjithçka fillon nga e para
ujshëm e përmallshëm siç duhet të ketë filluar
mijëra vite më parë
me një kollë të lehtë shqetësimi
për një nisje të re
të përshkuar me një blu të errët
që mbytet lehtë në një ngjyrë të kaftë
si dy palë sy që hahen në ajër
e vetvetishëm zhvatin dashuri
Është njësoj si atëbotë
pa kuptime të stërmunduara
Është thjesht një qetësi e pafundme
që e ripërtërin veten ndër shushurima ujërash
Një dashuri që ka natën dhe ditën
mëkatet për t'i mbuluar....
Udhë që humbet në shkurre
Nuk na mba toka, nuk ka me na mbajt
namë e brezave shpërndahet si gjamë
as farë mbillet, kudo shkretnim
bar i egër përlanë shtëpitë
që si kuti betoni heshtin n'vetmitë e tyre
Zogjtë janë rralluar, vdiren hapsirës
si toptha letrash lajmesh të trishta
si pikla të zeza nderen qiellit
me trafik të dendur avionësh të pashpresë
që çukasin mjegullat e lashta të palumturisë
Kuajt e vullnetit dergjen të shkumuar
maje udhësh që humben në shkurre
dhe bimēsi tjera që mbijnë nga dëshpërimet
Heshtjet janë mbledhur kruspull
rreth llambave me dritë artificiale
dashuritë s'pipëtijnë, pijnë trishitë cigare
kollen rëndë të lodhura nga përsëritjet
Duar të padukshme gjuajnë thika
në zemra njerëzish, në kaltërsinë e tyre
mbledhin sakaq dritë syshë
për ditët e tyre të helmta si vetë shpirti i tyre
Kudo gumëzhinë palumturi e jetës
kudo shfaqen hijet e shpatave mizore
që e bëjnë torzo pemën e jetës
kudo vetmia numëron ditët e humbura
në numratoren e jetēs
në kalendarin e rënieve
Maje fryme duket se mbijeton shpresa
triumfalisht si një dhi e egër
me shikimin drejt greminës
Ah dhe çamat e përjetshëm perreth
kryelartë me borë zbardhuar
sa për t'na thënë
se kjo botē dhimbshëm mbijeton.
© Bardhyl Zaimi
Comments (0 posted)
Post your comment