Varri i Potockës
Kopshtijeve të këndshme, në trojet e pranverës, u vyshke, gonxhe e njomë! se, duke flatruar...
Varri i Potockës
Adam Mickiewicz (1798-1855)
Kopshtijeve të këndshme, në trojet e pranverës,
u vyshke, gonxhe e njomë! se, duke flatruar,
si flutura t’ arta mbi ty, çastet e kohës së shkuar
kukule kujtese në zemër të hidhnin hera-herës.
Po pse vallë mbi Poloni, mes thëllimit therës,
grigja yjesh asaj rruge shndritin pa pushuar?
Mos janë gjurmët që ndezi, në gropë sa pa u shuar,
syri yt me zjarrin që rrallë veton në njerëz?
Polake, në zi i ngrys dhe unë ditët e vetmisë;
veç një grusht dhé nga miqtë, tjetër gjë nuk dua.
Shpesh fjalosen shtegtarët te ti nën qiparisë
dhe kumbi i gjuhës amtare më zgjon, po u dëgjua.
Dhe, kur këngën virane për ty poeti të ujdisë,
do shohë varrin ca më tej e do më flasë dhe mua.
Karrierë
Kostas Karjotaqis (1896-1928)
Mishi im dhe e gjakut çdo enë
të një libri trajtën do kenë.
«Vërehen edhe vargje optimistë»
do thotë ndonjë gazetë apo revistë.
«Kleareti Malamu» dhe bri saj
emri im do shkruhet paskëtaj.
Megjithatë, të nesërmen, unë
trup edhe shpirt do t'i brej në punë.
Por, kur të bindem se dielli perëndoi,
tek Vasiliu do ngrihem e do shkoj.
Kokë më kokë, në tryeza, do gjej
dijetarët dhe mjeshtrat e mëdhej.
Do flas pak, por fjala do peshojë
dhe më shumë do flas pa hapur gojë.
Amshimin duke gjurmuar gjithnjë,
vitet kinse të rrjedhin do t'i lë.
Do rrjedhin dhe zemra do më dhëmbë
si ai trëndafili që shkela me këmbë.
Dhe rrjedhat...
Kostis Palamas (1859-1943)
Dhe rrjedhat zëëmbla, të ftohta e të dëlira,
që dielli i shndrit kur ulesh ti e pi,
takuan përrenj të tjerë e preva ujëngrira,
ndërruan shtrat, u turbulluan; dhe tashti
humbën në llagëme e bimsa të errët dhe ngjaka
tjetërkund të jenë shfaqur lumë vërshimtar;
edhe këngët e mia të thjeshta e fjalëpaka
gjetën dritë në Elizé dhe flakë në Tartar.
Dhe dëgjoji tek kthehen, të thella e epike,
me qerthujt e fshehtë që bota e poshtme ua dha,
prej belbëzimit lindi fjala, kroi prej një pike.
Për shtatin tënd të ri, dhe shpirtin merrma, na!
© Përktheu: Romeo Çollaku
Comments (0 posted)
Post your comment