Ilias Lajos
Ç’më shembe nga themelitë, më vodhe, kusar, të ritë!
Nga Romeo Çollaku
Nga poetët më të rëndësishëm të Greqisë së Re. U lind më 1958 në Artë. Studioi farmaceutikë në Universitetin e Athinës, por nuk e ushtroi profesionin. Botoi trembëdhjetë përmbledhje poetike, që u përfshinë, më 2009, në një vëllim të vetëm. I dha fund jetës më 5 tetor 2005, në Athinë.
Lejdi Otello
- Më le vetëmë gjithë natën.
Terri i zi më kalli datën.
Ç’bën e më vjen në të gdhirë?
- U harrova duke pirë
me një shok fëmijërie.
- Pika mua që s’më bie!
Nuk më do më si qëmoti?
- Kurrë mos e dhëntë Zoti!
- Në qoftë sikundër thua,
bëj bé këtë çast për mua!
- M’u bëftë buka harram,
grua tjatërë në kam.
- Jakë edhe përqafomë,
falmë edhe ngushëllomë.
(e përqafon)
Një shami paske në xhep,
qëndisur anash me grep!
Ç’më shembe nga themelitë,
më vodhe, kusar, të ritë!
- Ta marrë lumi, ta marrë!
- Hapmëni, o njerëz, varrë,
që të lipsem nga kjo jetë
e të shkoj në të vërtetë,
të dergjem në dhé të zi.
- S’kam faj! Rashë në dashuri.
Ilias Lajos, Çudibërësi
Nis e kërkoj, sa zgjohem, vargun e bekuar,
në kllapi i bëhem pas një rime tinëzare;
ç’vuajtje të bredhësh gjithë varret familjare,
të vjedhësh të ndjerët, në kumb për t’i shndërruar.
Sa i ndërgjegjshëm qenkam! Duke numëruar
rrokjet (ndonëse i sëmurë) nuk më dalin fare;
asimetri’ e tyre po u bë shkaktare,
përsosja e vargjeve ka për të dështuar.
Por do shkruhet më në fund sonet motërqiri;
dhe, përveç pavdekësisë, një tufë lulesh bliri
nga duart e Mikeshës do kem unë shpërblim.
Kur të prehem pastaj mes badrave nën hije
tok me gjithë bardët, shumë banorë Patagonie
do t’i përfalen greqishtes së artit tim.
Mbrëmje
Tetëmbëdhjetë ditë kaluan. Ke ikur, druaj,
në shkretinë memece të një mërgimi tjetër.
Fundin e historisë lexova si në letër:
Në të njëjtin stacion kanë mbetur dy të huaj
dhe sytë nuk ia hedhin, nuk i flasin shoshoku;
vetëm luten në heshtje treni të vonojë,
me shpresën mos bën largësia ndonjë lojë
dhe, meqë jo harenë, dhimbjen të ndajnë së toku.
Tetëmbëdhjetë ditë kaluan. Dhe ndodh çudia
(porse në ëndërr), dëgjohet një telefon.
Teksa çdo plagë të natës dita e mëlcon,
si brengën e vetëvrasësit e dritës bukuria,
u ktheva për të parë dhe pranë të kisha gjasme,
veshur me lule vetmie, me vello dasme.
Mat.V - VII
Lum kush pati etje e uri, lum kush përfitimet i mohoi, lum kush derdhi grusht kokrrën e lotit.
lum kush nga njeri u kthye në kafshë, por ai tjetri që u shndërrua në bar lum tri herë.
lum gjakftohti, lum kush vdiq duke qenë gjallë e me mendjen tek vullneti i zotit.
veç këta, të lumët këta, do kenë uratën që ta shohin (vetëm ta shohin) të parajsës derë.
vështroni pendët e shpezëve të qiellit, që i kanë të dendura, të qëndisura e gjithë ngjyra.
jam unë që ju stërpik pareshtur me kripë dhe ju do jeni kripa që s’gjendet nëpër dete.
shkunduni, nga asnjëra prej teshave t’ju ikë pluhuri, t’ju ikë nga jo metali juaj zgjyra.
gëzohi; tek çdo gjë që në pjesë nuk mund të ndahet, ju do jeni, përjetë, një pjesë më vete.
shtëpitë braktisini, le të shkretohen, arat mos i mbillni, flakni sa më tej plugje e shata.
me thika therini disi bijtë, prindërit hidhuani paksa qenve, shnderojini bijat cazë.
unë jam paqja, unë jam prehja, jam qetësia, pas meje asgjë, veç e tim eti zemërata.
me Frymën e Shenjtë për nuse, në paradhomën e mbretërisë sime do t’ju ve unazë.
e di shumë mirë që shpirti juaj i shkretë nëpër këmbët e mia hiqet zvarrë duke lypur ndjesë.
me çfarë tjetër do t’ju bëjë esëll drita që kam, përveçse me terr humbëtirash nga ky imi.
mëshirë ju mos lypni, sepse edhe unë vetë ngrita zërin dhe kurrkujt nuk i kërkova përdëllesë.
në manastiret e atit, si shpërblim i çmuar, ju ndërgjegjia do t’ju brejë e do t’ju brejë pikëllimi.
© Përktheu Romeo Çollaku
Comments (0 posted)
Post your comment